Njëzetë vjet pasi forcat serbe vranë 44 persona në fshatin Reçak në Kosovë, të mbijetuarit presin ende për drejtësi ndërsa historianët kujtojnë një pikë kthese në luftën e zymtë.
Bilall Avdiu hedh hapat ngadalë në një rrugë të ngushtë të fshatit Reçak të Kosovës, duke vizituar vendin ku forcat serbe e kapën dhe gati e vranë atë dy dekada më parë.
72-vjeçari i shpëtoi për mrekulli vdekjes në një grup me njerëz të tjerë më 15 janar 1999, kur forcat serbe hynë në fshat dhe vranë 44 nga fqinjët e tij.
“Unë dhe disa shumica e fqinjëve ishim mbledhur këtu. Ishim mbi 30 burra,” fillon të tregojë ai.
“Kur forcat serbe mbërritën, na nxorën në oborr, na shtrinë në tokë dhe filluan të na godasin. I dëgjuam tek flisnin në radiolidhje duke thënë: Ku t'i vrasim këto apo në kodër?”, rrëfen Bilalli.
Policia i urdhëroi ata të ngjiteshin në kodër “ku kishin planifikuar ekzekutimin”. Atje i priste një skuadër ekzekutimi.
Forcat serbe të sigurimit kishin rrethuar Reçakun dhe filluan ta sulmojnë atë në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999.
Ata hynë në fshat dhe bastisën shtëpitë një nga një. Disa banorë vendas u përpoqën të fshiheshin, por u zbuluan, u rrahën, u morën dhe u qëlluan. Gjithsej 44 fshatarë u vranë.
Serbia fillimisht këmbënguli se viktimat ishin të gjithë luftëtarë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK.
Por William Walker, shefi i misionit të verifikimit të armëpushimit të OSBE-së në Kosovë, i cili vizitoi skenën të nesërmen, e quajti atë një “krim kundër njerëzimit” dhe këmbënguli që viktimat ishin civilë.
Sulmi qe pjesë e aktakuzës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, kundër liderit të ndjerë të Serbisë, Sllobodan Millosheviç. Por nuk u dha asnjë vendim sepse Millosheviç vdiq në vitin 2006, ndërsa ishte në paraburgim.
Komandanti i policisë speciale serbe Goran Radosavljeviç, i njohur ndryshe si Guri, ishte ai që udhëhoqi operacionin famëkeq.
Radosavljeviç, i cili që atëherë ka dalë në pension, por që shërben ende në bordin e Partisë Progresive në pushtet në Serbi, ka mohuar që njerëzit e tij të kenë vrarë civilë, duke këmbëngulur se të gjithë ata që vdiqën ishin terroristë.
Deri së fundmi, hetimi i krimeve të tilla të luftës nuk ka qenë në duart e prokurorëve vendas.
Gjykata e Hagës, si edhe dy misione të njëpasnjëshme ndërkombëtare në Kosovë, misioni i OKB-së, UNMIK, dhe misioni i BE-së, EULEX, ishin ata që merreshin me këtë.
Drita Hajdari, Prokurorja Speciale e Kosovës, kujton se ngjarjet në fshat ishin pjesë e një aktakuze të ICTY-së kundër kolonelit serb në pension Vlastimir Djordjeviç. Ai u dënua me 27 vjet burg në vitin 2011.
Hajdari tha për BIRN se tashmë ishte në vazhdim e sipër një hetim lokal në lidhje me ngjarjet e përgjakshme në Reçak. “Prokuroria Speciale e Kosovës po heton rolin e disa individëve të tjerë në këtë masakër,” tha ajo.
“Mirësevini, terroristë”!
Bilall Avdiu e mban mend zërin e policisë së armatosur serbe.
“Kur shkuam në vendin e ekzekutimit, policia na tha: ‘Mirësevini, terroristë!' Por ne ishim të gjithë civilë, me kryesisht të moshuar mes nesh,” tha Avdiu.
“Ishte shumë ftohtë, njësoj si sot, por me më pak dëborë,” shtoi ai.
Avdiu thotë se kur filluan të shtënat me armë, ai ra përtokë, pa e ditur nëse ndonjë nga plumbat e kishte prekur. Ai qëndroi përtokë me orë të tëra, në mes të trupave të vdekur.
“Ndenja me fytyrën në tokë dhe po prisja të më vrisnin. Pasi të shtënat mbaruan, kuptova që kisha ngrirë. Pas disa orësh, u ngrita. Kur nuk pashë njeri aty, u zvarrita deri në kodra,” kujton ai.
Pasi errësira mbuloi Reçakun, Avdiu vuri re një tjetër të mbijetuar të moshuar dhe i foli. “U përpoqa t'i ofroja cigare, por pastaj që xhepat e xhaketës time ishin plot me vrima plumbash,” tha ai.
Një tjetër plumb i kishte prekur rripin e mesit.
Kur mendoi se e kishte mbledhur veten mjaftueshëm, ai vendosi të kthehej në vendin e krimit, për të kontrolluar nëse dikush tjetër ishte gjallë.
“Kur pashë që të gjithë ishin të vdekur, rashë përtokë aty. Mbeta aty derisa një fqinj erdhi dhe më preku,” tha Avdiu.
Lajmi i ngjarjeve në Reçak u mor vesh ditën tjetër.
Kreu i misionit të OSBE-së denoncon një krim të tmerrshëm
Sapo kreu i Misionit të Verifikimit të OSBE-së, ambasadori i SHBA-së William Walker, hyri në fshat dhe pa tmerrin, ai e quajti menjëherë këtë një “krim kundër njerëzimit”.
Fjalët e tij shkaktuan një reagim të ashpër nga Beogradi. Ditë më vonë, ai u shpall “persona non grata” nga autoritetet e Beogradit.
Njëzet vjet më vonë, Walker, i cili ende shihet si një hero në fshat, thotë se ai shpesh kujton masakrën dhe nuk do të ndryshonte asnjë fjalë në interpretimin e tij fillestar.
“Ky incident, reagimi im ndaj tij dhe reagimi nga qeveria e Serbisë shkaktuan një tsunam ndërkombëtar me raporte për atë që po ndodhte në Kosovë,” tha Walker për Zërin e Amerikës më 12 janar 2019.
“Sa herë që përballem me informacione të reja, i kontrolloj për të parë nëse përfundimi im fillestar ishte i saktë dhe deri më sot, 20 vjet më vonë, jam ende i bindur se vlerësimi që kam dhënë është i vërtetë,” tha ai.
“E di pse shkova në Reçak mëngjesin e 16 janarit. Shkova atje vetëm pas orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë atë mëngjes të acartë trupat dhe atë që u kishte ndodhur atyre burrave dhe djemve. Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme. Ata madje pretenduan se unë shkova atje dhe u ndryshova rrobat më shumë se 40 viktimave duke i shpuar ato me plumba. Këto shpjegime ishin qesharake,” vazhdoi ai.
Kryetari i fshatit Adem Ramadani thotë se banorët e Reçakut do të vuajnë për breza me radhë nga kujtimet e asaj dite.
“Kjo dhimbje do të zgjasë për breza me radhë, e lidhur drejtpërdrejt me humbjen e anëtarëve të familjes së tyre,” tha Ramadani për BIRN. “Në Reçak, të gjithë humbën një familjar ose një të afërm,” shtoi ai.
Megjithatë, ngjarjet e tmerrshme në Reçak të paktën nxitën përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për krizën e Kosovës.
Në shkurt të vitit 1999, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nisën javë negociatash në kështjellën në Rambuje në Francë.
Bisedimet u ndërprenë, sepse delegacioni serb nuk pajtohej me kushtet e një marrëveshjeje.
Bujar Dugolli, një profesor i historisë në Universitetin e Prishtinës, i cili ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambuje, e kujton masakrën si pjesë të një politike të qëllimshme serbe “për spastrimin etnik dhe ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë”
“Është për të ardhur keq që komuniteti ndërkombëtar e mori çështjen e Kosovës më seriozisht pas kësaj masakre,” tha Dugolli për BIRN.
Dugolli thotë se është koha që drejtësia të veprojë. “Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësinë e duhur,” tha ai.
“Misionet e OKB-së dhe të BE-së dhe institucionet e Kosovës nuk kanë bërë atë që duhet të kishin bërë për të hedhur dritë dhe për të sjellë para drejtësisë autorët e Reçakut dhe të krimeve të tjera,” shtoi ai.
Në një të premte të ftohtë, Besim Jakupi mori lopatën e tij dhe filloi të hiqte grumbullin e dëborës së rënë nga kompleksi memorial në Reçak.
Çdo 15 janar, vizitorë nga e gjithë Kosova vijnë për të vizituar fshatin dhe për të shënuar përvjetorin e masakrës.
Jakupi ishte 12 vjeç kur ndodhi masakra. Ai ka një të afërm që prehet në varret pranë tij.
Ai ndjen se Reçak kërkon drejtësi. “Duhet të ketë drejtësi për krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë. Deri më tani, nuk e kemi parë atë drejtësi,” tha Jakupi.