Analize14 Sep 2020

Ditëlindja e trishtuar e Kombeve të Bashkuara

Ndërsa Kombet e Bashkuara festojnë këtë vit 75-vjetorin e krijimit, pandemia po i pengon liderët botërorë të mblidhen në Nju Jork për ta festuar këtë gjë dhe për të marrë pjesë në hapjen Asamblesë së Përgjithshme. Në fakt, pandemia na ndihmon të ilustrojmë përse OKB-ja nuk është e aftë të organizojë dhe menaxhojë bashkëpunimin ndërkombëtar që i nevojitet urgjentisht botës.

Autor: Richard N. Haass Project Syndicate Nju Jork
Printo

Flamuri i Kombeve të Bashkuara. Foto: Wikipedia.

Këtë vjeshtë Kombet e Bashkuara mbushin 75 vjeç dhe nëse ky do të ishte një vit normal, shumë nga udhëheqësit botërorë do të mblidheshin në Nju Jork për të festuar këtë moment historik dhe për të hapur takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme.

Por ky vit nuk është aspak normal. Nuk do të ketë asnjë mbledhje për shkak të COVID-19 – dhe edhe nëse do të kishte, do të kishte pak arsye për të festuar. Kombet e Bashkuara nuk i kanë përmbushur qëllimet e tyre për “ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, “zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis kombeve” dhe “arritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare”.

Pandemia na ndihmon për të ilustruar se përse. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, përbërësi më i rëndësishëm i sistemit të Kombeve të Bashkuara, është bërë i parëndësishëm. Kina ka bllokuar çdo rol të rëndësishëm për organin ekzekutiv të Kombeve të Bashkuara që të mos kritikohet për keqmenaxhimin fillestar të shpërthimit të pandemisë dhe që të mos mbahet përgjegjëse për pasojat. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë është dobësuar akoma më tej nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’u tërhequr nga kjo e fundit. Rezultati është që fuqitë e mëdha kanë Kombet e Bashkuara që ata dëshirojnë, jo organizatën që i duhet botës.

Kjo s’është asgjë e re. Gjatë katër dekadave të Luftës së Ftohtë, Kombet e Bashkuara u bënë një fushë për rivalitetin SHBA-Bashkimi Sovjetik. Fakti që Lufta e Ftohtë nuk u bë e nxehtë  ishte më pak për shkak të asaj që ndodhi në në Kombet e Bashkuara sesa të parandalimit bërthamor dhe një ekuilibri të pushtetit që detyroi një kujdes të konsiderueshëm në sjelljen e SHBA-së dhe të Bashkimit Sovjetik . Rasti kryesor kur OKB-ja ndërhyri për të ruajtur paqen ndërkombëtare – duke u angazhuar për të krijuar një forcë ndërkombëtare për të përmbysur agresionin e Koresë së Veriut kundër Koresë së Jugut – ajo mundi ta bënte këtë vetëm sepse Bashkimi Sovjetik po e bojkotonte atë.

Kishte shpresa të mëdha se Kombet e Bashkuara mund të luanin një rol më të madh në pasojat e Luftës së Ftohtë. Optimistët duket se u përligjën në 1990 kur vendet e botës u bashkuan nëpërmjet Kombeve të Bashkuara për të kundërshtuar dhe përmbysur përfundimisht pushtimin e Kuvajtit nga Saddam Hussein.

Mjerisht, Lufta e Gjirit vërtetoi se ishte përjashtim. Lufta e Ftohtë sapo kishte mbaruar dhe marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës dhe Bashkimit Sovjetik ishin relativisht të mira. Kishte pak dashuri për diktatorin e Irakut, agresioni i të cilit shkelte normën themelore ndërkombëtare që kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Dhe qëllimi i koalicionit të bekuar nga Kombet e Bashkuara, të udhëhequr nga SHBA-ja ishte i kufizuar dhe konservator: të dëbonte forcat Irakiane dhe të rivendoste status quo-në në Kuvajt, jo të ndryshonte regjimin në Irak.

Kushte të tilla nuk mund të përsëriten lehtë. Marrëdhëniet e fuqive të mëdha u përkeqësuan ndjeshëm dhe Kombet e Bashkuara u bënë gjithnjë e më të parëndësishme. Rusia (e cila trashëgoi vendin e Bashkimit Sovjetik në Këshillin e Sigurimit) parandaloi veprimin e unifikuar për të ndalur gjakderdhjen në Ballkan. Mungesa e mbështetjes ndërkombëtare motivoi administratën e presidentit George W. Bush që të anashkalonte Kombet e Bashkuara kur hyri në luftë me Irakun në vitin 2003. Opozita ruse pengoi çdo veprim të Kombeve të Bashkuara kur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshëm Krimenë në vitin 2014.

Kombet e Bashkuara gjithashtu nuk arritën të parandalonin gjenocidin në Ruandë në 1994. Një dekadë më vonë, Asambleja e Përgjithshme, duke u zotuar se nuk do ta lejonte kurrë më këtë gjë, deklaroi se bota kishte “Përgjegjësinë për të Mbrojtur”, ose për të ndërhyrë, kur një qeveri nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte të mbronte qytetarët e saj nga dhuna në shkallë të gjerë.

Kjo doktrinë kryesisht është shpërfillur. Bota ka qëndruar duarkryq para konflikteve të tmerrshme që kanë bërë që qindra mijëra civilë të vdesin në Siri dhe Jemen. Një shembull kur u thirr doktrina, në vitin 2011 në Libi, ajo u diskreditua sepse koalicioni i udhëhequr nga NATO-ja që vepronte në emër të saj shkoi më tej sesa kërkonte doktrina duke rrëzuar qeverinë ekzistuese  dhe duke krijuar një vakum pushteti që vazhdon ta mundojë vendin.

Kjo nuk do të thotë se Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë. Kjo ofron një vend të dobishëm ku qeveritë të ulen dhe të bisedojnë, qoftë për të shmangur ose qetësuar një krizë. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë promovuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror dhe kanë ndërmjetësuar marrëveshje duke filluar nga telekomunikacioni e deri te monitorimi i objekteve bërthamore. Misionet paqeruajtëse kanë ndihmuar në ruajtjen e rendit në shumë vende.

Por në përgjithësi Kombet e Bashkuara kanë zhgënjyer, për shkak të rivaliteteve të mëdha të pushtetit dhe ngurrimit të vendeve anëtare për të hequr dorë nga liria e veprimit. Mangësitë e vetë organizatës nuk kanë ndihmuar: një sistem që vë shumë njerëz në pozicione të rëndësishme për mungesë aftësie, mungesë përgjegjësie dhe hipokrizie (si në rastet kur vendet që shpërfillin të drejtat e njeriut ulen në një organ të Kombeve të Bashkuara që mbështet këto të drejta).

Reforma rrënjësore e Kombeve të Bashkuara nuk është një opsion realist, pasi ndryshimet e mundshme, të tilla si ndryshimi i përbërjes së Këshillit të Sigurimit për të reflektuar shpërndarjen e pushtetit në botën e sotme, do të favorizonin disa vende dhe do të dëmtonin disa të tjera. Nuk është habi që ata që rrezikojnë të humbasin mund dhe do ta bllokonin një ndryshim të tillë.

Ndërkohë, Asamblesë së Përgjithshme, më “demokratikja” dhe përfaqësuesja e strukturave të Kombeve të Bashkuara, i mungon guximi dhe bëhet joefektive për sa kohë që çdo vend ka një votë, pavarësisht nga madhësia, popullsia, pasuria ose fuqia e tij ushtarake.

Ajo që e bën këtë një krizë është se nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar është e madhe. Ne përballemi jo vetëm me ringjalljen e rivalitetit të madh të pushtetit, por edhe me sfida të shumta globale, duke filluar që nga pandemitë dhe ndryshimet klimatike e deri te përhapja e lëndëve bërthamore dhe terrorizmi, për të cilat nuk ka përgjigje të njëanshme.

Lajmi i mirë është se vendet mund të krijojnë alternativa – të tilla si G7 dhe G20 – kur Kombet e Bashkuara nuk i përmbushin objektivat. Koalicionet e shteteve të duhura, të gatshëm dhe të aftë mund të bashkohen për të trajtuar sfida specifike rajonale dhe globale. Ne po shohim versione të kësaj në politikat tregtare dhe kontrollin e armëve dhe mund të shohim edhe në masa klimatike dhe në krijimin e normave për sjelljen në hapësirën kibernetike. Çështja e multilateralizmit dhe qeverisjes globale është më e fortë se kurrë. Por, për mirë ose për keq, ajo do të duhet të zhvillohet kryesisht jashtë Kombeve të Bashkuara.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The UN’s Unhappy Birthday