Reportazh9 Aug 2021

Fermerët e Ballkanit paguajnë kostot e temperaturave të larta

Duke u mbështetur te reshjet e shiut, fermerët në të gjithë Ballkanin përballen me vështirësi financiare pas një vere me temperatura të larta.

Autor: BIRN BIRN Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup, Tiranë, Zagreb
Printo

Zjarre në fushat e komunës së Suharekës, Kosovë. Foto: BIRN/Urim Krasniqi.

Agronomi Zeljko Bjelis ka vënë re disa ndryshime shqetësuese në agrumet në Luginën Neretva të Kroacisë jugore: gjethe të thata dhe mandarina që bien nga pemët në sasi më të mëdha se zakonisht.

“Këtë vit është shumë më e theksuar sesa normalisht”, tha ai, “arsyeja, mendoj, është luhatjet e temperaturës është temperaturat jashtëzakonisht të larta prej një muaj e gjysmë tashmë.”

Bjelis shpreson që situata të jetë më e mirë në vjeshtë, kur mandarinat të piqen. Dhe ai nuk është i vetmi.

Në të gjithë Ballkanin, bujqësia po pëson dëme me kosto të larta pas temperaturave tepër të larta të verës dhe një pranvere që në disa vende solli borë dhe ngrica dëmtuese.

Shumë tashmë i kanë humbur shpresat për fitime.

“Me investime shtesë për shkak të verës së thatë dhe çmimeve të ulëta të perimeve në treg, unë jam tashmë me humbje”, tha fermeri malazez Demir Djokovic, i cili, mes temperaturave mbi 40 gradë Celsius, është përpjekur të mbajë gjallë fushat e tij me speca dhe domate pranë qytetit të Tuzit.

Mungesë vaditjeje

Nje traktor gërmon tokën për të ndaluar përhapjen e vatrave të zjarrit | Foto: Raimond Kola

Ashtu si shumë fermerë në Ballkan, Djokoviç mbështetet te reshjet e shiut, jo te sistemet e ujitjes të bëra nga njeriu.

“Që nga qershori nuk ka patur shi. Kështu që ne i vadisim të mbjellat tona me ujë nga lumi Cijevna aty pranë”, tha Djokoviç për BIRN. “Në vitet e mëparshme, disa nga fermerët vendas hapën puse në rast se lumi thahet, por kjo është shumë e shtrenjtë për mua. Mund të shpresoj vetëm që lumi të mos thahet.”

Bujqësia përbën pak më shumë se gjashtë për qind të prodhimit ekonomik malazez. Por vetëm një për qind e tokës së punueshme mund të mbështetet te sistemet e vaditjes.

E njëjta histori është edhe në jugun në Shqipëri, ku prodhuesi i verës Oltjon Xhakolli tha se rreth 70 për qind të tokës bujqësore i mungon infrastruktura e vaditjes, “gjë që e vështirëson shumë punën për fermerët”.

Eksperti i bujqësisë Ervin Resuli i tha BIRN: “Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në bujqësi dhe blegtori, duke pasur parasysh se Shqipëria vuan shumë nga mungesa e vaditjes.”

Sektori bujqësor është një nga më të rëndësishmit për ekonominë shqiptare, por këtë vit ai është shkatërruar nga temperaturat e larta dhe zjarret.

Resuli tha se problemet me prodhimin, për shembull, të jonxhës së thatë, e cila përdoret zakonisht si ushqim për bagëtitë, do të kenë efekt në çmimin e produkteve blegtorale, ndërsa zjarret kanë dëmtuar ullishtet, të vjetra dhe të reja.

Prodhimet kosovare “më të ulëtat në vite”

Foto ilustruese: Ivana Dervishi/BIRN

Zjarret janë “një problem shqetësues” edhe në Kosovë, tha Muhamet Zogaj, profesor i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, duke pasur parasysh dëmin që ato shkaktojnë në të gjithë ekosistemin.

“Efekti negativ i temperaturave më të larta mund të shihet veçanërisht në rritjen e nevojës së bimëve për vaditje”, tha Zogaj. “Nëse tokës i mungon uji, atëherë rendimentet bujqësore janë më të ulëta. Efektet negative bëhen më të mëdha kur temperaturat e larta zgjasin më shumë.”

Në rajonin e Shtimës në jug të kryeqytetit, Prishtinës, Beqir Ahmeti mbolli rreth 20 hektarë grurë dhe misër dhe tre perime të tjera. Por tashmë druhet se humbjet mund të arrijnë deri në 100,000 euro.

“Nuk marrim dot as paratë që kemi investuar, aq të pakët e kemi fitimin”, tha ai. “Do të shkojmë në komunë për të plotësuar formularët për kompensim. Le të presim dhe të shohim nëse do të na ndihmojnë.”

Gruri dhe misri janë goditur veçanërisht rëndë në Kosovë, tha Tahir Tahiri, kreu i Unionit të Fermerëve të vendit.

“Prodhimet t këtë vit janë më të ulëtat në shumë vite”, tha Tahiri për BIRN, duke parashikuar se prodhimi vendas do të mbulonte vetëm 25-27 për qind të kërkesës.

“Nuk ishte një vit i mirë për fermerët”, tha ai. “Gruri u mboll vonë për shkak të thatësirës në vjeshtën e vitit të kaluar dhe pati temperatura të larta në një kohë kur gruri ishte në periudhën vegjetative.”

Ministria e Bujqësisë e Kosovës nuk iu përgjigj një kërkese për koment, ndërsa ajo e Malit të Zi tha se ishte shumë herët për të vlerësuar koston e temperaturave të larta.

Spektri i ndryshimeve klimatike

Në Kroacinë anëtare të Bashkimit Evropian, Dhomës së Bujqësisë thanë muajin e kaluar se kostoja e dëmit të shkaktuar nga thatësira, përmbytjet, breshëri dhe ngricat që nga fillimi i vitit tejkaloi 600 milionë kuna, ose rreth 80 milionë euro.

“Ndryshimet klimatike po prekin qartë sektorin tonë, kjo është arsyeja pse prodhuesit e frutave dhe perimeve nga Bashkimi Evropian janë të shqetësuar dhe presin që Komisioni Evropian të përshpejtojë mekanizmat dhe mjetet që mund të ofrojnë ndihmë për këto prodhime, të cilat janë prekur rëndë nga ndryshimet klimatike”, tha Branimir Markota i Dhomës së Bujqësisë në korrik.

Sipas një raporti të UNDP -së të vitit 2019 mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në bujqësi në Serbi, gjatë 12 viteve të fundit vendi ka përjetuar katër thatësira në vjeshtë dhe tetë në verë.

Muajin e kaluar, temperaturat në Serbi arritën 40 gradë Celsius në dy valë.