Lajm7 Apr 2021

Deputeti i Kosovës thirrje Shqipërisë që të ofrojë vaksinat e saj për COVID-19

Ndërsa vaksinimi në Kosovë vazhdon me ritme shumë të ngadalta, një deputet i opozitës i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë që të ndihmojë duke hapur qendra vaksinimi në Shqipëri për shtetasit e Kosovës.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Qender vaksinimi ne Prishtine. Foto: BIRN/Urim Krasniqi

Një deputet i opozitës në Kosovë i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të hapë qendra vaksinimi për qytetarët e Kosovës në një kohë kur Kosova ka një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit kundër COVID-19 në Evropë.

“Unë dua të vaksinohem me çdo vaksinë me të cilën po vaksinohen bashkatdhetarët e mi shqiptarë. Dhe si unë, ka shumë në Kosovë që e dëshirojnë këtë”, tha Xhavit Haliti, një deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, të martën në Facebook.

Thirrja e tij vjen dy ditë pasi Ministri i ri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se autoritetet e Kosovës kishin refuzuar një ofertë nga Shqipëria për të vaksinuar mësuesit e Kosovës.

Kosova ka një nga nivelet më të ulta të vaksinimit në Evropë, me vetëm 24,000 doza të marra deri më tani përmes mekanizmit COVAX. Këto janë duke u përdorur për punonjësit shëndetësorë dhe për personat mbi 80 vjeç. Qeveria thotë se po përpiqet të blejë vaksina të tjera.

Javët e fundit, Shqipëria ka kthyer vëmendjen e saj te vaksinat ruse, me kryeministrin Rama që njoftoi më 5 prill se kishte arritur një marrëveshje për të marrë 50,000 doza të tjera të vaksinës Sputnik të Rusisë, dy javë pasi mori një donacion të njëjtë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ministri Vitia konfirmoi se Kosova kishte marrë një ofertë “bujare” nga kryeministri i Shqipërisë për të vaksinuar mësuesit, javë pasi rreth 500 punonjës të kujdesit shëndetësor të Kosovës u vaksinuan në Shqipëri. Por ai përmendi kufizimet ligjore pas refuzimit.

“Për fat të keq, Shqipërisë i kanë mbaruar vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca kështu që ekzistojnë vetëm Sinovac i prodhuar nga kinezët. Edhe nëse do të dëshironim, ligjet na ndalojnë të importojmë produkte që nuk janë regjistruar nga EMA”, shtoi Vitia.

Deputeti i PDK-së Haliti nuk ishte i bindur nga ky justifikim dhe fajësoi për mungesën e vaksinave në Kosovë “neglizhencën nga ana e institucioneve”.

“Veproni sa më shpejt që të jetë e mundur, ashtu si bëtë me punonjësit e kujdesit shëndetësor, për të shpëtuar jetën e njerëzve. Na ndihmoni ta kalojmë këtë sfidë që ka goditur njerëzimin”, i shkroi Haliti Ramës.