Monumenti i antikitetit të vonë në fshatin Gjuricaj të Durrësit po dëmtohet nga erozioni, ndërsa aktivistët vendas i intensifikojnë përpjekjet për të krijuar një ofertë turistike të bazuar mbi trashëgiminë e pasur kulturore të zonës.
Shpëtim Manka është penduar që i dërgoi miqtë e tij të vizitojnë Bazilikën e Gjuricajt.
“Drekuam së bashku në një nga restorantet pranë rrugës, por nuk ma morri mendja që do të mbetesha aq i zhgënjyer,” tregon 50-vjeçari nga Durrësi për BIRN. Rrënojat e bazilikës mesjetare, që ndodhet pranë Fushë Krujës, ishin mbuluar nga ferrat e barërat e këqija dhe shokët e miqtë e mijë nuk shijuan asgjë”.
Ata që e dinë vendndodhjen e monumentit 1.400-vjeçar nuk janë të shumtë, pasi tabelat treguese dhe të dhënat për të mungojnë, por Bazilika ndodhet vetëm 100 metra larg rrugës Fushë Krujë-Ishëm dhe vizitorët e interesuar mund të vijnë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga Durrësi, në bashkinë e të cilës tashmë bën pjesë fshati Gjuricaj.
Bashkë me rrugën gjarpëruese, shtëpitë e fshatit kacavirren mbi kodër, duke iu drejtuar Ishmit, që nuk është gjë tjetër veçse një toponimi zone, që i ka dhënë emrin 9 fshatrave së bashku.
Peizazhe të gjelbëruar dhe piktoreskë, por banorët e dërmuar nga goditja që u dha tërmeti i fundvitit të kaluar, si dhe nga kufizimet e pandemisë duket se nuk i shijojnë ato.
Veprim Bajrami, një vendali i hershëm, i cili vjen nga Durrësi të shohë shtëpinë prindërore si dhe të ndihmojë mesa mundet bashkëfshatarët, tregon se i gjithë territori pranë Bazilikës thirret me emrin “Pazare”.
“Mbaj mend se pleqtë thonin se këtu shtëpitë dhe dyqanet ishin ndërtuar kaq dendur sa macet kalonin nga çatia në çati,” kujton mesoburri i shëndetshëm.
Brikena Shkodra, arkeologe në Institutin e Arkeologjisë, tha për BIRN se harresa dhe lenia pas dore e mirëmbajtjes se monumentit bien në sy menjëherë.
“Monumenti është ndërtuar në pjerrësinë e një kodrine, e cila përshkohet në të dy anët nga përrenj, ujërat e të cilëve bëhen problematikë sidomos gjatë periudhës së dimrit,” shpjegoi prof. Brikena Shkodra.
“Efekti eroziv i këtyre përrenjve është tejet i dukshëm dhe ka sjelle vende-vende zhvendosje te strukturave te monumentit ose shembje të strukturave,” shtoi ajo.
Shkodra shtoi se që nga zbulimi i plotë i monumentit 30 vjet më parë studimet kanë dëshmuar se vendndodhja e këtij monumenti lidhet me pozicionin e stacionit rrugor Pistum, i cili identifikohet në rrugën antike Dyrratio-Lissum.
Por shqetësimi për gjendjen e monumentit në Gjuricaj nuk është i vetmi.
12 km më lart një grup veprimtarësh ishmakë po përgatiten për një panair të produkteve vendase, pikërisht në sheshin mes kalasë mesjetare dhe vendvarrimit të Ibrahim Kodrës.
“Kjo është një kala e banuar; familjarët që jetojnë prej dhjetra vitesh në shtëpitë brenda perimetrit nuk janë kujdesur dhe situata ka degraduar,” thotë Isuf Shehu, i cili ka punuar si mësues në disa nga fshatrat e zonës.
Veprimtarët e shoqatës “Ishmi” kanë nisur pastrimin e kalasë, të ndihmuar edhe nga një mjet i siguruar prej pushtetit vendor. Në sheshin para mureve mesjetare, prej 14 vjetësh pushon edhe trupi i Ibrahim Kodrës, piktorit të përmasave europiane, që i ka dhënë mjaft famë edhe fshatrave të Ishmit, ku lindi në vitin 1918.
“Kalaja dhe varri i bashkëfshatarit tonë të shquar duhet të kthehen në një stacion turistik për vizitorët shqiptarë dhe të huaj,” vlerëson Isufi, duke shtuar se projektet për një muze me jetëshkrimin, reliket dhe veprat e tij, kanë mbetur në sirtare dhe u vlejnë vetëm fushatave elektorale të politikanëve”.
40 km në veri të Durrësit, kodrat e Ishmit dhe Kepi i Rodonit mbeten një nga zonat më interesante të bregdetit shqiptar të Adriatikut. Monumenteve në Gjuricaj dhe Ishëm, u shtohen edhe Kalaja e Skënderbeut dhe Kisha e Shna Ndout, në bregun verior të Kepit.
“Para disa ditësh gjeta në internet ofertën turistike të Krujës nga një agjenci private, që parashikonte vizita në Qafë Shtamë, në Kalanë e Krujës dhe Muzeun Enografik, si dhe në rrënojat e Zgërdheshit, në Albanopolis,” tregon për BIRN Tasim Besho, ekkspert i turizmit.
“Jam i bindur se kjo do të ndodhë edhe me atraksionet turistike të zonës së Ishmit,” nënvizon Besho, jo vetëm potencialin e shumëfishtë, por edhe faktin që banorët kanë filluar ti zgjojnë këto vlera.
Njësia administrative në veri të Durrësit dhe monumentet e Krujës kanë një lidhje organike mes tyre dhe mjaft mirë mund të jenë pjesë e një ansambli vizitash turistike.
Ato i përkasin kryesisht mesjetës së vonë dhe I bashkon më së shumti periudha e Skenderbeut.
Vetëm Bazilika e Gjuricajt është më e hershme dhe i përket shekullit të 6-të. Tasim Besho ka punuar si mësues i matematikës në zonën e Ishmit dhe kujton bisedat e shumta me kushëririn e tij arkeolog, Halil Myrto.
“Bazilika dallohet për praninë e elementëve arkitektonikë si kapitele, kolona, pllaka ikonostasi etj., me cilësi të lartë dhe shije artistike,” shkruante zbuluesi Myrto. Ajo është ndërtuar prej guri dhe me breza prej pesë radhë tullash të lidhura me llaç gëlqeror.
Gjatë ekspeditave janë gjetur gjithashtu edhe tasela mozaiku dhe fragmente afreskesh. Zbulimi shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 3200 metra katrore.
“Halili i ndjerë e zbuloi monumentin pas disa sondazhesh në periudhën 1988-1990 dhe sipas tij zona përreth ka një potencial të madh arkeologjik,” shprehet Tasimi, sipas të cilit vetëm pak minuta më tej ndodhet një kullë qindravjeçare, edhe ajo dëshmitare e rëndësisë që ka patur kjo zonë në shekuj.
Nga rrënojat e Bazilikës shihet rruga që bashkon fshatrat Bubq, Budull dhe Mazhë me ato të Ishmit në kodër. Herë pas here tabelat e restoranteve tërheqin vëmendjen e udhëtarëve me automjete.
“Kemi krijuar një web sajt me monumentet e Ishmit dhe synojmë që vizitorët ti kthejnë sytë drejt bukurive të tij,” shprehet Veprim Bajrami.
Por ende shumë pak prej tyre kthehen për të mësuar më shumë për të kaluarën e kësaj zone, ku tregu dhe bazilika i jepnin gjallëri Ishmit të dikurshëm.