Kosova ka dëbuar gjashtë shtetas turq në rrethana të mjegullta në mars të vitit 2018. Të gjithë thonë se janë të pafajshëm ndaj akuzave për “terrorizëm” në Turqi, por njëri prej tyre as që duhet të ishte në atë avion.
Një vit pas dëbimit polemik të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, të akuzuar nga Turqia për lidhje me njeriun që ajo thotë se fshihej pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, familjet e tyre vazhdojnë të protestojnë për pafajësinë e tyre.
Por fëmijët e njërit prej burrave ndihen akoma më të hidhëruar – babai i tyre nuk ishte as në mesin e atyre që kërkoheshin nga Turqia. Një rast identiteti të gabuar do të thotë se ai rrezikon të kalojë 30 vitet e ardhshme në burg.
“Për mua, ishte shumë e errët,” tha i biri i Hasan Hysein Gunakan për periudhën e marsit 2018, kur Gunakan dhe pesë turq të tjerë u kapën nga agjencitë e sigurisë të Kosovës, u dorëzuan menjëherë te inteligjenca turke dhe u nisën me avion në Turqi në një shkelje të dukshme të rregullave të dëbimit.
“Ato dy, tre ditë ishin më të errëtat. Nuk mund të merrje dot asnjë lloj informacioni,” tha ai për BIRN.
Dështime në detajet e investigimit
Si djali ashtu edhe vajza e Gunakanit kërkuan të mos përmendeshin në këtë artikull. Babai i tyre u ngatërrua me Hasan Hysein Demir, i cili tani besohet të jetë në Gjermani.
Një vit më vonë, Gunakan rrezikon të kalojë dekada të tëra në burg, një nga dhjetëra mijëra turq të kapur në një goditje nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan si përgjigje për një grusht shteti të dështuar për të cilin ai fajësoi klerin Fethullah Gulen, i cili ndodhet në Amerikë.
Një raport, i porositur nga një komision hetimor i parlamentit të Kosovës dhe i kryer nga një ekspert i pavarur, ka vërtetuar se Gunakan u ka thënë në mënyrë të përsëritur zyrtarëve të Kosovës të përfshirë në depërtim se kishin kapur personin e gabuar, por ata e dorëzuan atë gjithsesi, sipas një kopje të raportit të parë nga BIRN.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në atë kohë mohoi të ketë qenë në dijeni të operacionit dhe shkarkoi nga detyra kreun e shërbimit të inteligjencës.
“Në aeroport ai nënshkroi një letër që ishte në emër të Demirit,” tha i biri i Gunakanit, që do të thotë se familja nuk kishte asnjë bazë për të kundërshtuar deportimin. “Ai është jashtë vendit dhe u dërgua në Turqi nën një emër tjetër, kështu që zyrtarisht ai ka ende lejen e qëndrimit të tij këtu, në Kosovë.”
Të gjashtë punonin për një rrjet të shkollave të Gulenit në Kosovë; familja Gunakan kishte 12 vjet që jetonte në Kosovë.
“Të tronditur”
Djali i Gunakanit tha se fillimisht ai besonte se babai i tij thjesht po merrej me çështje të lejes së qëndrimit, derisa mediat turke filluan të raportonin se të gjashtë ishin deportuar. Familja nuk mori asnjë informacion nga autoritetet e Kosovës dhe i mbeti të gjurmonte lëvizjet e tij të fundit me shpresën për të gjetur ndihmë.
“Nuk kishte asnjë informacion të besueshëm ku mund të mbështeteshim,” tha vajza e Gunakan për BIRN. “Sinqerisht, kisha besim te demokracia nnë Kosovë dhe u trondita sepse nuk prisja diçka të tillë nga Kosova.”
Nazmi Ulus, drejtori i Kolegjit Mehmet Akif në Lipjan, një nga shkollat e lidhura me Gulenin, tha se konfuzioni ishte i përhapur.
“Prindërit po bënin pyetje, studentët po pyesnin se çfarë po ndodhte dhe gjithashtu edhe mësuesit kishin pyetje për atë që po ndodhte,” tha ai.
Ulusi dhe Demiri kërkuan azil në Kosovë, por që atëherë janë larguar për në Gjermani.
Kosova duhet “të korrigjojë këtë gabim”.
Ndërkohë, Gunakani nuk qe në gjendje të fliste me gruan apo tre fëmijët e tij për rreth 80 ditë. Kur e bëri këtë, telefonata zgjati rreth 10 minuta, tha djali i Gunakanit. Babai i tij pyeti vazhdimisht për fëmijën e tij më të vogël, vajzën e tij pesëvjeçare.
“Ajo e do shumë dhe kalon shumë kohë me të dhe kreht papritur babai im u zhduk,” tha ai për BIRN. “I thamë se ai është në një udhëtim pune. Ai ishte shumë i shqetësuar sepse motra ime as nuk fle pa të.”
Ulusi, duke cituar avokatët e tyre, pretendoi se burrat ishin torturuar gjatë rrugës së tyre për në Turqi dhe pasi kishin mbërritur. Më pas ata ishin mbajtur në izolim.
“Momenti i vetëm që kanë kontakt me njëri-tjetrin është një herë në javë, rrugës për te doktori, për rreth gjysmë ore,” tha ai.
Fëmijët e Gunakanit, të cilët mbeten në Kosovë, thonë se nuk kanë hequr dorë nga shpresa.
“Unë besoj se një ditë do të ketë drejtësi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Turqi,” tha djali.
“Ne duhet ta besojmë këtë, sepse nëse nuk e bëjmë, atëherë kemi pranuar padrejtësinë. Dhe kur e pranon padrejtësinë, drejtësia nuk do të vijë kurrë.”
Motra e tij tha se priste që autoritetet në Kosovë ta korrigjojnë gabimin e tyre.
“Ne duam që autoritetet e Kosovës të ndjekin sundimin e ligjit. Ata duhet t’i kërkojnë Turqisë të kthejë babanë tim sepse ai është marrë gabimisht dhe ata duhet të paktën të bëjnë më të mirën e tyre për të ndrequr këtë gabim.”