Reportazh23 Mar 2020

Emigrantët në Bosnjë “më të cënueshëm ndaj koronavirusit”pavarësisht izolimit

Shumë njerëz në Bosnjë dhe Hercegovinë po izolohen nëpër shtëpi për të mbrojtur veten nga koronavirusi, por emigrantët dhe refugjatët që jetojnë në ndërtesa me kushte të këqija apo nëpër tenda, janë më të prekshëm ndaj infeksionit sepse nuk mund të ndërmarrin të njëjtat masa parandaluese.

Autor: Anja Vladisavljevic, Danijel Kovacevic BIRN Banja Luka, Zagreb
Printo

Kampi i pritjes Bira pranë qytetit të Bihacit. Foto: BIRN

Rrugët e Banja Lukës, qyteti kryesor në entitetin e Republikës Srpska me shumicë serbe në Bosnjë, janë pothuajse bosh. Frika nga koronavirusi ka bërë që shumica e njerëzve të qëndrojnë brenda.

Por disa njerëz në qytet nuk mund të ndërmarrin masa të tilla masive sepse ata janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe ato shtëpi janë disa mijëra kilometra larg nga Bosnja.

Jo shumë larg stacionit hekurudhor i Banja Lukës, BIRN u takua me Ferozin, një emigrant nga Afganistani dhe mikun e tij nga Maroku.

“E kam kaluar pothuajse të gjithë dimrin në një tendë në stacionin e trenit në Tuzla në lindje të Bosnjës. Nuk e bëj dot më këtë. Do të shkoj në Bihac (afër kufirit kroat) dhe do të përpiqem të kaloj për në Kroaci”, tha Feroz.

Ferozi ka dëgjuar për koronavirusin, por tha se nuk ka frikë prej tij. Ai tha se nuk e di që në Bosnjë dhe Hercegovinë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme”.

Republika Srpska kishte 29 raste të konfirmuara me koronavirus deri të enjten dhe 23 prej tyre janë në Banja Luka.

Vendi ka ndërmarrë masa urgjente për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Të gjithë restorantet dhe kafenetë janë të mbyllura dhe vetëm dyqanet ushqimore dhe farmacitë punojnë ende.

Njerëzive këtu u kujtohet çdo ditë që të kujdesen për higjenën personale, të shmangin tubimet publike dhe të mos dalin nga shtëpitë e tyre pa pasur një nevojë urgjente.

Feroz, i cili u largua nga Afganistani tre vjet më parë, shqetësohet se kjo mund ta ndërlikojë udhëtimin e tij për në destinacionin e tij të preferuar, Gjermaninë.

“Nëpër tendat në Tuzla kishte shumë të sëmurë, por nuk mendoj se është prej koronavirusit”, tha ai.

Vendosen kufizime në lëvizje

Kampi i pritjes Bira pranë qytetit të Bihacit. Foto: BIRN.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë ka rreth 7,500 emigrantë të regjistruar. Për të paktën 2,500 prej tyre, nuk ka vende në qendrat e përkohshme të pranimit të ngritura nga autoritetet.

Të mërkurën, qeveria e Kantonit të Sarajevës, e cila përfshin kryeqytetin boshnjak, qytetin e Sarajevës Lindore dhe qytete dhe fshatra të ndryshme aty pranë, vendosi kufizime në lëvizjen e emigrantëve dhe i urdhëroi ata të qëndrojnë në qendrat e përkohshme të pritjes.

“Duke qenë se kapacitetet ekzistuese në qendrat e përkoheshme të pritjes nuk do të jenë të mjaftueshme për të akomoduar të gjithë emigrantët që ndodhen dhe lëvizin nëpër Kantonin e Sarajevës, qeveria pa vonesë do t’i dërgojë autoriteteve një nismë për krijimin e një qendre shtesë pritjeje (ndërtesë, tenda etj) në kanton”, tha qeveria e Kantonit të Sarajevës në një njoftim për shtyp.

Kantoni Una-Sana, në perëndim të vendit afër kufirit me Kroacinë, është goditur më rëndë nga kriza e emigrantëve. Për më tepër, të martën u konfirmua rasti i parë i infeksionit me koronavirus në zonë.

Si rezultat, selia e krizave e Kantonit Una-Sana lëshoi ​të hënën ​një urdhër për të kufizuar plotësisht lëvizjen e emigrantëve jashtë qendrave të përkoheshme të pritjes në të cilat ata janë vendosur.

Në Banja Luka, Ferozi dhe shoku i tij maroken nuk e dinin që në Bihac, ku po planifikonin të shkonin, kishin hyrë në fuqi masat për të ndaluar lëvizjen e emigrantëve. Ata thanë se do të shqetësoheshin për këtë kur të mbërrijnë atje.

Emigrantët nëpër rrugë të pamonitoruar

Emigrantë dhe refugjatë para qendrës së pritjes Bira pranë qytetit Bihac. Foto: BIRN

Deri më tani, nuk ka indikacione për simptoma të koronavirusit në qendrat e përkoheshme të pranimit për emigrantët në Bosnjë dhe Hercegovinë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, IOM.

“Nëpër qendrat e pritjes po zbatohen masa parandaluese, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Këshillin Danez të Refugjatëve, DRC, dhe Institutin e Shëndetit Publik të Kantonit të Sarajevës”, tha Edita Selimbegoviç, një zyrtare për informim publik në IOM, për BIRN.

Selimbegovic shtoi se aktualisht ka mjaftueshëm staf mjekësor në qendrat e përkoheshme të pranimit.

Por emigrantët që jetojnë në gjendje të keqe kudo ku munden ose nëpër rrugë, në vend të qendrave të përkoheshme të pritjes janë një tjetër problem. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë në Tuzla në Bosnjën lindore dhe në perëndim të vendit në Kantonin Una-Sana, afër Kroacisë.

“Ne kemi mungesë kapaciteti për të akomoduar në mënyrë të duhur të gjithë emigrantët që janë jashtë qendrave të pritjes dhe për të pasur kontroll mbi ta nëpër qendra për të shmangur infektimin e tyre”, tha Selimbegoviç.

Ndërtimi i tendës në “Lipa”, midis Bihacit dhe Bosanski Petrovacit, filloi të shtunën, dhe pritet të strehojë emigrantë dhe refugjatë që janë nëpër rrugë.

“Ne morëm mbështetjen e Ministrisë së Sigurisë, Qeverisë Federale dhe filluam menjëherë të ngrinim një tendë. Qëllimi kryesor i gjithçkaje që bëjmë është mbrojtja e situatës epidemiologjike dhe shëndetësore në qytet, por edhe gjetja e një akomodimi më njerëzor për këta njerëz”, tha kryetari i komunës së Bihacit, Suhret Fazliç, të shtunën.

IPSIA, një OJQ italiane që punon në Bosnje dhe Hercegovinë që nga viti 1997 dhe tani po ndihmon emigrantët dhe refugjatët, paralajmëroi se emigrantët nëpër tenda dhe kampe të improvizuara mund të përfundojnë duke jetuar në kushte të rrezikshme.

“Emigrantët brenda kampeve nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh, për momentin ata janë më shumë të hutuar sesa të zemëruar”, tha ISPIA për BIRN.

Emigrantët që përpiqen të arrijnë në vendet e BE-së gjithashtu nuk e dinë që janë ë fuqi kufizimet për shkak të pandemisë së koronavirusit, shtoi ISPIA.

“Emigrantët gjithashtu nuk janë të dijeni se edhe nëse shkojnë në Slloveni ose Itali, nuk do të mund të lëvizin brenda këtyre vendeve. Ne e dimë që shumë të tillë kanë ngelur në Trieste, Itali, dhe për momentin në atë qytet, qendrat e pritjes janë plot ose janë në karantinë”, tha ajo.

Ndërkohë policia kufitare e Bosnjës dhe Hercegovinës po paralajmëron se fluksi i emigrantëve mund të pritet të rritet së shpejti.

“Nga njëra anë, është moti më i ngrohtë, dhe nga ana tjetër, fakti që Turqia ka hapur kufijtë e saj për emigrantët që shkojnë drejt BE-së”, tha për BIRN zëdhënësi i policisë kufitare Franka Vican.

“Ne nuk kemi polici apo mjete teknike të mjaftueshme për ta kontrolluar vetë kufirin. Policisë kufitare i mungojnë 401 oficerët për të kryer aktivitete normale. Në rrethana të jashtëzakonshme, siç jemi tani, 1,200 oficerë të tjerë policie nevojiten për të ruajtur në mënyrë efikase kufirin shtetëror boshnjak”, shtoi Vican.

“Askush nuk është i sigurt derisa të jemi të gjithë të mbrojtur”

Kampi i pritjes Bira në qytetin e Bihacit. Foto: BIRN.

Një grup aktivistësh të përfshirë në Grupin e Solidaritetit Transbalkan publikuan një letër të hapur të mërkurën me rreth 500 nënshkrime, duke i kërkuar Bashkimit Europian dhe vendeve në rajon të kujdesen për refugjatët dhe emigrantët që kanë “ngecur në vendet tona”.

Ata paralajmëruan se aktualisht ka dhjetëra mijëra refugjatë dhe emigrantë në Ballkan – disa prej tyre të strehuar në qendrat zyrtare të pritjes, por “një numër i madh i njerëzish janë jashtë sistemit, duke mbijetuar me anë të ndihmës së popullatës lokale dhe mbështetjes që u ofrohet nga vullnetarët në të gjithë rajonin.”

Me përhapjen e koronavirusit, situata e refugjatëve dhe emigrantëve “po bëhet akoma më sfiduese dhe kërkon veprime urgjente të atyre që janë përgjegjës – aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë – dhe solidaritet nga të gjithë ne”, thanë ata.

“E kërkojmë këtë si diçka njerëzore, si edhe se sipas logjikës themelore të shëndetit publik, askush nuk është i sigurt derisa të jemi të mbrojtur”, përfundon letra e tyre.

Përsa i përket Ferozit, emigranti nga Afganistani i cili aktualisht është në Banja Luka, ai këmbënguli se do të vazhdojë udhëtimin e tij për në Gjermani nëse mundet – çfarëdo që të ndodhë me koronavirusin.