Lajm4 Oct 2019

Esmeralda Keshi zgjidhet anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi (Cami) fitoi me 133 vota përballë kandidatit tjetër, Vladimir Mara, i cili siguroi 109 vota.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurorja Esmeralda Keshi (Cami) në Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve. Foto: Edmond Hoxhaj.

Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës, Esmeralda Keshi (Cami) do të jetë anëtarja më e re e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, që u zhvillua të premten, Keshi mori 133 vota kundrejt rivalit të saj në garë, prokurorit Vladimir Mara, i cili siguroi 109 vota.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Keshi do të zëvendësojë Gentian Osmanin, i cili u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Në fjalën e saj prezantuese, prokurorja Keshi theksoi se ishte e nevojshme të ngrihej një sistem i qëndrueshëm vlerësimi për prokurorët si dhe për mbrojtjen e tyre morale dhe fizike.

Esmeralda Keshi (Cami) ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar si prokurore në Prokurorinë e Dibrës. Në vitin 2013, ajo është promovuar si drejtuese e Prokurorisë së Dibrës, detyre të cilën e ka kryer prej 6 vitesh.

Nga 285 prokurorë të të gjitha niveleve që kanë të drejtë vote, të premten votuan 253 prej tyre. Gjatë procesit të numërimit u konstatuan 242 vota të vlefshme dhe 11 të pavlefshme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i plotësuar tashmë me 11 anëtarët e vet është duke kryer procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Në mbledhjen e 25 shtatorit, KLP vendosi të lejojë për vazhdimin e garës tre kandidatët Fatjona Memçaj, Arta Marku dhe Olsian Çela.