Blog9 Dec 2020

Degradimi gradual por i dukshëm i policisë drejt dhunës

Vrasja 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga një oficer policie që tashmë është arrestuar, nuk është arsye për të konsideruar fajtore të gjithë policinë. Por disa ngjarje përgjatë dy viteve të fundit mund të konsiderohen sinjale që i paraprinë një ngjarjeje të tillë, sinjale të cilat duhet të luftohen sa nuk është vonë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qytetarë të Tiranës po protestojnë kundër dhunës policore në këtë foto të 9 dhjetorit 2020. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në prill të vitit 2019, policia e shtetit përdori gaz lotsjellës për të thyer rezistencën e banorëve të disa shtëpive në Bregun e Lumit në Tiranë, të cilët nuk dëshironin shembjen e shtëpive të tyre pa një dëmshpërblim të drejtë. Ishte një sinjal që tronditi një numër të kufizuar shqiptarësh. Në nëntor 2019, nën gaz lotsjellës përfunduan banorët e Unazës së Re. Kanë apo nuk kanë të drejtë banorët e këtyre banesave për të protestuar kjo është një çështje më vete. Por ajo që vlen të theksohet se në të dyja rastet, qytetarëve të prekur iu mohua e drejta që t’i kërkonin gjykatave të shqyrtonin ankesat e tyre ndaj urdhrave administrativë të lëshuara nga qeveria që kërkonin shembjen e banesave të tyre.

Kushdo që njeh sadopak kushtetutën dhe parimin se vendimet e qeverisë duhet të jenë të shqyrtueshme nga një gjyqësor i pavarur, themel ky i shtetit të së drejtës, do të duhej të alarmohej për këtë sulm ndaj lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe mohim të së drejtës për t’u dëgjuar në një gjykatë e pavarur nga qeveria për një ankesë ndaj një urdhri administrativ të qeverisë.

Por kur këto shkelje zbatohen nga policia duke bombarduar me gaz lotsjellës qytetarët në shtëpitë e veta, atëherë vendi ka një problem edhe më të madh, faktin që kjo dhunë policore ka mbetur e pahetuar.

Rastet e dhunës policore ndaj qytetarëve kanë qenë disa gjatë vitit që po mbyllet dhe në të gjitha rastet duket se nuk ka pasur hetime as nga vetë policia dhe as nga prokuroria për të vlerësuar së paku nëse dhuna ka qenë e justifikuar, proporcionale apo jo. Protestuesit kundër shembjes së teatrit u rrahën në atë që dukej se ishte një përdorim taktik i dhunës nga policia kundër protestës dhe jo në mbrojtje të institucioneve. Një pesëmbëdhjetëvëjeçar u rrah nga disa policë, të cilët i lejuan vetes të imponojnë me dhunë ndalim-qarkullimin. Ndërsa faqja në Facebook e Policisë së Shtetit duket se shumë shpesh mbart njoftime që ngjajnë të karakterit propagandistik dhe dizinformues, dukshëm në mbështetje të qeverisë, njoftime që cenojnë imazhin e policisë si një forcë jopartiake.

Paralelisht me këto, ky shtim i dhunës policore është shoqëruar herë pas here me një retorikë aspak të përshtatshme justifikuese, të llojit “po bëjmë shtet” dhe me spektakle banale të gjoja një lufte të pa kompromis me krimin, luftë që prodhon shkresurina dhe spektakle të përditshme por jo ndonjë dhimbje të madhe për krimin.

Me të ashtuquajturin Akti Normativ Nr. 1., policët duket se i kanë dhënë të drejtë vetes herë pas here të ndalojnë qytetarët pa shkak në rrugë, jo aq shumë për të zbatuar ligjin apo për të luftuar krimin, se sa për të demonstruar forcën e pushtetit.

Në Poloni, vend që ka në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë një histori shteti policor, qytetarët kanë një shprehje: “Qytetar hajde këtu!” Pra, kur një polic i jep të drejtë vetes të urdhërojë qytetarin, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, si fjala vjen, dyshimi për një krim apo ndodhja e një krimi në zonën përreth, atëherë kemi arsye të dyshojmë se në fakt, policia po tregon dhëmbët, jo në luftë me krimin, por në mbrojtje të pushtetit.

Nuk është e vërtetë që policia shqiptare ka një kulturë dhune, siç është rasti i policisë në shumë qytete në Shtetet e Bashkuara. Që prej dy dekadash, policia ka qenë në gjendje të përmirësojë në mënyrë progresive marrëdhëniet me qytetarët, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në këtë kontekst, nuk mund të themi se policia duhet të luftojë kulturën e dhunës, por shqetësimi është që rastet e dy viteve të fundit duhet të hetohen dhe të ndëshkohen në kohë, para se qytetarët të fillojnë të shohin te çdo polic një dhunues potencial, apo akoma më keq, një person që mund të hapë zjarr ndaj një qytetari të paarmatosur.

Në vitin 1998, në Belgjikë, Ministri i Brendshëm i vendit Louis Tobback dha dorëheqjen pasi dy policë ekstraduan me dhunë një emigrante nigeriane, e cila vdiq pasi polici i ngjeshi një jastëk në fytyrë në përpjekje për ta vënë nën kontroll. Ndoshta është koha që dikush të frymëzohet nga ky shembull sepse dorëheqja e Tobback dha mesazhin e duhur për secilin prej të gjithë anëtarëve të forcave të policisë.