Të dhënat e sistemit bankar të publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se disa degë apo agjenci bankare janë mbyllur gjatë viteve të fundit, ndërsa numri i punonjësve ka pësuar një rënie të lehtë.
Sektori bankar në Shqipëri mbylli 18 degë ose agjenci gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa shkurtoi forcën punëtore me 88 vetë në reflektim të konsolidimit të tregut në një numër më të vogël bankash dhe të mungesës së perspektivës për rritje të aktivitetit tregtar të këtij sektori.
Të dhënat statistikore të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se 16 bankat e marra sëbashku kishin aktivitet në 480 njësi shërbimi në të gjithë territorin e vendit në qershor 2018, nga 498 njësi shërbimi që kishte në qershor të vitit 2017. Në vitin 2016, bankat kishin një rrjet prej 509 pikash shërbimi, ndërsa në vitin 2015 kishte 514 degë.
Paralelisht me shkurtimin e degëve apo agjencive, bankat kanë reduktuar edhe numrin e punonjësve. Të 16 bankat e marra sëbashku kishin 6868 punonjës në qershor 2018, ose 88 vetë më pak se sa një vit më parë. Në qershor 2016 sektori kishte 6940 punonjës.
Të dhënat e tremujorit të dytë 2018 mbi sistemin bankar janë publikuar në faqen e internetit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, një grup interesi i sektorit bankar. Mbylljet e degëve dhe pakësimi i punonjësve deri në qershor duket se nuk përfshin pasojat e mundshme në numër degësh dhe punonjësish që pritet të kenë blerjet përmes bashkimit të Veneto Banka nga Intesa San Paolo apo blerja e NBG Bank nga ABI Bank. Deri në qershor në Shqipëri operonin 16 banka. Të mërkurën, Intesa San Paolo njoftoi përfundimin e procesit të përthithjes së të drejtave, detyrimeve dhe marrëdhënieve kontraktuale të bankës Veneto si dhe fshirjen përfundimtare nga regjistri tregtar i Veneto Bank.
Kjo ishte një bankë e hapur në vitin 1991 në Shqipëri si bankë e qeverisë së Kosovës në emigrim ndërsa iu shit një grupi italianësh shumë vite më parë. Në fund të qershorit ajo kishte 25 miliardë lekë asete ose 1.8% të tregut. Gjithashtu të martën, ABI Bank njoftoi përfundimin e procesit të bashkimit me NGB bank pasi e bleu atë qershorin e kaluar. NGB ishte një bankë e themeluar në vitin 1995. Me daljen e dy bankave nga tregu, numri i operatorëve ulet në 14 nga 16.
Aktiviteti i sektorit bankar në Shqipëri ka pasur një rritje të ngadaltë ose stanjacion përgjatë viteve të fundit. Në qershor 2018, asetet e sektorit bankar ishin 1.44 trilionë lekë me një rritje minimale prej 1.4% në krahasim me një vit më parë.