Analize6 Apr 2018

Etika e pakësimit të pabarazisë

Në të njëjtën kohë që vendet më të varfra po përpiqen të arrijnë ato të pasura, pabarazia në të ardhura dhe pasuri brenda vendeve është shtuar në nivele alarmante. Adresimi i kësaj sfide ekonomike fundamentale do të kërkojë një balancë të kujdesshme mes politikave që sigurojnë barazi dhe atyre që shpërblejnë punën dhe inovacionin.

Autor: Kaushik Basu Project Syndicate Nju Jork
Printo

Foto ilustruese nga Ivana Dervishi/BIRN.

Kudo në botë, pasojat alarmuese të pabarazisë së lartë ekonomike po përhapen në politikë dhe shoqëri. Pasiguria ekonomike është një forcë nxitëse pas konflikteve të dhunshme në Lindjen e Mesme dhe në rritjen e elementëve fashistë në disa vende europiane, jo vetëm në Hungari dhe Poloni. Edhe në demokraci më të vjetra si Shtetet e Bashkuara, margjinalizimi ekonomik ka çuar në forcimin e identiteteve shoviniste dhe supremaciste dhe probleme të tjera sociale si epidemia e drogës.

Këto trende kanë vazhduar për ca kohë. Por, sipas Branko Milanoviç të Universitetit të Qytetit të Nju Jorkut, një ndryshim i madh ka ndodhur nga 1988 deri në 2008. Gjatë kësaj periudhe të “globalizimit të lartë”, dy segmente të botës që përfituan shumë ishin 1% më i pasur në botë dhe vendet e  varfra dhe klasa e mesme në disa vende aziatike – Kina, India, Indonezia, Tajlanda dhe Vietnami. Ndërkohë, Banka Botërore ka treguar se 766 milionë njerëz rreth 10% e popullatës globale – jeton ende në varfëri ekstreme me 1.90 dollarë në ditë deri në vitin 2013.

Shumë është shkruar rreth politikave të nevojshme për të drequr këtë panoramë të zymtë. Dhe megjithatë, zëra të fuqishëm me vendeve të pasura dhe në zhvillim – dhe për fat të keq, edhe mes të varfërve të painformuar – pretendojnë se pabarazitë aktuale të të ardhurave janë të drejta sepse vijnë si rezultat i tregjeve të lira. Të bindësh ata të mbështesin ndërhyrjet ndreqëse do të kërkonte një thellim në logjikën dhe moralin e pabarazisë.

Po mendoja rreth kësaj teksa lexoja librin e mrekullueshëm të Chris Hughes Mundësi e Drejtë: Rimendimi i Pabarazisë dhe Si Fitojmë Ne. Hughes e bashkëthemeloi Facebook me Mark Zuckerberg dhe tani është shumë i pasur në moshën 34 vjeçare. Libri i tij flet për rritjen në një qytet të vogël në Karolinën Veriore, në përpjekje për t’u përshtatur me “fëmijët e bardhë, të pasur”, daljen haptazi më pas si gej dhe mësimet e shkollës për t’u pranuar në Universitetin Harvard.

Hughes përfundoi në dhomë me Zuckerberg, që ishte thjesht fat. Në fakt, një pjesë e madhe e librit të tij flet për rolin e fatit në përcaktimin e suksesit individual. Megjithëse babai i Hughes i mësoi atij se realizimi i “ëndrrës Amerikane” është çështje e përmbajtjes së vetes, Hughes me kalimin e kohës arriti në konkluzionin e kundërt. “Suksesi im te Facebook,” shkruan ai, “më mësoi se ngjarjet në dukje të vogla si personat që zgjedh në dhomën e kolegjit mund të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm më vonë në jetë”.

Zgjidhja e problemit të pabarazisë nga Hughes është të taksohen të pasurit për të ofruar një të ardhur minimale te klasa e mesme dhe e ulët. Është e këndshme që të paktën disa nga individët më të pasur të Amerikës janë të ndershëm për të kuptuar padrejtësinë e sistemit, edhe nëse ata kanë përfituar prej tij.

Për të kuptuar logjikën dhe moralin e pabarazisë, ia vlen të gërmojmë më tej në atë që Hughes thotë për fatin. Nuk është se një pjesë e pasurisë së tij ka ardhur nga fati, në fakt e gjithë pasuria vjen prej tij. Fati përcaktoi se Hughes do të ishte mjaftueshëm i zgjuar për të hyrë në Harvard dhe për t’u takuar me Zuckerberg. Por kështu ishte fat që Zuckerberg kishte mësuar programimin Atari BASIC nga i ati kur ishte fëmijë.

Disa përpiqen ta kundërshtojnë këtë duke thënë se ka rëndësi edhe lodhja në punë. Por jo nuk lidhet me këtë çështje. Në fund të fundit, nëse dikush ka apo jo etikë të fortë pune kjo lidhet me fatin sepse varet nga përbërja gjenetike, mjedisi dhe rritja. Kështu, fati si vendimtar i pasurisë nënkupton se nuk ka justifikime morale për pabarazinë ekonomike.

Në këtë pikë, shumë nga radikalët me synime të mira do të thoshin se duhet të kemi barazi totale. Por ky arsyetim është i pavlefshëm. Sigurimi i drejtësisë dhe barazisë janë të rëndësishëm, por po kështu është zhdukja e varfërisë dhe përmirësimi i mundësive për klasën e mesme. Nën kushtet aktuale, kërkimi i barazisë absolute do të pengonte nxitjen për të punuar, duke çuar në një shkatërrim të përhapur ekonomik. E kemi parë këtë të ndodhë tashmë me shumë eksperimente sociale me frymë të mirë në të shkuarën.

Duhet të gjejmë një balancë. Pabarazia e lartë e papranueshme sot kërkon ndërhyrje për të përmirësuar arsimin dhe shëndetin, si dhe taksim rishpërndarës të llojit që Hughes rekomandon; por gjithashtu kërkon që të tolerojmë disa pabarazi për të mbajtur njerëzit dhe ekonomitë në punë.

Propozimi i Hughes për një të ardhur minimale të garantuar është një hap në drejtimin e duhur, por do të ishte gabim të shihej si zgjidhje. Për hir të argumentit, të supozojmë se gjysma e më të varfërve në botë nuk mund të përballojë një vaksinë që do t’i siguronte shëndet të mirë. Dikush mund të mendojë se duke i dhënë të gjithëve një të ardhur minimale të garantuar kjo do ta rregullonte padrejtësinë.

Por tani të supozojmë se ka disa burime kritike të kufizuara për prodhimin e vaksinës për gjysmën e popullatës. Në këtë skenar nuk do të kishte rëndësi sa para i jepej gjysmës më të varfër të popullsisë: çmimi i ilaçit do të vazhdonte të rritej në pikën ku vetëm gjysma tjetër më e pasur mund ta përballonte. Në kushte pamjaftueshmërie, e vetmja mënyrë për të siguruar rezultat të drejtë do të ishte dhënia e vaksinës me lotari.

Efektiviteti i një të ardhure të garantuar, pastaj varet nga ekuilibri i përgjithshëm i ekonomisë. Skenari i vaksinës është vetëm një shembull i shumë komplikimeve që mund të ngrihen. Që skema e Hughes të funksionojë, do të duhet të identifikojmë shumë  të papritura të tjera dhe pastaj të krijojmë një sistem që do t’i zgjidhte ato.

 

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Ethics of Reducing Inequality