Lajm17 Jun 2019

Basha refuzoi si të paligjshme ftesën, prokuroria e quan shmangie

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar si të pambështetur në ligj ftesën për paraqitje të Prokurorisë së Tiranës për t’i komunikuar atij akuzat për falsifikim e pastrim parash mbi hetimet pë paratë e shpenzuara për lobim në SHBA. Prokuroria pretendon se ftesa ishte e plotë dhe e quan refuzimin si shmangie.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha refuzoi të hënën  kërkesën e prokurorisë për tu paraqitur dhe për t’iu njoftuar akuzat, duke e cilësuar atë  si të pambështetur në Kodin e Procedurës Penale.

Në ftesën për paraqitje të Prokurorisë së Tiranës thuhej se Bashës do i komunikoheshin akuzat  e parashikuara nga nenet 287/ç dhe 190/3 të Kodit Penal, që kanë të bëjnë me “pastrim parash” dhe “falsifikim dokumentesh”.

Prokuroria i nisi hetimet pas një investigimi të BIRN që gjeti se Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollarë për një kompani lobimi në Uashington dhe dështoi të bënte transparencë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që njëra prej transfertave u bë nga një kompani guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Më datë 13 qershor, një faksimile e pafirmosur e një dokumenti me titull “ftesë për paraqitje”, por që kishte emrat e tre prokurorëve të çështjes që po hetojnë shpenzimet e Partisë Demokratike për lobim në SHBA në vitin 2017, u shpërnda në media, për të njoftuar se të hënën e kësaj jave, Prokuroria e Tiranës kishte thirrur kreun e PD-së Lulzim Basha për t’i njoftuar dy akuza. Përveç Bashës, për këtë çështje janë proceduar edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi.

Të hënën në një qëndrim për të tre të thirrur Partia Demokratike refuzoi kërkesën me pretendimin se njoftimi i organit të akuzës nuk përmbush detyrimin ligjor të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale, pasi sipas tij “duhet të përmbajë parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e kryera deri në atë çast”.

Ai po ashtu e konsideron të pavlefshëm njoftimin e Prokurorisë së Tiranës dhe në fund shprehet se është i gatshëm të paraqitet nëse ftesa për paraqitje plotësohet ashtu si e detyron ligji.

Basha e cilësoi hetimin e ndaj tij si të urdhëruar nga Edi Rama, duke e akuzuar atë se kishte “një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike”. Basha e cilësoi aktin si një veprim në dëshpërim “për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet”.

Ndërkohë dy prej prokurorëve të çështjes, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako, i thanë BIRN se pretendimet e Bashës për ftesën për paraqitje nuk qëndronin. Ata pohuan se kërkesa për njoftim ka qenë e rregullt dhe se; nëse Basha do të kishte pretendime mund të vinte në prokurori dhe t’i paraqiste ato.

“Ai është njoftuar për veprimet hetimore. Është subjektive nëse e konsideron të shkruar shkurt ose në mënyrë të hollësishme. Mund të vinte dhe ne do t’i jepnim patjetër një kopje të plotë të akteve dhe mund të binim dakort për të zhvilluar një seancë tjetër evektive”, pohoi prokurori Gjergji Tako, i cili e ka hetuar këtë çështje që prej regjistrimit të procedimit penal.

Edhe prokurori Ervin Karanxha sqaroi se kërkesa për njoftim ka format fiks dhe mbajti të njëjtin qëndrim me kolegun Tako. “Ka akte që ai i ka marrë më parë. Vjen tek prokurori dhe aty i paraqet pretendimet. Kjo është shmangie”, pohoi për BIRN prokurori Ervin Karanxha. Të dy prokurorët sqaruan se për vijimësinë e veprimeve do të mblidhet grupi hetimor dhe do të vendoset në bazë të procedurave përkatëse.

Hetimi për këtë çështje u njoftua në nëntor 2017 nga Prokuroria e Tiranës, në lidhje me disa kontrata të Partisë Demokratike për kompani konsulence në SHBA. Partia Demokratike e udhëhequr nga Basha lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, “Stonington Strategies”, pjesë e Muzin Capitol Partners. Muzin Capitol Partners LLC është themeluar nga Nicolas Muzin, një këshilltar strategjik dhe zëvendës-shef shtabi për senatorin Republikan, Ted Cruz gjatë fushatës së tij për President në vitin 2016.  I trajnuar si mjek dhe jurist, Nick Muzin ka punuar gjithashtu si shef stafi i senatorit Tim Scott, kur ky i fundit ishte në pozicionin e kongresmenit.

Në prag të zgjedhjeve të qershorit 2017, Basha siguroi një takim të shkurtër dhe fotografi me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilën Muzin e paraqit si një sukses së kompanisë së tij.

Në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, “Stonington Strategies” deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD.

Ndërsa Partia Demokratike ka pasur një qëndrim tjetër lidhur me këto fakte. Sipas raportit vjetor të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo e fundit deklaron se gjatë vitit 2017 në total ka shpenzuar 26.4 milionë lekë në konsulenca, nga të cilat Muzin Capitol Partners – kompania mëmë e Stonington Strategies ka përfituar vetëm 3.1 milionë lekë (25,000 USD).

Vendimi i prokurorisë për të thirrur dhe marrë të pandehur Bashën vjen në një situtaë tensioni politik në vend, pasi PD dhe LSI dy forcat kryesore opozitare dogjën mandatet e deputetëve dhe kanë organizuar një sërë protestash kundër qeverisë.

PD dhe LSI po ashtu kanë refuzuar të hyjnë në zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa akuzojnë Ramës se përdori krimin e organizuar për të blerë zgjedhjet e vitit 2017. Duke iu referuar po ashtu një dosje të prokurorisë për hetim të narkotrafikut, por kur rezultuan në përgjime edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, përfshi kryebashkiakun aktual të Durrësit.

Një seri përgjimesh të publiukuara nga e përditshmja gjermane BILD rreth zgjedhjeve të pjeshme vendore në Dibër po ashtu iu bashkangjitën situatës së tensionuar në vend.