Lajm12 Jan 2021

Bosnjës i kërkohet të ndihmojë emigrantët në mes “krizës humanitare” të dimrit

Emigrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit po përballen me një "krizë humanitare" në kushtet e dimrit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme, paralajmëruan organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Autor: Danijel Kovacevic BIRN Banja Luka
Printo

Emigrantë në kampin Lipa. Foto: BIRN.

Organizatat e të drejtave të njeriut Amnesty International, Jesuit Refugee Service Europe, Medecins du Monde Belgique dhe Refugee Rights Europe kërkuan të martën nga autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë që të sigurojnë mbështetje emergjente për emigrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit.

Grupet e të drejtave thanë në një deklaratë të përbashkët se rreth 2,500 njerëz, duke përfshirë 900 banorë të një kampi tashmë të mbyllur në Lipa në Bosnjën veriperëndimore, kanë mbetur pa strehë dhe në kushte të rrezikshme në të ftohtë pasi autoritetet nuk po sigurojnë strehim të duhur.

“Ka në dispozicion akomodim për të strehuar shumicën e njerëzve që aktualisht flenë në temperatura të ftohta në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo që mungon është vullneti politik për ta realizuar këtë. Autoritetet në të gjitha nivelet duhet të sigurojnë menjëherë strehim dhe ndihmë të përshtatshme për ata në nevojë”, tha në deklaratë Eve Geddie, drejtoreshë e Zyrës së Institucioneve Europiane të Amnesty International.

Në deklaratë u tha se BE-ja ka dhënë mbi 88 milion euro ndihmë për Bosnjën dhe Hercegovinën për ta ndihmuar atë të menaxhojë çështjen e emigrantëve dhe refugjatëve gjatë tre viteve të fundit, por vendi nuk ka arritur të ofrojë akomodim të përshtatshëm, të marrë përsipër përgjegjësinë e plotë për menaxhimin të mjediseve ekzistuese ose të sigurojë mbështetje minimale për njerëzit që janë bllokuar në vend.

Shumë prej atyre që ishin në rrezik u strehuan në kampin e përkohshëm në Lipa, i cili u mbyll më 23 dhjetor. Gjatë mbylljes së tij aty ra zjarr dhe kjo e bëri zonën të pabanueshme.

Gjatë fundjavës, autoritetet ngritën dhjetëra çadra, por rreth 400 njerëz mbeten në streha të improvizuara pavarësisht borës së madhe dhe temperaturave që pritet të bien në ditët në vijim.

Jashtë kampit Lipa, shumë njerëz, duke përfshirë familje me fëmijë, vazhdojnë të kërkojnë strehim në parqe, shtëpi të braktisura, fabrika të shkatërruara dhe pyje afër kufirit me Kroacinë, tha deklarata.

“Përgjegjësia e BE-së është e qartë – kriza aktuale humanitare është gjithashtu pasojë e politikës së BE-së për forcimin e kufijve të saj që ka lënë mijëra njerëz të bllokuar në periferinë e saj ose në vendet fqinje”, tha Geddie.

BE-ja i ka bërë thirrje autoriteteve që të sigurojnë që barra e krizës së emigrantëve të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë vendin.

Por Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe boshnjake, përsëriti të martën se nuk do të ngrihen kampe për emigrantët në Republikën Srpska me shumicë serbe.

Ai shtoi se ua kishte shprehur qartë qëndrimin e tij të hënën Josep Borell, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.

“Është shumë e rëndësishme t’i përmbahemi politikës sonë që ne nuk duam të pranojmë emigrantë në territorin e Republikës Srpska”, tha Dodik për agjencinë së lajmeve SRNA.

Ai tha se emigrantët nuk janë problemi i Bosnjës, por i BE-së, “dhe ajo duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për atë problem”.