Analize5 Nov 2021

Dështimi i serave me domate ngre pikëpyetje mbi sigurinë e farërave në Shqipëri

E kultivuar masivisht në dhjetëra hektarë sera në Berat dhe Fier, kultivari i domates “Ozkan F1” zhgënjeu pritshmërinë e fermerëve dhe u shkaktoi atyre miliona lekë dëme. Fermerët fajësojnë farën, por ministria bën zyrtarisht përgjegjës vapën dhe kultivuesit.  

Autor: Erjola Azizolli, Valbona Davidhi BIRN Berat dhe Fier
Printo

Foto ilustruese nga Pixabay.

Fuat Vesho, 48 vjeç, fermer nga Goriçani  i bashkisë Dimal në qarkun e Beratit, e kuptoi që puna po shkonte keq në serën e tij aty nga fundi i shtatorit, kur domatet e mbjella nuk po lidhnin kokrra.

Fermer prej dekadash, Vesho i numëroi kokrrat rrënjë për rrënjë dhe doli që prodhimi nuk ishte i duhuri. Përveç prodhimit të paktë, domatja e farës hibride “Okgan F1” filloi të shfaqte shenja të kalbjes dhe një mori problemesh të tjera.

Pa mbyllur ciklin, Vesho vendosi ta pastronte serën dhe të shkulte me rrënjë domatet e mbjella, për të kultivuar diçka tjetër me të cilën shpreson të mund të paguajë punëtorët, lekët e plehërimit dhe shpenzimet e tjera.

“Gjashtë hektarë tokë me domate shkoi në kanal,” tha Vesho me dëshpërim për BIRN.

Fermeri nga Goriçani nuk është i vetëm dhe qindra fermerë të tjerë që mbollën kultivarin “Ozkan F1” në serat e Fierit dhe Beratit, patën të njëtin fat. Sipas Ervin Resulit, një përfaqësues joformal i kultivuesve në sera, mbjellja e farës hibride “Ozgan F1” dogji rreth 350 fermerë këtë sezon.

“Dëmi i llogaritur që nga blerja e fidanëve deri në prodhim varion nga 1.5 deri në 1.8 milionë euro,” tha Resuli në një bisedë telefonike.

Prej fillimit të tetorit, fermerët që fajësojnë farën për problemin kanë organizuar disa protesta, duke kërkuar që të merreshin masat dhe të dëmshpërbleheshin.

Por Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një përgjigje zyrtare të publikuar pas një kërkese të BIRN mohoi që farat të kishin probleme, duke iu referuar një raporti të përpiluar nga Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, QTTB dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Raporti ia lë përgjegjësinë vapës dhe vetë fermerëve për dështimin.

Misteri i farës ‘Ozkan F1”

Sipas INSTAT, bujqësia në Shqipëri është një kontribues i rëndësishëm me gati 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria pretendon gjithashtu se sektori ka shënuar një rritje të vazhdueshme të prodhimit dhe eksporteve.

Domatja është produkti kryesor i eksportuar nga Shqipëria me një peshë prej gati 20.7% të totalit. Më pas renditen prodhimet e pjeprit dhe shalqirit, kastraveci dhe zarzavatet.

Eltinor Mahmutaj, drejtori i Agjensisë Rajonale Bujqësore në Fier i tha BIRN se nga 200 hektarë sera në zonën e Roskovecit, 40 hektarë ishin mbjellë me farën “Ozkan F1”.

Në zonën e Beratit, nuk ka ende një përllogaritje të hektarëve që ishin mbjellë me këtë lloj të domates, por dhjetëra fermerë janë ankuar se kanë pësuar dëme të mëdha.

Arben Dyli, fermer dhe grumbullues, thotë se domatja e ka goditur rëndë përpjekjen e tij për të mbajtur në këmbë punën.

“Kisha mbjellë shtatë hektarë me domate, por prodhimi i këtij sezoni nuk arriti që të nxjerrë as shpenzimet, sepse nuk kishte rezultat, kokrrat nuk u poqën dhe nuk mund ta nxirrje as në treg këtu dhe jo më të pretendoje për eksport,” tha Dyli.

Fermerë fajësojnë farën për mungesën e prodhimit dhe cilësinë e dobët të tij, ndërsa thonë se mbetën pa përgjigje për një kohë të gjatë dhe se askush nuk i verifikoi dëmet që pësuan.

“Ne i njohim të gjitha pikat e tregëtimit të bimëve. Kemi vite që punojmë me ta. Kubikët e këtij sezoni nuk kishin asnjë ndryshim nga të mëparshmit, ndaj çështja duhet parë tek farat,” shtoi Dyli.

Për specialistin e mbrojtjes së bimëve, Adrian Rama, mungesa e pranisë së shtetit dhe institucioneve të ngritura për këtë qëllim është ajo që i ka ekspozuar fermerët para dështimit.

“Kishte fidanë që kalonin 5 vjet eksperimente deri sa nxirreshin për kultivim masiv. Tani kjo nuk ndodh. Farërat dhe fidanët certifikohen nga Enti i Farërave pa kaluar ndonjë test dhe në fund e ‘paguajnë’ fermerët,” tha Rama.

Agronomët në pikat e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, të cilat ndodhen kryesisht në zonat me sera mbledhin njësoj supet.

“Puna që ne bëjmë nuk ndryshon nga sezoni në sezon. Janë të njëjtat fara të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe ne i blejmë në pikën e madhe në Durrës dhe me to punojmë. Nëse farat kanë pasur probleme, ky nuk është faji jonë,” tha një agronom në një pikë tregtimi bimësh në Dimal, duke kërkuar që të mos i përmendet emri.

Jo të gjithë megjithatë kanë pasur të njëjtën eksperiencë. Një prej agronomëve që kishte tregtuar “Ozkan F1” këmbënguli gjatë një bisede telefonike se problemi nuk kishte qenë fara, por vapa. Agronomi foli me BIRN në kushtet e anonimatit.

Deni Ago, i cili punon pranë një farmacie bujqësore në Mollas të Elbasanit, tha në një bisedë telefonike se ai kishte provuar rreth 500-600 rrënjë të farës dhe ato kishin dalë në rregull dhe pa probleme. “Nuk e di çfarë ka ndodhur,” tha Ago lidhur me rastin.

Ndërkohë, edhe raporti i publikuar të enjten më 4 nëntor nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në faqen online, i përpiluar nga Andrea Muça dhe Dhimitër Qorri nga QTTB Lushnje, Ilir Salillari nga QTTB Fushë Krujë dhe Prof Dr. Shpend Shahini, për Departamentin e Mbrojtjes së Bimëve, Universiteti Bujqësor i Tiranës, thotë se fara ishte pa probleme.

“Fuqia mbirëse e farave ishte në masën 99%. Farat dhe fidanët ishin të pastër nga patologjitë virale,” thuhet në raport.

Më tej, raporti lë të kuptohet se faji për dështimin është i fermerëve dhe i verës së thatë e të nxehtë. “Temperaturat e larta dhe lagështia ajrore e ulët për një periudhë të gjatë (gjithë verës) si dhe mosrespektimi i afateve të mbjelljes në përputhje me kërkesat e këtij hibridi, ka krijuar stres tek bimët e mbjella, mundësinë për uljen e vitalitetit të pjalmit, e reflektuar kjo në mosfrutifikim,” shkruhet në raport.

Megjithatë, mjaft fermerë nuk janë të bindur me shpjegimin.

Në një video të publikuar nga FaxNews, fermerët tregojnë dy rreshta me domate në të njëjtën serë me prodhim të ndryshëm. Fermerët thonë se në një krah është mbjellë “Ozkan F1” dhe në krahun tjetër jo më larg se 60 centimetra në distancë, një farë tjetër me prodhim të mirë. “Po kjo nuk kishte vapë,” pyet njëri prej tyre.

Në emër të kultivuesve, edhe Ervin Resuli tha se analizat nuk ishin bindëse. Ai theksoi se për ditë të tëra, fermerët kishin parë vetëm një faksimile të pafirmosur të raportit të nxjerrë në media dhe se ai nuk shoqërohej me fletë analizash.

“Ajo që qarkulloi në media një dokument, pa kokë, pa datë pa firmë nuk është përgjigje sqaruese. Ne kërkojmë analiza të gjenomit të farës, për të kuptuar nëse është F1, F2 apo F10”, tha ai.

Institucionet shmangin përgjegjësinë

Sera të domateve në Berat. Foto: Eriola Azizolli.

Fermerët besojnë se dështimi i tyre me mbjelljen e dytë të serave mund të ishte parandaluar, nëse institucionet e kontrollit do të kishin vepruar në kohë.

“Ka një sërë institucionesh që nuk kanë funksionuar, që nga AKU, Enti i Farërave, një ushtri të tërë me agronomë të Ministrisë së Bujqësisë, që duhet të veprojnë për të mos lejuar që një dëm i tillë t’i ndodhë fermerit,” tha Resuli.

Njësoj edhe Arben Dyli thotë se e ka ndjerë mungesën e institucioneve shtetërore dhe ende nuk e di se çfarë ka ndodhur.

“Nuk po kuptojmë asgjë. Ne kemi humbur punën dhe fitimet e një sezoni të tërë dhe shteti që i ka të gjitha mundësitë me institucionet e tij e nuk bën asgjë,” tha ai.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Berat, i cili ka përgjegjësi të bëjë kontrolle në aktivitetin e tregtimit të Materialit Mbjellës dhe Shumëzues Bimor (MNSHB), thotë se inspektimet nuk kanë munguar.

Sipas AKU Berat, janë kryer 351 inspektime në aktivitetin e MNSHB për vitet 2019, 2020 dhe 6-mujorin e parë të këtij viti, gjatë së cilave ishin vendosur 5 gjoba për një shumë prej 740 mijë lekësh. Gjobat si pas AKU-së rajonale ishin vendosur “për mangësi në tregtimin e materialeve të paetiketuara, tregtim të materialeve të pashoqëruar me etiketë në gjuhën shqipe, tregtim të materialeve  me tregues cilësor, (fuqi mbirëse) jashtë normës së lejuar”.

AKU pranon megjithatë se nuk kishte pasur informacion apo bërë më herët inspektime për farën “Ozkan F1”. Vetëm pasi u denoncua problemi, AKU thotë se mori mostra të farës dhe i dërgoi tek Enti Shtetëror i Farërave dhe Fidanëve në lidhje me fuqinë mbirëse të bimës.

Edhe drejtuesi i Agjensisë Rajonale Bujqësore në Fier,  Eltinor Mahmutaj thotë se nuk kishin pasur dijeni të problemit më herët. Mahmutaj sqaroi gjithashtu se ky është rasti i parë i regjistruar ku fidanët rezultojnë të dështuar.

“Ne nuk kemi raste të ngjashme të mëparshme të regjistruara. Pavarësisht se ka patur ankesa nga fermerët si rasti i misrit një vit më parë, nuk kemi regjistruar rast si ky i domates “Ozkan F1”, tha ai.

Mahmutaj thotë se ata nuk kanë asnjë tagër që të kontrollojnë farëra apo fidanë dhe kryesisht kanë rol këshillues. Ai shtoi se fidani “Ozkan F1” ishte hedhur në treg vetëm një vit më parë.

“[U mbollën] Diku te 600-700 rrënjë dhe doli i mirë. Këtë vit u mboll masivisht, por nuk e dimë çfarë  ka ndodhur, ishte i certifikuar nga Enti i Farërave,” shtoi ai.

Të tjera zyra të lidhura me bujqësinë thonë se kanë rol këshillues dhe nuk e gjejnë veten të përfshirë në proces.

“Për rastin nuk kemi pasur kërkesë nga ana e fermerëve për këshillim, pasi zyra vepron vetëm në rast kërkesash. Ajo çfarë mund të ofrojmë është vetëm këshillimi,” tha Adriatik Serani nga zyra e Ekstensionit Bujqësor në Berat, dikur drejtoria e Bujqësisë.

Edhe zyrat e bujqësisë pranë bashkive thonë se janë pa rol në këto raste. “Në ndërhyjmë vetëm në raste emergjente siç janë përmbytjet dhe në këto raste 48 orë më pas, mbajmë raporte dhe ia përcjellim ministrisë përkatëse, vetëm kaq,” tha Fatime Plaku, agronome pranë bashkisë Dimal.

Gjithë kjo situatë i lë fermerët e serave në pasiguri. Të penalizuar me humbje të mëdha që askush nuk i verifikoi dhe pa shpresë për dëmshpërblim, fermerët tani i kanë sytë tek sezoni i ardhshëm.

“Unë kam bërë mbjelljet e reja me domate dhe perimet e tjera, por me frikë jemi deri sa të bëhen për prodhim,” tha Dyli, ndërsa kujtoi se i paguan prej vitesh taksat por kur u përball me një problem “askush nuk ishte aty”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *