Lajm15 Mar 2019

BE e SHBA thirrje për vetëpërmbajtje para protestës së opozitës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësia e Bashkimit Europian ritheksuan kundërshtimin për djegien e mandateve nga opozita, ndërsa bënë thirrje për protestë paqësore.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Një protestues i opozitës duke valëvitur një flamur amerikan gjatë protestës së 5 marsit 2019 në Tiranë. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Një ditë para protestës së lajmëruar të opozitës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësia e Bashkimit Europian, bënë deklarata ku kërkohet shmangie e dhunës, ndërsa dënuan sërish djegien e mandateve prej opozitës.

Dy deklaratat të publikuara në rrjetet sociale në të njëjtën kohë u kërkojnë mbështësve të opozitës të frenohen nga “nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike”. Po ashtu ato mbështesin vendimin e kandidatëve në listat e PD dhe LSI për të zënë vendet e lëna bosh në parlament.

“Ndërkohë që, ata ish anëtarë të Parlamentit të cilët vendosën të braktisin mandatet, hoqën dorë nga detyrimet e tyre ndaj qytetarëve shqiptarë, duhet të lejojnë ata që duan të punojnë për të ardhmen e vendit të bëjnë punën e tyre”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga ambasada e SHBA.

Në të njëtën deklaratë Ambasada e SHBA përshëndet reformën në drejtësi dhe thotë se “i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht”.

Ndërkohë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ndërsa thekson rëndësinë “e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar”, bën thirrje që portesta të jetë paqësore. “Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në deklaratë.

Aty përsëritet se BE e konsideron vendimin për heqjen dorë nga mandatet parlamentare si pengesë serioze për “funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE”.

Thuajse në të njëjtën frymë si deklarata e SHBA edhe ajo e BE thekson rëndësinë e vijimit të reformave, ndërsa bën thirrje që të “kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara”.