Vladimir Meçe, avokati i Emiljano Shullazit-i akuzuar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal pretendoi se çështja ndaj klientit të tij ishte ndikuar nga politika dhe ndërkombëtarët dhe se prokuroria nuk kishte prova. Gjyqi maratonë ndaj të ashtuquajturit grupi i Shullazit u shty, pasi avokatët e tjerë kërkuan më shumë kohë.
Avokati Vladimir Meçe kërkoi pafajësi për të pandehurin Emiljano Shullazi, i cili akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për gjobëvënie dhe shantazhe. Meçe pretendoi gjatë seancës 4-orëshe të leximit të mbrojtjes të martën se çështja ishte ndikuar nga politika dhe nga ndërkombëtarët, ndërsa klientit të tij i ishte cënuar e drejta e prezumimit të pafajësisë.
Avokati po ashtu kërkoi pafajësi edhe për Endrit Qyqjen, i akuzuar si pjesë e grupit, i mbrojtur po prej tij. Ndërkohë mbrojtësit e të pandehurve të tjerë kërkuan kohë për t'u koordinuar me njëri-tjetrin dhe për të përfunduar konluzionet përfundimtare.
Seanca e të martës nisi në orën 09:00 dhe përfundoi rreth orës 12:15, ku ashtu si edhe në ato të mëparshme kanë qenë të pranishëm përfaqësues të ambasadës amerikane dhe asaj gjermane. Të pandehurit, Emiljano Shullazi, Glimando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk ishin të pranishëm, por i kishin paraqitur gjykatës deklaratë se do të përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre të zgjedhur.
Në fillim të muajit, prokuroria lexoi pas një sërë peripecish pretencën, duke kërkuar shpalljen e të akuzuarve fajtorë dhe dënimin e Shullazit si drejtues i grupit me 17 vjet burg. Për Gilmando Danin, i cilësuar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, prokuroria kërkoi 15 vjet heqje lirie, për Endrit Qyqjan e Endrit Zelën nga 11 vite burg për secilin dhe për Blerim Shullazin 10 vjet heqje lirie.
Ata akuzohen për shtrëngim për dhënie pasurie; shkatërrim të pronës me lëndë plasëse e kanosje ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku. Grupi akuzohet gjithashtu për kërcënimin për t'u tërhequr nga gara të kandidatit për rektor të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Koni dhe kanosjen e rektorit Dhori Kule.
Një nga argumentet kryesore të avoaktit Vladimir Meçe gjatë seancës së leximit të mbrojtjes, ishte shkelja sipas tij e prezumimit të pafajësisë. Meçe tha se “prezumimi i pafajësisë është një parim themelor për të pasur një proces të drejtë”, duke sjellë në vëmendje edhe shembuj të ndryshëm të gjykatave ndërkombëtare.
Ai theksoi se çështja në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë ka tërhequr vëmendjen publike duke dhënë idenë se po ndëshkohet një grup kriminal, ndërsa prokurorët e çështjes “po shfaqen si kalorësit e kësaj beteje”.
“Në rastin e Shullazit, bërjet publike e kanë servirur atë fajtor, duke e kthyer gjykatën vite më parë, si gjykimet para popullit,” pretendoi Meçe.
Ai iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe atyre të ish-ambasadorit të SHBA Donald Lu. Po ashtu ai u ndal edhe në dëshmitë e dhëna nga dëshmitari Ylvi Beqja, të cilin e cilësoi si “mashtrues klasik”. Sipas avokatit Meçe, dëshmitari i mbrojtur kishte mohuar të kishte presione nga Shullazi në dy intervista të dhëna për dy gazetarë, duke pohuar se dëshmitari ishte shprehur se i kishte kërkuar vetë ndihmë Emiljano Shullazit.
Meçe theksoi se Beqja në intervista ka deklaruar se kishte bërë kontrata të rregullta me klientin e tij, pasi kishte kërkuar mbrojtje nga ai për presione nga persona të tjerë. Më tej ai sqaroi se Ylvi Beqja, në intervistat e tij publike ishte shprehur se gjithçka e kishte bërë me dëshirën e tij dhe se prej momentit që kishte bërë bashkëpronar Shullazin, kishte pasur qetësi dhe problemet i ishin larguar. Intervistat sipas avokatit Meçe ishin dhënë 9 ditë pasi klienti i tij ishte arrestuar.
Meçe po ashtu tha se dëshmitari kryesor i akuzës kishte bashkëpunuar me prokurorinë për të mbyllur problemet e tij me ligjin, pasi ai në këtë kohë ishte në akuzë për pastrim parash. Avokati tha se prokuroria kishte qenë selektive në përzgjedhjen e dëshmitarëve. Ai pretendoi se provat e prokurorisë nuk vërtetojnë akuzat e ngritura dhe kërkoi shpalljen e klientëve të tij të pafajshëm.
Pas leximit të konkluzioneve përfundimtare të përgatitura nga avokati Meçe, mbrojtësit e të pandehurve të tjerë kanë kërkuar më shumë kohë për t'u koordinuar me njëri-tjetrin. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata që ka vendosur shtyrjen e seancës për në datën 13 Nëntor, ora 09:00.
Shqyrtimi gjyqësor i çështjes është mbyllur në qershor të këtij viti, por pas një sërë mungesash të avokatëve dhe më pas problemeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pretenca u lexua vetëm më 2 tetor. Ndërkohë konkluzionet e mbrojtjes janë lexuar vetëm pjesërisht dhe vetëm kjo pjesë e procesit ka marrë tashmë 5 muaj.