Komisioni Europian do të prezantojë të martën një strategji të re zgjerimi për gjashtë vende të Ballkanit – një përpjekje e parë gjerësisht si motivim për të vazhduar ndjekjen e axhendës së BE-së.
Komisioni Europian do të paraqesë të martën strategjinë e re për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, në një përpjekje për t’i dhënë procesit një nxitje të re.
Dokumenti i KE, i titulluar “Perspektiva e Besueshme e Zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, do të paraqitet në një seancë plenare të Parlamentit Europian në Strasburg.
Ai synon të afrojë me anëtarësimin të ashtuquajturën ‘gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor” – Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Strategjia, të cilën BIRN e ka parë para publikimit, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të hyjnë në Bashkimin Europian, por “jo në gjendjen ku ata janë sot”.
“Që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare, veçanërisht në sundimin e ligjit, konkurrencën, bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin”, theksoi dokumenti.
Në të thuhet se sundimi i ligjit “duhet të forcohet ndjeshëm” dhe se pjesë kyçe të ekonomive të rajonit nuk janë konkurruese, “me shumë ndërhyrje të panevojshme politike dhe një sektor privat të pazhvilluar”.
Ai gjithashtu deklaron se ekzistojnë ende mosmarrëveshje të rëndësishme midis vendeve dhe theksoi se “bashkimi me BE-në është një opsion”.
“Bashkimi Europian mbetet i përkushtuar ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor,” tha në Tiranë Komisioneri Europian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, kur njoftoi publikimin e strategjisë në shkurt.
Sipas një raporti të publikuar në rubrikën e Ballkanit Perëndimor më 22 janar, strategjia do të përfshijë udhëzime të përgjithshme për një proces më të shpejtë integrimi për gjashtë vendet, si dhe datat më specifike të vlerësimit për Malin e Zi dhe Serbinë.
Financial Times gjithashtu raportoi të premten se pritet që Komisioni Europian të martën t’i bëjë thirrje ‘gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor’ të zgjidhin mosmarrëveshjet e mbetura dhe të luftojnë korrupsionin – një përpjekje për zgjidhur problemet që janë hasur te anëtarët e tjerë të rinj në dekadën e fundit .
Ndonëse e pabotuar, strategjia tashmë ka shkaktuar kontraversitet, pasi Spanja ka insistuar që Kosova duhet të përjashtohet nga planet.
“Kosova nuk është pjesë e procesit të zgjerimit dhe ka kornizën e vet të ndryshme”, tha ministria e jashtme spanjolle në një letër joformale dërguar Komisionit të BE-së, raportoi portali EUObserver më 30 janar.
Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, nga frika se kjo mund të inkurajojë separatizmin brenda kufijve të saj. Ndërhyrja e saj erdhi mes krizës së shkaktuar nga lëvizja e pavarësisë së Katalunjës.
Marko Kmeziç, një studiues i lartë në Qendrën për Studime të Europës Juglindore në Universitetin e Gracit në Austri, e quajti ndërhyrjen e Spanjës “një lajm të keq për rajonin”.
Kmeziç tha gjithashtu se kjo mund të ketë pasoja negative për normalizimin në vazhdimësi të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe për zvogëlimin e besueshmërisë dhe mekanizmave të BE-së për të drejtuar procesin.
Megjithatë ai sugjeroi se katër vende të tjera anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Greqia, Sllovakia, Qipro dhe Rumania – nuk kanë gjasa të mbështesin Spanjën.
“Nuk besoj se do të ndjekin shembullin e Spanjës pasi lidhet më tepër me politikën e brendshme, duke reflektuar tendencat separatiste të disa provincave spanjolle, më së shumti në Katalunjë”, argumentoi ai.
Kmeziç tha se megjithëse qëllimi primar i strategjisë së re është të rritë besueshmërinë e procesit të integrimit, ai mund të ketë efekte të tjera, potencialisht të padëshiruara.
“Po të kujtojmë kërkesën e Malit të Zi për të hyrë në NATO dhe grushtin e shtetit të udhëhequr nga Rusia si përpjekje për të minuar synimet e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mund të supozojmë se influenca e Rusisë do të rritet kur Ballkani Perëndimor t’i afrohet anëtarësimit në BE. Por ky mbetet veçse spekulim,” tha Kmeziç.
Ai shtoi se rëndësi ka të përafrohen vendet me politikat e jashtme të BE-së, përfshirë pikëpamjet për Rusinë.