Lajm22 Feb 2018

Ballkani ka mbetur në vend në luftën ndaj korrupsionit, thotë ekspertja e Transparency

Ekspertja e Transparency International për Europën Juglindore, Cornelia Abel, tha në një intervistë për BIRN se Ballkani nuk ka bërë progres të dukshëm, për shkak të 'kapjes së shtetit' dhe dobësimit të gjykatave.

Autor: Filip Rudic BIRN
Printo

Harta e korrupsionit të perceptuar nga Transparency International

Shkaku kryesor i korrupsionit të patrajtuar në Ballkan mbetet ndikimi i figurave politike, zakonisht të afërta me bizneset apo krimin e organizuar, tha Cornelia Abel pranë Transparency International dhe një ish-këshilltare rajonale për Europën Juglindore.

“Kjo lidhje rrezikon ose në disa raste edhe pengon shumë sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushtetit”, tha Abel në një intervistë për BIRN përpara publikimit të raportit vjetor global të Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2017, i publikuar të mërkurën, rendit 180 vende bazuar te niveli i perceptimit të korrupsionit në sektorin publik sipas ekspertëve dhe biznesmenëve.

Ai rendit vendet nga 0 pikë [si shumë të korruptuara] deri në 100 [si më pak të korruptuarat]; gjetjet e këtij viti zbuluan se më shumë se dy të tretat e vendeve kanë marrrë nën 50 pikë, me një rezultat mesatar prej 43 pikësh.

Indeksi tregon një rënie për vendet e Ballkanit në krahasim me vitin e kaluar, por sipas Abel, kjo vjen si “gabim statistikor”.

“Nga 2016 deri në 2017 asnjë nga nga vendet e rajonit, apo kudo në botë, nuk ka pasur një përmirësim ose ulje të ndjeshme [në vlerësim],” tha Abel.

Sipas saj, duke parë rezultatet nga viti 2012 deri në 2017, kuptohet se vendet e Ballkanit kanë mbetur në këtë fushë.

Përveç “kapjes” së sistemeve politike nga zyrtarë të fuqishëm, ajo citon shtypjen e institucioneve të pavarura, një gjyqësor të varur dhe zbatimin e dobët të ligjit si problemet kryesore në Ballkan.

Abeli ​​e quajti Serbinë shembullin e një “sistemi politik të kapur”, duke përmendur ndikimin e tepruar të presidentit, Aleksandët Vuçiç.

“Serbia… po kthehet në një shembull kryesor se si një person në pushtet po influencon gjithë të tjerët”, tha ajo.

Serbia pësoi një rënie me pesë vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, nga 72 në 2016 në 77 në vitin 2017, por Abel thotë se lufta kundër korrupsionit në Serbi nuk ka përparuar në të vërtetë.

Ajo përmendi disa pengesa specifike, si përpjekjet për të kufizuar aksesin e lirë në informacionet e rëndësisë publike dhe emërtimin e një drejtori të lidhur me partinë në pushtet në Serbi në krye të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Shqipëria, kaloi nga vendi 83 në vendin e 91, ia doli të përparojë falë luftës ndaj korrupsionit të nivelit të ulët në sektorin publik, por Abel thotë se më shumë punë duhet të bëhet për çështje më të mëdha si korrupsioni në gjyqësor.

Bosnje-Hercegovina, e cila zuri të njëjtin vend me Shqipërinë në të dyja vitet, “është një rast i pastër i ngecjes”, ku nuk pati ndryshime reale për 10 vitet e fundit, thekson ajo. “Është nga ato vendet që bëjnë një hap para dhe dy hapa pas,” tha Abel.

Nga të gjitha vendet në Ballkan, Maqedonia ka pasur kalimin më të fortë nga pozicioni i 90 në vitin 2016 në pozicionin e 107 në vitin 2017 – gjë që Abel ia atribuon korrupsionit të lidhur me pushtetin e ish-kryeministrit Gruevski.

“Për fat të mirë, Gruevski nuk e mori më pushtetin dhe ka shumë shpresa për qeverinë e re,” theksoi ajo.

Bullgaria dhe Kosova janë të vetmet vende që kanë përparuar krahasuar me vitin e kaluar. Bullgaria kaloi nga vendi 75 në vendin 71 dhe Kosova u rrit nga pozicioni 95 në vendin e 85. Por Abel nënvizon se një ndryshim njëvjeçar nuk është statistikisht i rëndësishëm.

“Duke folur për përmirësim, nuk përputhet tamam me nivelin e lartë të korrupsionit të perceptuar në sondazhet e ndryshme që partnerët tanë në Kosovë kanë kryer së fundmi,” tha ajo.

Sa për Bullgarinë, nuk ka “një strukturë efektive anti-korrupsion”, pasi ligji i shumëpritur kundër korrupsionit nuk ia doli të jepte rezultate, shtoi Abel.

Ajo tha se në Kroaci problemet janë përkeqësuar. Sipas Abel ka pasur dobësim të institucioneve të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile dhe rezultetet e Kroacisë është përkeqësuar që nga anëtarësimi në Bashkimin Europian në vitin 2013.

Mali i Zi mbetet i vetmi vend që nuk ka bërë përmirësime, pasi ka mbajtur vendin e 64; Abel tha se tentativa e grushtit të shtetit në vitin 2016 “ndaloi disi përpjekjet kundër korrupsionit”.

Rumania, e cila ra nga vendi 57 në vendin e 59 në renditje, bie në sy për protesta masive të vitit të kaluar kundër korrupsionit, si dhe për ndjekjen penale të të akuzuarve për korrupsion, kryesuar nga kryeprokurorja Laura Kovesi.

“Qëllimi është që qytetarët të interesohen të mbikëqyrin qeverinë dhe institucionet e tyre”, tha Abel.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se nuk është e mjaftueshme që një institucion i vetëm të kryejë punën, por duhet bërë nga “sistemi në tërësi”.

Transparency International theksoi gjithashtu lidhjen midis korrupsionit, lirisë së fjalës dhe shoqërisë civile.

Abel citoi të dhënat nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, kur tha se 368 gazetarë vdiqën ndërsa raportonin lajme në vitin 2012 dhe 96 për qind e këtyre vdekjeve ndodhën në vende të renditura dobët në perceptimin e korrupsionit.

Ajo thotë se Transparency ka vënë re “më shumë agresivitet ndaj gazetarëve dhe presion të shtuar në shoqërinë civile,” në shumë vende të Europës Lindore.

“Kjo… i shtohet një mjedisi ku zyrtarët e korruptuar, biznesmenët e dyshimtë dhe figura të krimit të organizuar veprojnë pa u ndëshkuar, sepse mungon mbikëqyrja e pavarur,” përfundoi ajo.