Motoristët që shpërndajnë pica dhe ushqime në kryeqytet tregojnë si u përballën me mosbesimin e qytetarëve të mbyllur në karantinë dhe frikën e sëmundjes ndërsa trokisnin derë më derë gjatë karantinës.
Denis Sageri i përmbys paragjykimet që njerëzit kanë për një shpërndarës ushqimesh në shtëpi, kryesisht djem të rinj rreth të 20-tave që ngasin motorë papaqë me shpejtësi në trafikun e dendur të Tiranës.
Burri 43 vjeç ka shumë vite në këtë profesion, një pjesë prej të cilave në Greqi dhe katër vitet e fundit në Tiranë.
“Kjo ka qenë situata më e çuditshme”, thotë Sageri, ndërsa shfrytëzon pushimin për të pirë një cigare e kafe pranë dyqanit ‘Mia Organic’ në zonën e ish-bllokut në Tiranë.
Ndryshe nga shumë shërbime të tjera që u mbyllën me fillimin e karantinës, shërbimi i shpërndarjes së ushqimeve në shtëpi vijoi të ishte i hapur duke i vendosur punonjësit në kategorinë e profesioneve të rrezikuara nga koronavirusi i ri SARS-CoV-2.
Sageri thotë se dyqani ku punon, u mbyll vetëm për pak ditë pas shpalljes së masave shtrënguese të distancimit social, dhe prej asaj kohe ai pati ndoshta fluksin me të madh të punës që prej kohës që punon aty.
Punonjësit e shpërndarjes së picave dhe ushqimeve ishin, bashkë me ato të policisë dhe pak shërbimeve të tjera të hapur në vijën e parë të përballjes me COVID-19, por ata duhej të ishin dyfish të kujdesshëm, për të ruajtur veten dhe njëkohësisht edhe klientët e tyre.
Frika dhe mosbesimi
Frika dhe mosbesimi siç tregon Sageri, u rritën në ditët e para pas fillimit të epidemisë dhe ai pret që distancimi fizik e social të mbeten refleks dhe në muajt në vazhdim.
“Shumica ishin të frikësuar,” thotë ai, duke kujtuar klientët qe merrnin guximin për të porositur gjatë ditëve të para. “Ka pas raste që më thërrisnin nga larg që të mos flisja dhe më tregonin vendin ku duhej të lija mallin dhe ku të merrja lekët,” shtoi Sageri.
Situata të ngjashme ka hasur dhe Visi, një djalë rreth 25 vjeç që punon për një piceri në kryeqytet.
“Në ca pallate kishin vendosur një tavolinë jashtë, linin lekët aty dhe t’i vendosje picën, merrje paratë dhe largoheshe”, kujton ai.
Histori të ngjashme tregojnë edhe punonjës të shpërndarjes së aplikacionit Baboon, një prej kompanive që shpërndan për një numër restorantesh në kryeqytet, duke shërbyer si ndërmjetës mes tyre dhe klientëve.
Edhe pse vetë shpërndarësit e ushqimeve janë përballur me frikën, ato shprehen të shqetësuar se një infektim i mundshëm mund të jetë vdekjeprurës për familjarët e tyre të moshuar.
“Unë kam gjyshen në shtëpi 76 vjeç dhe prindërit nga 55 vjeç dhe me klientët e rinj duhej të kujdesesha vetë që të ruheshin distancat,” thotë Visi.
Edhe Denis Sageri ankohet se klientët në moshë të re janë sjellë më shkujdesur me masat e sigurisë.
“Kishte raste që mbanin maskë, mbanin distancën dhe në fund të zgjasnin dorën”, tha ai.
Armando Plepi menaxher i ‘Serendiville’, një restorant meksikan në Tiranë, thotë se porositësit e ushqimeve online ose me telefon janë kryesisht patronët besnik të restoranteve.
“Janë të njëjtët njerëz që vinin në restorant, ata e njohin biznesin dhe kanë besim”, tha ai.
Përndryshe Edi, një 55-vjeçar që shpërndan akullore në Tiranë, i tregoi BIRN se nuk kishte pasur frikë. Shpërndarja e akulloreve në këtë formë është diçka e re, por burri thotë se pritet të vazhdojë edhe gjatë verës.
Para epidemisë ai punonte për një ‘Fast Food’, por biznesi u mbyll dhe kur u hap nuk i mbante dot në punë të gjithë. Ndërsa dyqani i akulloreve në pamundësi për të tregtuar ndryshe, vendosi të shtonte sistemin e shpërndarjes.
“Akullorja ngrin para se të niset për tu shpërndarë dhe ena mbahet në kuti me shkumë deti,” shpjegoi Edi.
Rihapja ul porositë
Megjithëse shërbimi i shpërndarjes së ushqimeve pati fluks kërkesash në muajin prill, pasi kaloi frika e javëve të para të epidemisë, bizneset nuk e kanë pasur të lehtë t’ia dalin vetëm mbanë, bazuar në mallrat dhe sasinë që shiten përmes këtij sistemi.
Visi thotë se piceria ku punon kishte mundësi të mbante vetëm një prej dy motoristëve.
“Por ne njihemi e shkojmë mirë me njëri-tjetrin, vendosëm ta ndanim punën dhe pagën përgjysmë”, thotë ai për kolegun.
Të njëjtën gjë thotë edhe një nga shpërndarësit e Baboon. Ai thotë se megjithëse kanë pasur porosi puna nuk është njësoj si në javët e kaluara.
“Në prill patëm punë”, thotë i riu, me trup të mbushur ndërsa rri ulur në mes të një grupi kolegësh veshur me jelekë të zinj në të cilët shkruhet logo e kompanisë, “Tani ka rënë diçka, por ka edhe më shumë motorista,” shtoi ai.
Ai thotë se ata nuk kanë rrogë fikse dhe paguhen në varësi të numrit të rrugëve që bëjnë, ndërsa shton se puna e tyre kryesisht kishte vlerë për shkak të bakshisheve.
“Po bakshishe nuk japin të gjithë,” u ankua ai.
“Bakshishe japin ata që janë hallexhinj si puna jonë, ata që kanë nuk japin”, thotë i riu, ndërsa shton se kur shërben në zona me vila në periferi të Tiranës kthehet kryesisht duar bosh edhe pse rruga është më e gjatë.
Ndërkohë që për pjesën më të madhe të qytetarëve lirimi i masave është përkthyer në më shumë mundësi dhe për shpërndarësit puna ka rënë.
“Në prill kishim 13-14 porosi në ditë. Tani rrimë mbajmë murin”, thotë Edi, shpërndarësi i akulloreve, ndërsa nxjerr nga një kuti që ngjan si e sajuar cigare të dredhura vetë.
Numër të ulur porosish ka edhe Sageri, që thotë se sidomos ata që kërkonin perime apo produkte të tjera në shtëpi tani mund të dalin dhe blejnë vetë në dyqane.
Në rrugët e Tiranës megjithatë shpërndarësit i sheh shpesh. Njësoj si më herët ata janë të pa kujdesshëm ndaj dritave në semaforë dhe po ashtu nuk ngurojnë të futen në parakalime të vështira. Në këtë pikë ata sidoqoftë i ka ndihmuar bllokimi i qarkullimit.
“Pas orës 5.30 kënaqesh se janë rrugët bosh, as trafik as gjo,” shpjegoi Visi.