Protestuesit u mblodhën në kryeqytetin suedez ndërsa Çmimi Nobel për Letërsi i jepej autorit austriak Peter Handke, të cilin ata e akuzojnë për mbështetje të Sllobodan Millosheviçit dhe mohim të mizorive të kryera gjatë luftës.
Qindra protestues, kryesisht boshnjakë, u mblodhën disa blloqe larg vendit ku po mbahej ceremonia e çmimit Nobel në Sallën e Koncerteve të Stokholmit të martën kundër vendimit për dhënien e çmimit për letërsi për vitin 2019 shkrimtarit austriak Peter Handke, duke shprehur zemërimin për pikëpamjet e tij për luftën e viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë.
Adnan Mahmutoviç, një profesor universiteti në Stokholm i cili organizoi protestën, tha se nderimi i Handkes me këtë çmim “dëmtonte dinjitetin e viktimave të luftës në Bosnje”.
Christina Doctare, një doktoreshë suedeze që mori Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1988 si anëtare e Forcës së Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, e ktheu mbrapsht çmimin e saj në shenjë proteste të martën për shkak se Akademia nderoi me këtë çmim Handken.
“Kam qenë krenare për Akademinë më parë. Çmimi Nobel ishte diçka shumë e rëndësishme për Suedinë çdo vit. Tani ndihem e turpëruar dhe fajtore”, tha Doctare në tubim.
Munira Subasiç, presidente e shoqatës Nënat e Srebrenicës dhe Enklavës së Zepës, tha në tubim se Akademisë Suedeze, e cila zgjedh fituesit e Nobelit, duhet t’i vijë turp për veprimet e saj.
“Me këtë protestë, ne po dërgojmë po kërkojmë ndalimin e përhapjes së gënjeshtrave”, tha Subasiç.
Në të njëjtën kohë me protestën, në Stokholm u mbajt një mbledhje në mbështetje të Handkes dhe Akademisë Suedeze, e organizuar nga shoqatat serbe nga Suedia.
Në të morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të shoqatës Gratë – Viktima të Luftës nga Republika Srpska.
“Handke ka përcjellë të vërtetën në veprimet e tij, një e vërtetë që mbetet për brezat e ardhshëm dhe ne e mbështesim atë, si dhe të gjithë njerëzit që flasin si duhet dhe që mendojnë me mendjen e tyre”, tha presidentja e shoqatës, Bozica Zivkoviç Railiç, për RTRS, televizioni publik në Republikën Srpska.
Ceremonia e Çmimit Nobel u bojkotua nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Kosova në shenjë protestë për nderimin e Handkes me këtë çmim.
Turqia gjithashtu e bojkotoi ceremoninë dhe Maqedonia e Veriut nuk dërgoi një përfaqësues, edhe nuk e përshkroi masën si një bojkot.
Handke ka shprehur dyshime për mizoritë e kryera nga forcat serbe të Bosnjës gjatë rrethimit të Sarajevës dhe për masakrat e Srebrenicës, dhe në vitin 1997 ai shkroi atë që shihet si një libër pro-serb për luftërat ballkanike me titull “Një udhëtim nëpër lumenj: Drejtësi për Serbinë”.
Në vitin 2006, kur Sllobodan Millosheviç vdiq gjatë gjyqit të tij për krime lufte, autori austriak mbajti një fjalim në funeralin e liderit serb në qytetin e tij të lindjes Pozarevac.
Është mësuar gjithashtu se ai ka marrë pasaportë jugosllave nën regjimin e Millosheviçit.
Akademia Suedeze e ka mbrojtur vendimin e saj polemik për dhënien e çmimit Handkes, autorit të romaneve të ndryshme të vlerësuara nga kritika dhe skenarit të filmit të Wim Wenders “Wings of Desire”.
Mats Malm, kreu i Akademisë Suedeze, tha se Handke kishte bërë “komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta”, por nuk kishte lavdëruar dhunën apo kishte mbështetur masakrat e Srebrenicës, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Handke nuk pranoi të diskutonte për këtë polemikë në një konferencë për shtyp që ai mbajti të premten, teksa tha: “Mua më pëlqen letërsia, jo opinionet.”
Më shumë se 58,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet duke kërkuar që çmimi i Handkes të revokohet.
Disa gazetarë që raportuan për luftën në Bosnje gjithashtu kanë folur kundër çmimit, duke ndarë në Tëitter kujtimet e tyre për mizoritë e kryera gjatë konfliktit duke përdorur hashtagun #BosniaWarJournalists.