Lajm2 Jul 2019

Deputetët e Kosovës nuk miratojnë rezolutën e Thaçit për Preshevën

Një rezolutë e propozuar dhe e paraqitur nga presidenti Hashim Thaçi, e cila sugjeron se tri komuna jugore serbe me shumicë shqiptare duhet të bëhen pjesë e Kosovës, nuk ka arritur të miratohet në parlament.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Parlamenti i Kosovës. Foto: BIRN

Deputetët e Kosovës të hënën në mbrëmje nuk arritën të miratonin projekt-rezolutën e Hashim Thaçit e cila propozoi që bashkitë me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Luginën e Preshevës në Serbinë jugore të bashkohen me Kosovën.

Rezoluta nuk u miratua për shkak të mungesës së kuorumit në parlament.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, nëpërmjet kësaj rezolute, janë të detyruara të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur në referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin,” tha projekt-rezoluta.

“Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë kërkesa që ndihmojnë stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe kontribuojnë në vendosjen e paqes afatgjatë në rajon,” shtoi ajo.

Në një referendum lokal në Luginën e Preshevës në vitin 1992, një shumicë votuan për autonomi territoriale dhe të drejtën për t’u bashkuar me Kosovën. Vota nuk u njoh si e vlefshme nga Beogradi apo nga komuniteti ndërkombëtar.

Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte një forcë guerile e shqiptarëve etnikë që kërkonin të bashkonin Serbinë jugore me Kosovën në fund të viteve 1990, por u çarmatos në vitin 2001 pas një marrëveshjeje paqësore të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht.

Zoran Stankoviç, kreu i organit të qeverisë serbe për Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën, e hodhi poshtë nismën e Thaçit.

“E kam thënë një milion herë se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë e Serbisë dhe se kjo do të vazhdojë të mbetet kështu,” tha Stankoviç të hënën, njoftoi agjencia e lajmeve Tanjug.

Rezoluta e Thaçit u propozua gjatë një seance të jashtëzakonshme të mbajtur për të diskutuar situatën në tre komunat serbe.

Deputetët ranë dakord se situata për banorët e Luginës së Preshevës po përkeqësohej dhe se institucionet e Kosovës duhej të merrnin masa për ta trajtuar këtë.

Ata gjithashtu mbështetën idenë se çështja e Luginës së Preshevës duhet të bëhet pjesë e negociatave të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Po aq të drejta sa kanë serbët në Kosovë, në përpjestim me numrin e banorëve, duhet t’u jepen edhe shqiptarëve që jetojnë në luginë,” tha Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës gjatë seancës parlamentare.

Koalicioni qeverisës në Kosovë nuk e ka shumicën në parlament kështu që rezoluta nuk ka gjasa të miratohet në ditët në vijim.