Një tregtar është ekzekutuar dhe një i afërm i tij u plagos nga dy persona të maskuar në pazarin e qytetit të Shkodrës. Fatos Ferracaku dyshohet si viktimë e një cikli krimesh me rreth 6 të vrarë dhe dy të zhdukur, të gjitha pa autorë.
Një 31 vjeçar u bë viktima e 6 e një cikli vrasjesh, që bashkë me disa atentate dhe zhdukjen e dy personave dyshohet se janë të lidhura me njëra tjetrën, që filloi 6 muaj më parë në qytetin e Shkodrës. Fatos Ferracaku i afërm i Arjan Ferracakut i vrarë më 1 shtator të këtij viti, u qëllua sipas policisë mëngjesin e të mërkurrës në vendin e quajtur ‘Merkata Rus’.
Policia njoftoi se “dy persona me motoçikletë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit F.V. 31 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër. Nga të shtënat është plagosur dhe shtetasi F.M., i cili ndodhet jashtë rreziku për jetën nën kujdesin e mjekëve”.
Dëshmitarët thanë se Ferracaku ishte duke punuar kur u qëllua rreth orës 11.15 sëbashku me kunatin e tij i cili u plagos nga të shtënat. Një dëshmitare i tha BIRN se kishte ndaluar për të blerë peshk te tezga e viktimës dhe pasi ishte larguar disa metra ka dëgjuar zhurmën e motorit dhe të shtënat. “Kam bërë 6-7 hapa, kur kam dëgjuar motorin që u ndal. Kam dëgjuar të shtënat. E tronditur kam vrapuar për tu larguar si të tjerët dhe kam kthyer kokën instiktivisht nga të shtënat, kam parë një me skafandër me xhakovento të zezë që ka hipur në motor dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të unazës”, tha gruaja.
Burime të policisë thanë se viktima nuk kishte precedentë penalë. Policia njoftoi se pas ngjarjes ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen ‘Guerrile”.
Vrasja edhe për shkak të lidhjes së gjakut të viktimës me Arjan Ferracakun, i cili u qëllua në një atentat më 1 shtator është lidhur me një seri krimesh që dyshohet se filluan në qershor pas një atentati me eksploziv ku u plagosën 7 persona.
Vrasjet u pasuan me ekzekutimin e një ish-oficeri policie dhe bashkëshortes së tij, zhdukjen e dy personave dajë e nip, vrasjen e Fatbardh Licit i dënuar më herët për vrasje, dhe krime të tjera për të cilat ende nuk ka autorë të ndaluar apo të akuzuar.
Krimi i fundit vjen pasi Policia e Shtetit arrestoi, duke e parë edhe si përgjigje ndaj krimeve, një dyzinë personash të akuzuar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”. Të arrestuarit me akuza për vrasje, trafik narkotikësh dhe fiksim ndeshjes, janë në masa sigurie në burg në Shqipëri, Hollandë dhe Spanjë.
Policia dhe prokuroria e Shkodrës lanë të kuptohej pas arrestimeve në njoftimet për shtyp se ato kishin lidhje me serinë e krimeve të fundit në qytet, por për këto nuk është ngritur ende ndonjë akuzë. Një prej të arrestuarve Astmer Bilali ishte sëbashku me Arjan Ferracakun ditën kur ky i fundit.