Mbyllja e kufijve bllokoi në Shqipëri qindra emigrantë –rezidentë në vende të tjera, të cilët u detyruan të ndahen nga familjet dhe të rrezikojnë punën dhe lejet e qëndrimit.
Jonida Gucaj erdhi në Shqipëri në 4 mars, duke lënë familjen në Kanada –vendin ku jeton e punon prej vitesh. Ndonëse nuk kishte planifikuar ndonjë udhëtim, ajo u detyrua të rikthehej në vendlindjen e saj në Elbasan për shkak se nuk mund të pajisej me pasaportë pranë konsullatës së Shqipërisë në Kanada.
Bllokimi i udhëtimeve ndërkombëtare menjëherë pasi Jonida mbërriti në Shqipëri i ka shkaktuar shumë probleme asaj dhe familjes, ndërsa e ka detyruar të qëndrojë larg fëmijës.
“Unë nuk jam dëmtuar vetëm financiarisht nga karantina. Jam nënë e një fëmije 13-vjeçar me nevoja speciale. Penalizimi më i rëndë është ndarja nga im bir për një kohë të gjatë, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë,” tha Jonida për BIRN.
Gruaja thotë se shqetësohet për të birin edhe pse ai është në kujdesin e babait. “Pasoja psikologjike tek ai për mungesën time është e madhe. Edhe për faktin që në Kanada mësimi bëhet online për shkak të pandemisë, mungesa ime si mësues-prind ka ndikuar në mësimnxënien e tij, pavarësisht përpjekjeve të bashkëshortit në këtë drejtim,” shton ajo.
Qindra emigrantë që u kthyen për arsye të ngjashme në Shqipëri nga vende të ndryshme mbetën po ashtu të bllokuar. Mjaft prej tyre kanë humbur ndërkohë vendet e punës, ndërsa të tjerë i tremben edhe humbjes së statusit të rezidentit për shkak të qëndrimit për një kohë të gjatë jashtë vendeve ku kanë emigruar.
Renato është një prej tyre. Ai udhëtoi nga vendi i punës në Gjermani në fillim të marsit dhe kishte planifikuar të qëndronte vetëm 5 ditë në Shqipëri, por mbeti dy muaj.
“Kisha parashikuar vetëm 5 ditë qëndrim, por tani u bënë kaq shumë ditë. Humbja e vendit të punës është një nga pasojat e karantinës, pasi po humbas edhe mundësinë e bërjes së dokumenteve, proces që e kisha nisur së fundmi. Duke mos i përfunduar nuk do të figuroj as rezident në BE, kështu që nuk mund të udhëtoj as përtej datës ku parashikohen të udhëtojnë vetëm ata persona që janë rezidentë në Bashkimin Evropian,” tha Renato.
Ngjashëm Evisa, e cila u kthye në Shqipëri në fillim të marsit mbeti larg bashkëshortit për më shumë se dy muaj. Arsyeja e ardhjes ishte dorëzimi i dokumenteve për bashkim familjar.
“Jam e martuar dhe bashkëshorti im qëndron në Greqi. Kam shfrytëzuar lëvizjen e lirë për të qenë pranë tij. Ndërkohë kemi bërë procedurat për bashkim familjar dhe ardhja ime në Shqipëri ishte për të dorëzuar dokumentet, pasi duhet të isha këtu që kjo procedurë të kryhej. Unë nuk mund të përfitoj nga marrëveshja e punëtorëve sezonalë dhe as nuk mund të udhëtoj. Shpresoj të ketë një zgjidhje dhe për ne për t’u bashkuar me të dashurit tanë”, thotë gruaja.
Një histori të ngjashme kanë edhe prindërit e Jonida Gucajt. Një vit më parë, Havaja dhe Shemsiu fituan qëndrim të përhershëm pranë vajzave të tyre në Kanada. Ata erdhën në Shqipëri në fund të muajit nëntor për të përmbyllur dokumentacionin dhe për të tërhequr pensionet.
Ata e kishin planifikuar rikthimin e tyre në Kanada në prill, por biletat u anuluan. Ndërsa presin rinisjen e udhëtimeve ndërkombëtare, burrë e grua janë të shqetësuar se mund të penalizohen me heqjen e statusit rezident në këtë vend.
Për Gucajt, problemi nuk do të kishte ekzistonte nëse përfaqësia e Shqipërisë në Kanada do të ofronte mundësinë për të marrë pasaportën atje, pa i detyruar të udhëtonin. Jonida thotë se prej muajsh ka kontaktuar ambasadën shqiptare në Otava dhe ardhja e saj u bë e pashmangshme në fillim të marsit. Gucaj thotë se shtete me popullsi edhe më të vogël se Shqipëria si Moldavia apo Maqedonia e Veriut e ofrojnë shërbimin e pasaportave në Kanada.
“Jam në Shqipëri nga 4 marsi dhe nuk di kur do të kthehem në Kanada. Bileta e kthimit, që ishte në prill, tashmë është anuluar. Jam në pritje të një date të sigurt fluturimi ndërkontinentale, pasi kostoja e një udhëtimi për më shumë se 24 orë është mjaft e shtrenjtë,” thotë ajo.
Gruaja i tha BIRN se ajo nuk mund të aplikojë për ndihmë financiare pranë qeverisë Kanadeze pasi ndodhet momentalisht jashtë territorit dhe vetëkuptohet që nuk mund të kërkojë ndihmë as nga shteti shqiptar, ndërsa rrezikon të humbasë punën. “Veç të tjerash rrezikoj të humb edhe punën në Kanada, pasi kam bërë një një shkëputje të gjatë në kohë. Kjo mbetet një tjetër çështje që më duhet të zgjidh kur të kem mundësi të kthehem në vendin e qendrimit”, thotë ajo.
Bllokimi i kufijve për shkak të pandemisë së COVID-19 ka lënë gjithashtu qindra shqiptarë jashtë vendit. Shqipëria riatdhesoi disa qindra persona të bllokuar kryesisht në vendet fqinje në fillim të prillit, ndërsa një valë emigrantësh që u kthyen kryesisht nga Greqia mbetën për disa ditë të bllokuar në kufi, për shkak se autoritetet nuk kishin një zgjidhje.