Këshilltari i Presidentit Donald Trump për Sigurinë Kombëtare, John Bolton tha në Kiev se Shtetet e Bashkuara nuk do të përjashtojnë apo kundërshtojnë shkëmbime territoriale mes Serbisë dhe Kosovës, nëse të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje mbi to.
John Bolton, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të premten se Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë kontroverse për shkëmbim territorial mes Serbisë dhe ish-krahinës së saj, Kosovës.
“Politika e Shteteve të Bashkuara është se nëse të dy vendet mund të punojnë me njëri-tjetrin dhe të arrijnë një marrëveshje, ne nuk do të përjashtojmë korrigjimin e kufinjve,” tha ai në Kiev të Ukrainës të premten.
“Ne nuk do të bëhemi pengesë dhe unë mendoj se askush në Europë nuk duhet të bëhet pengesë, nëse të dy palët në mosmarrëveshje arrijnë një zgjidhje të kënaqshme për të dyja,” shtoi Bolton.
Bolton është zyrtari më i lartë i Shteteve të Bashkuara që adreson çështjen e ndarjes, e cila mori vrull pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tregoi ngurrim për të thënë përfundimisht nëse një shkëmbim i mundshëm territorial do të ishte i pranueshëm për Uashingtonin.
Bolton ishte shprehur kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova në vitin 2008, shumë kohë përpara se të bëhej këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare.
Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Europian e njohin pavarësinë e Kosovës në kufinjtë e saj ekzistues. Megjithatë Serbia nuk e njeh-dhe mban nën kontroll shumicën e Veriut të populluar kryesisht nga serbët.
Lidershipi i Serbisë, përfshi presidentin Aleksandar Vuçiç, mendohet se po nxit mundësinë e shkëmbimit territorial si një mënyrë për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes dhe ecjen përpara në aspiratën për t'u integruar në Bashkimin Europian. Por kjo ide po përballet me kundërshtimin e opozitës serbe, shumë prej serbëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe të kancelares gjermane, Angela Merkel.