Pavarësisht motit të ftohtë të dimrit, shumë emigrantë dhe refugjatë në Bosnje vazhdojnë të përpiqen të mbërrijnë në Kroacinë anëtare të BE-së.
Të pa ndalur nga moti i acartë, emigrantët dhe refugjatët vazhdojnë të përpiqen të kalojnë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina drejt Kroacisë.
Një përfaqësues i Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, IOM, Peter Van der Auweraert, tha për BIRN se numri i njerëzve që kalojnë kufirin është i vogël, por se njerëzit vazhdojnë ende të përpiqen të kalojnë çdo ditë kufirin Bosnje-Kroaci.
Policia kroate të mërkurën tha se ata shpëtuan 15 emigrantë, duke përfshirë gjashtë fëmijë, të cilët ngelën në malin Pljesevica në Kroaci, në kufirin me Bosnjën dhe Hercegovinën, në dëborë të thellë dhe temperatura të ulëta. Ata u dërguan në një spital kroat.
Por Van der Auweraert tha se shumë familje emigrante tani preferonin të qëndronin në disa nga ambientet e drejtuara nga IOM në Bosnje.
“Mendoj se shumica e familjeve vendosën ta kalojnë dimrin në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ky është informacioni që ne kemi në ndërtesat që ne drejtojmë për familjet në Bira dhe Borici (në Bihac), edhe pse djemtë e rinj po vazhdojnë ta kalojnë kufirin,” tha ai.
Van der Auweraert tha se IOM po përpiqej t’i ndërgjegjësonte njerëzit në lidhje me rreziqet e kalimit të kufirit, por shumë njerëz ishin shumë të vendosur të shkonin në Kroaci.
“Një nga sfidat për shërbimin e shpëtimit, edhe pse ata po bëjnë një punë të shkëlqyer, është një çështje shumë praktike. Kur shkon në male, zakonisht rrjeti telefonik kalon nga ai boshnjak në atë kroat dhe shumica e emigrantëve po përdorin karta me parapagesë dhe nuk kanë kredi të mjaftueshme për të bërë roaming. Është shumë e vështirë t’i gjesh këta njerëz,” tha ai.
“No Name Kitchen”, NNK, një OJQ që ndihmon emigrantët dhe refugjatët, kryesisht në Velika Kladusa, në Bosnjën veriperëndimore, tha për BIRN se ndërkohë që një numër njerëzish duken të kënaqur “të presin në Bosnjë sa të kalojë dimri”, grupe të tjera vazhdojnë të përpiqen të kalojnë kufirin çdo natë nga Velika Kladusa.
“Për më tepër, grupet po kthehen në mënyrë të dhunshme çdo natë nga ana e policisë kroate,” tha NNK.
NNK dhe OJQ të tjera kanë akuzuar policinë kufitare kroate për kërcënime, rrahje dhe zhvatje të parave dhe sendeve me vlerë nga emigrantët dhe refugjatët dhe më pas i kthejnë ata në Bosnje. Kroacia mohon akuzat.
“Që prej dhjetorit, kemi marrë raporte të rregullta për grupe të kthyerish të cilëve u janë djegur çantat dhe u janë djegur ose hedhur këpucët t nga policia kufitare kroate gjatë kthimit të tyre në Bosnje,” thanë OJQ-të.
“Për më tepër, grupet tani po i detyrojnë të hidhen ose të qëndrojnë në ujë deri në bel në temperatura nën zero si një mënyrë dënimi për kalimin e kufirit,” shtuan ata.
Në vitin 2018, numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve që mbërrinin në Bosnje u rrit nga më pak se 1,000 në vitin 2017 në rreth 22,400, sipas Komisionit Europian. Komisioni vlerëson se rreth 6,000 prej tyre janë aktualisht në vend.
Shumica janë vendosur në kantonin Una Sana, pranë kufirit kroat. Van der Auweraert tha se 700 ndodhen në qendrën e ndihmës humanitare në Velika Kladusa, ku emigrantët dhe refugjatët mund të kenë strehim të përkohshëm dhe akses në ndihmën e nevojshme.
Në Cazin aty pranë, rreth 400 po qëndrojnë në Hotel Sedra. Në Bihac ndodhen dy ndërtesa, ish-fabrika Bira ku janë strehuar rreth 2,000 emigrantë, kryesisht burra të rinj, dhe një konvikt studentësh, ku po qëndrojnë rreth 150 njerëz.
Van der Auweraert tha se këto vende janë përshtatur plotësisht për kushtet e dimrit dhe kanë ngrohje.
“Në kamp, të paktën në Kladusa, njerëzit jetojnë në kushte mjaft të ngrohta,” tha NNK, duke paralajmëruar se rreth njëqind njerëz në Kladusa jetojnë në kushte të këqija.
“No Name Kitchen” po u siguron këtyre njerëzve dru dhe soba me dru në një përpjekje për të luftuar të ftohtin.
Sipas Van der Auweraert, ndryshe nga gjatë verës, ndërtesat tani janë rinovuar dhe janë gjetur hapësira të reja, në mënyrë që Bosnja të mund t’u ofrojë të gjithë emigrantëve dhe refugjatëve në çati mbi kokë. Ai tha se ata që flinin jashtë po e bënin këtë për arsyet e tyre.
Së fundmi, shqetësimi më i madh për NNK në motin e ftohtë mbeten “ata që ecin në këmbë në malet e Kroacisë dhe Sllovenisë pa veshjet e duhura për kushtet e dimrit,” tha ai.