Investigim28 Dec 2018

E treta e vërteta; akuzat publike rihapin hetimet ndaj biznesmenit Mond Bega

Për herë të tretë në 8 vjet, organi i akuzës po merr në sitë pasurinë e biznesmenit kontrovers Mond Bega – i dënuar një dekadë më parë në Itali për krim të organizuar dhe trafik lëndësh narkotike, i cili gjendet në qendër të akuzave të opozitës për ndikim të paligjshëm tek zyrtarë të lartë për përfitimin e lejeve të ndërtimit dhe të tenderëve publik.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Vizualizim i aseteve, kompanive dhe projekteve të biznesmenit Mond Bega

Tre muaj më parë, Prokuroria për Krime të Rënda njoftoi se do të fillonte një hetim pasuror të bazuar në ligjin anti-mafia ndaj biznesmenit Mond Bega – i njohur gjithashtu me emrat Edmond Bego dhe Manoli Bega.

Bega ka qenë gjatë muajve të fundit ne qendër të akuzave nga Partia Demokratike – e cila shprehet se biznesmeni, dikur i dënuar për trafik lëndësh narkotike dhe organizatë kriminale në Itali, qëndron pas një projekti ndërtimi prej 60 milionë eurosh në Tiranë, për realizimin e të cilit është ndryshuar plani urbanistik i qytetit dhe kërcënohen të shemben qindra shtëpi pranë shtratit të lumit Lana.

Ai u ndalua për disa ditë në gusht nga policia greke në Korfuz, bazuar në një urdhër arresti të vjetër italian dhe akuzohet gjithashtu se ka përfituar tenderë publikë në mënyrë të paligjshme, falë lidhjeve me eksponentë të lartë në Partinë Socialistë.

Hetimi i filluar nga Prokuroria për Krime të Rënda ndaj biznesmenit Bega nuk është i pari. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që biznesmeni është hetuar të paktën dy herë të tjera nga organi i akuzës – në vitin 2010 dhe 2013-të, për akuzat e ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’ dhe sipas parashikimeve të ligjit ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit përmes masave parandaluese kundër pasurisë.’

Hetimi i filluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është mbyllur pasi prokurori Valentin Prençi ka arritur në përfundimin se nga analizave e faktet dhe provat e administruara nuk provohet ekzistenca e veprës penale, ndërkohë 5 vjet më vonë kolegu i tij në Prokurorinë për Krime të Rënda, Kudusi Shahu ka vendosur mosfillimin e procedimit penal pasuror pas një referimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

I pyetur nga BIRN për akuzat e Partisë Demokratike si dhe hetimet e rihapura të prokurorisë, Bega tha se ishte i hapur ndaj çdo hetimi të organit të akuzës, nuk do të merrte më pjesë në prokurime publike dhe nuk kishte lidhje me projektet e bashkisë për sistemin e lumit të Lanës, ndërkohë që e akuzoi opozitën së është përfshirë në një fushatë diskriminuese për arsye politike.

“Unë sot jetoj në një vend perëndimor dhe mund të tërhiqem nga shumë investime në Shqipëri, por nuk do të tërhiqem nga vënia në vend e dinjitetit ndaj atyre që po hedhin baltë mbi mua dhe familjen time, për një dënim që e kam kryer para më shumë se 10 vitesh,” tha Bega.

Konvertimi i dënimit

Me datë 26 prill 2007, shtetasi Edmond Bego, i njohur gjithashtu në atë kohë si Manoli Bega, është dënuar me 27 vjet e 9 muaj heqje lirie nga Gjykata e Torinos- i ulur sipas nenit 442 të Kodit të Procedurës Penale Italiane në 18 vjet e 5 muaj heqje lire.

Ai është gjetur fajtor për një listë të gjatë akuzash, përfshirë “prodhim dhe trafikim i paligjshëm i lëndëve narkotike, bërjen pjesë në një organizatë që ka për qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, organizimin dhe drejtim i organizatave kriminale.’

Kundër këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit në Torino dhe një vit më vonë, në 22 prill 2008, vendimi i gjykatës së faktit është ndryshuar në 21 vjet burgim dhe në aplikim të nenit 442 – për uljen e 1/3 së dënimit, vendimi është konvertuar në 14 vjet heqje lirie.

Nga avokati i të pandehurit është bërë rekurs në Gjykatën e Kasacionit në Romë, por kjo e fundit ka vendosur mospranimin e rekursit, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit në Torino.

Në vitin 2009, si pasojë e ligjit të amnistisë së përgjithshme në Itali, dënimi i Begos është ulur me urdhër të Prokurorisë së Torinos në 11 vjet burgim.

Në vitin 2009, Ministri i Drejtësisë në Itali i është drejtuar homologut të tij shqiptar për ekzekutimin e vendimit, kërkesë e cila i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe më tej Prokurorisë së Tiranës për njohjen e vendimit në Shqipëri.

Në bazë të marrëveshjes shtesë të Konventës Europiane për Transferimin e Personave të dënuar, në dhjetor të vitit 2009, Gjykata e Tiranës ka nxjerrë një urdhër arresti për shtetasin Edmond Bego, vendim i cili është ekzekutuar me 30 dhjetor 2009.

Kundër vendimit është bërë ankim në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila me 3 shkurt ka lënë në fuqi masën e arrestit. Më pas organi akuzës i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për njohjen e vendimit penal të shtetit italian ndaj Edmond Begos dhe gjykata e ka miratuar kërkesën e prokurorisë duke e konvertuar dënimin në 15 vjet burgim, i cili pas aplikimit të amnistisë dhe uljes së dënimit sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, e redukton heqjen e lirisë në 7 vjet. Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Tiranë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është ankimuar në Gjykatën e Lartë, e cila nëpërmjet vendimit të marrë me 15 gusht 2009, ka vendosur ndryshimin e masës së dënimit në 11 vjet burgim, i cili në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale dhe amnistisë është reduktuar në 4 vjet e 4 muaj.

Hetimet e Prokurorisë

Në maj 2010, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1981, për akuzën e ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale’, kundër shtetasit Mond Bega. Ky procedim penal është pushuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe është rihapur me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme në nëntor 2011, pasi është gjykuar se hetimi fillestar ka lënë pa bërë disa veprime hetimore, në lidhje me një shoqëri ndërtimi të lidhur me të dyshuarin.

Rihetimi i çështjes është kryer nga Prokurori Valentin Prençi dhe është përqendruar në vlerësimin në total të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shoqërisë ‘Romario’ sh.p.k, si dhe të transaksioneve bankare të kryera nga kjo shoqëri gjatë periudhës që ajo ka ushtruar aktivitet tregtar.

Kallëzimi penal kundër Begës është bërë Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, e cila pasi ka marrë informacion se ky shtetas i dënuar për trafikimit të lëndëve narkotike dhe organizatë kriminale, dyshohet se është investitor në shoqërinë ‘Romario’ sh.p.k

Kallëzimi i policisë është motivuar me arsyetimin që investimi në fushën e ndërtimit konsiderohet si një nga format më tipike të pastrimit të parave të rrjedhura nga krimi. Për këtë arsye nga Prokuroria hetimi ndaj shtetasit Mond Bega është shtrirë edhe ndaj shoqërisë ‘Romario’, tek ortakët dhe administratorët e saj.

Hetimi i kësaj kompanie ështëpërqendruar në lëvizjet në llogaritë bankare, kreditë e marra, të dhënat e bilanceve  vjetore. Pjesë e hetimit ka qenë dhe lidhjet e kësaj kompanie me shtetasin Mond Bega dhe familjarët e tij me shoqërinë e ndërtimit, pronarët dhe administratorët e saj.

Për këtë qëllim, bazuar dhe në rekomandimet e Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, janë ndërmarrë disa akt-ekspertime financiare mbi pasurinë e të dyshuarit Bega dhe kompanisë së ndërtimit ‘Romario’.

Nga dokumentacioni i mbledhur dhe nga akti i ekspertimit ka rezultuar se shoqëria ‘Romario’  është themeluar në vitin 2005, me seli në Sarandë, me aktivitet në fushën e ndërtimit dhe të inerteve. Në vitin 2006, kjo shoqëri ka lidhur një kontratë sipërmarrje për një truall me sipërfaqe prej 19,530 m2. Në këtë kontratë është futur në cilësinë e investitorit edhe shtetasi Mond Bega.

Kjo shoqëri është themeluar nga ortakët Landa dhe Maksim Nebiu, ndërkohë që ky i fundit ka shërbyer edhe si përfaqësues ligjor i kompanisë. Në 21 janar 2009, këto dy shtetas i sheshin aksionet në masën 100%, për vlerën e tyre nominale prej 100 mijë lekësh, shtetases Mirela Zeraliu. Dy javë më vonë, me datë 9 shkurt 2009, Zeraliu ia shet aksionet për vlerën e tyre nominale shtetasit Viril Llagami, i cili është dhe një nga pronarët e truallit për të cilin është lidhur kontrata sipërmarrëse.

Analiza financiare e bazuar në llogaritë bankare të shoqërisë ‘Romario’, ka zbuluar se kjo kompani ka pasur nga viti 2005 deri në vitin 2011, të ardhura nga klientët dhe të tretët në vlerë 10,7 milionë euro, 622 mijë USD dhe 120.9 milionë lekë. Të ardhurat nga kreditë kanë qenë 2.5 milionë euro dhe 66.2 milionë lekë. Kjo kompani ka përfituar gjithashtu 13,723 euro interesa bankare.

Sipas ekspertit, shtetasi Mond Bego nuk rezulton të ketë qenë kontribues në këtë shoqëri në shumë monetare ose pasuri. Por nga hetimi penal i zhvilluar në lidhje me këtë procedim ka rezultuar se ai është paraqitur si investitor në disa kontrata që ka lidhur shoqëria ‘Romario’sh.p,k me shtetasit pronarë të truallit. Sipas prokurorisë ky  fakt e bën shtetasin Mond Bega të pranishëm në shoqëri dhe në aktivitetin tregtar të saj. Bego rezulton përfitues i një shume prej 270 mijë eurosh nga kompania, të transferuara nga llogarinë e tij me përshkrimin ‘likuidim detyrimi.’

Sipas deklarimeve të dhëna në prokurori nga shtetasi Maksim Nebiu, shtetasin Mond Bega – i njohur ndryshe si Manoli Bega, e ka njohur në vitin 2006 në Sarandë dhe ai i është ofruar si bashkëpunëtor në biznesin e ndërtimeve duke e zgjeruar aktivitetin në qytetin e Tiranës. Dalja e Begës si investitor në kontratën e nënshkruar me familjen Llagami në Tiranë, ka pasur qëllim krijimin e besimit tek pronarët e tokës. Sipas Nebiut, pagesa prej 270 mijë euro në favor të të dyshuarit Bega është bërë për shlyerjen dhe likuidimin e ndërtimeve informale në pronën e familjes Llagami.

Në deklarimet e dhëna në prokurori Viril Llagami, ka shpjeguar se shtetasi Mond Bega ka qenë njohje e vjetër e familjes së tij. Duke qenë se familja Llagami kishte dyshime mbi besueshmërinë e Maksim Nebiut dhe investimit që do të bëhej prej tij në tokën e trashëguar nga kjo familje, trashëgimtarët kanë kërkuar një përfaqësues ‘të paanshëm’ dhe një sigurim për kontratën që kapte një vlerë 30 mijë euro për secilin trung familjar. Kjo pagesë në vlerë totale prej 150 mijë euro është bërë nga shtetasi Mond Bega, pa kontratë ose ndonjë shkresë të thjeshtë. Bega ka deklaruar se kjo shumë ka ardhur nga pagesat e bëra në favor të tij nga llogaria e shoqërisë ‘Romario.’

Në përfundim të hetimit, prokuroi Preçi shprehet se nga analiza e fakteve nuk provohet se jemi përpara veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.

“Ne kishim dyshimet tona në atë periudhë që subjekti që po hetonim, Edmond Bego, ishte i përfshirë në një skemë të pastrimit të parave, duke investuar në ndërtim, dhe disa kompani ndërtimore. Por gjatë hetimit e patëm të pamundur të gjenim prova që të ngrinim akuzë mbi të,” tha për BIRN Valentin Preçi.

Më tej ky i fundit shtoi se pavarësisht se ka një vendim pushimi të hetimeve,në çdo rast dhe çdo kohë Edmond Bego mund të hetohet nga prokuroria për pastrim parash, pasi ky person është subjekt direkt i ligjit anti-mafia, pasi rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Në vitin 2013, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një material për nisjen e hetimit pasuror ndaj shtetasit Mond Bega. Sipas këtij materiale, Bega rezultonte i dënuar për trafik lëndësh narkotike dhe dyshohej se dispononte një piceri në qytetin e Lushnjes, 6 kabina fjetje në plazhin e Divjakës, të ndërtuara në një sipërfaqe 2 mijë metra katrorë, një sipërfaqe prej 3 mijë metra katrorë tokë bujqësore në fshatin Çermë të Lushnjes dhe ishte bashkë-ortak në shoqërinë ‘Romario’ Sh.p.k, e cila merrej me ndërtime në Sarandë dhe Tiranë. Sipas policisë ky shtetas gjithashtu dyshohej se në vitin 2005 ka qenë president i klubit të futbollit të Lushnjes.

Ky referim i policisë është hedhur poshtë nga Prokurori Kudusi Shahu, i cili ka vendosur mosfillimin e hetimeve plot 2 vjet më vonë. Në vendimin e pushimit të hetimeve Shahu shprehet se nga verifikimet pasurore të kryera, shtetasi Mond Bega nuk disponojnë pasuri që të jenë objekt sekuestrimi dhe konfiskimi, sipas kritereve të ligjit anti-mafia.

Në gusht 2018, pas akuzave të Partisë Demokratike se Bega ishte përfitues i tenderëve publik dhe lidhjeve të tij me politikën, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar një procedim të ri pasuror kundër tij, i cili po hetohet nga prokurorja Doloreza Musabelliu.

Edhe pse kanë kaluar 3 muaj nga regjistrimi i këtij procedimi, Musabelliu i tha BIRN se hetimet vazhdojnë të jenë në hapat fillestare.

“Jemi në fazën e mbledhjes së dokumentacionit nga bankat dhe hipotekat e institucione të tjera për të mësuar se çfarë pasurish ka aktualisht dhe më parë Bego,” tha ajo.“Deri në këtë fazë nuk kemi pyetur asnjë person pasi jemi në pritje të analizimit të gjithë dokumentacionit,” shtoi Musabelliu.

I pyetur nga BIRN, biznesmeni Mond Bega u shpreh se e mirëpriste e hetimin pasuror të Prokurorisë, por shtoi se ndaj tij dhe familjes së tij po hidhej baltë nga Partia Demokratike dhe grupe interesi.

“Aspak nuk jam i shqetësuar, përkundrazi. Të dyja rastet e kaluar në hetimin pasuror kanë qenë në kohën e drejtimit nga PD. Prokuroria të kryej detyrën e saj,” tha ai në një përgjigje me shkrim.

“Ajo që nuk do të toleroj është diskriminimi qe i bëhet familjes sime për luftë politike dhe interesa të pista biznesi nga politikanë që janë mësuar të marrin pjesë dhe gjobë në çdo ndërtim në Tiranë apo në çdo tender,” shtoi ai.

Bizneset dhe akuzat

Biznesmeni Mond Bega figuron në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronar ose aksioner në 4 kompani, kryesisht të lidhura me fushën e ndërtimit. Tre kompani janë aktive, ndërsa kompania e katërt, ‘Power Trade Albania’ është e pezulluar.  Ai rezulton pronar i 100 % të aksioneve në kompanitë ‘Inert Express, Alsion Albania dhe Power Trade Albania,’ ndërsa në kompaninë ‘Beton Express 2018,’ rezulton pronar të një pakete të barabartë me 80 % të aksioneve.

Pas ndalimit të biznesmenit Bega nga policia greke në gusht, Partia Demokratike akuzoi Partinë Socialiste, Prokurorinë dhe Policinë e Shteti për lidhje me krimin, duke ngritur pikëpyetje se si një i person i dënuar për trafik lëndësh narkotike ishte transformuar në një biznesmen të fuqishëm ndërtimi. Në mënyrë të veçantë, deklaratat publike të PD-së shënjestronin lidhjen e Begos me kreun e grupi parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në një deklaratë për median me 21 gusht, Balla e pranoi se ai e njihte shtetasin Mond Bega, por mohoi se ai ishte bërë mburojë politike ndaj biznesmenit.

“Personin në fjalë sigurisht që e njoh, njoh bashkëshorten e tij dhe fëmijë të shkëlqyer, nxënës shembullorë moshatarë me tim bir,” tha Balla.

“A ka qenë ligji dhe sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person? Apo ka gëzuar mburojë politike? Dua t’iu them qartë për secilin prej nesh dhe për mua sundimi i ligjit duhet të jetë dhe është një,” shtoi ai.

Një ditë më vonë, më 22 gusht Partia Demokratike deklaroi se kompania ‘Inert Express’ – në pronësi të ‘mikut të Taulant Ballës Mond Bega,’ kishte fituar një tender 99 milionë lekë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes edhe pse nuk kishte eksperience në ndërtimin e nënstacioneve elektrike.  Gjithashtu, biznesmeni akuzohet se ka përfituar dhe një tender nga OSHEE me vlerë 3 milionë USD.

I pyetur nga BIRN, Bega deklaroi se ai kishte marrë pjesë në tenderin e OSHEE si pjesë të një bashkimi kompanish nga e cila kishte hequr dorë, ndërkohë që shtoi se pas akuzave të PD-së firma e tij kishte hequr dorë nga prokurimet publike.

“Subjekti “Inert Expres” që unë kam pronë ka qenë 10% partner pjesëmarrje në këtë tender dhe 90% është firma tjetër që për arsye etike nuk dua ta përmend. Nga momenti i akuzave te drejtuara nga PD në drejtim të subjektit tim kam dhënë dorëheqjen nga pjesa ime prej 10% te aksioneve të këtij tenderi. Ju theksoj  se deri me sot ligji nuk e ndalon subjektin tim të jetë pjesëmarrëse në tenderë publik deri në momentin që ligji të kaloi në parlament,” tha ai.

“Unë kam deklaruar që firma ime s’do të jetë më pjese e firmave pjesëmarrëse në tenderë publik edhe pse është shumë diskriminuese, por thjesht nuk dua të jem më subjekt i PD apo kujtdo partie tjetër politike,” shtoi ai.

Dy muaj më vonë PD iu rikthye akuzave për lidhjen midis Taulant Ballës dhe Begos, duke deklaruar se kreu i grupit parlamentar socialist kishte bërë 57 udhëtime jashtë shtetit me biznesmenin.

Megjithatë, akuzat më serioze ndaj Begos dhe lidhjeve të tij me qeverinë nuk erdhën deri në muajin dhjetor, kur PD e akuzoi këtë të fundit se qëndronte pas një projekti 60 milionë euro ndërtimesh në Tiranë. Sipas PD-së për këtë projekt ndërtimi Bego kishte privatizuar për 1.5 milionë euro një truall pranë shtratit të lumit Lana nga Ministria e Ekonomisë . PD shtoi gjithashtu se në vitin 2017, Bego kishte ndikuar në bashkinë e Tiranës që të modifikonte planin urbanistik të kryeqytetit dhe të ndryshonte rrjedhën e lumit Lana, duke kërcënuar shembjen e 200 shtëpive në mënyrë që të shpëtonte një pjesë të pronës së tij.

Bashkia i kundërshtoi akuzat e PD-së si qesharake, ndërkohë Ministria Ekonomisë deklaroi se nuk kishte kontratë të lidhur me biznesmenin Bego për privatizimin e pronës publike. Bego gjithashtu i tha BIRN se nuk kishte ndikuar në asnjë mënyrë për të ndryshuar planin urbanistik të Tiranës.

“Unë nuk kam lidhje fare me projektet që mund të bëj bashkia për sistemin e lumit të Lanës. Ato janë punë të bashkisë. Unë kam një kontratë për shfrytëzim të tokës së bashkëpronareve Maliq dhe Hamdi Pinari dhe thjeshtë kam bërë një projekt-ide për zhvillimin e pronës ,” tha ai.

Sipas biznesmenit njolla e tokës ku ai do të ndërtojë nuk ka lidhje me projektin e Bashkisë për lumin e Lanës dhe aq më pak me Unazën e Re që është në anën tjetër të Lanës.

“Është thjeshtë një luftë politike e Partisë Demokratike, që në këtë rast është përfshirë në një fushatë diskriminuese ndaj meje si qytetar për arsye politike,” tha Bego.

“Kjo më ka detyruar tashmë të heq dorë dhe nga ky projekt, për të mos u terrorizuar familja dhe fëmijët e mijë, që Lulzim Basha u lakon emrin çdo ditë,” përfundoi ai.