Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar ndalimin e dhjetëra personave, pasi dyshohet se janë përgjegjës për punimet jocilësore të pallateve të cilat u dëmtuan gjatë lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit.
Policia e Shtetit ka ndërmarrë të martën një operacion të gjerë në Tiranë për ta ndaluar dhjetëra persona, për të cilët Prokuroria ka dyshime se janë përgjegjës për dëmet që ju shkaktuan ndërtesave në Tiranë dhe Vorë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Një zëdhënëse e Prokurorisë së Përgjithshme i tha BIRN të martën në mbrëmje se është duke vazhduar operacioni për ndalimin e personave të dyshuar si përgjegjës për punimet jo cilësore të ndërtesave që janë dëmtuar nga tërmeti.
“Nesër(të mërkurën) do të ketë komunikim pasi do vijojnë arrestimet”, shpjegoi zëdhënësja, e cila shtoi se të ndaluarit pritet të jenë më shumë se 24. Në kryeqytet zonat më të dëmtuara ishin Komuna e Parisit, Yzberishti, Porcelani dhe Vora.
Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë, ndërkohë që qindra ndërtesa u dëmtuan duke u kthyer në të pabanueshme dhe mijëra vetë u lanë të pastrehë.
Kjo është vala e dytë e arrestimeve për dëmet dhe viktimat nga tërmeti. Më 17 dhjetor të vitit 2019, Gjykata e Durrësit la në burg 9 personat e arrestuar si përgjegjës për shembjen e ndërtesave që shkaktuan viktima pas tërmetit në qytetin bregdetar. Të akuzuarit, disa zyrtarë dhe ndërtues të godinave që u shembën, akuzohen për “shpërdorim detyre”, “ndërtim të paligjshëm”, “falsifikim” dhe “vrasje me dashje”.