Lajm11 Oct 2017

FMN rrëzon pretendimin e Ramës për rritje 5 %

Në raportin e vet kryesor, Parashikimi Ekonomik Botëror, të publikuar pak ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që ekonomia shqiptare të rritet me më pak se 4 për qind në vit së paku deri në vitin 2022.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Qeveria shqiptare ka këmbëngulur gjatë javëve të fundit se premtimi i saj në programin qeverisës për “rritje ekonomike në masën 5.5-6% në vitin 2021” është i besueshëm dhe realist, por Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucioni më i specializuar në botë për parashikime të tilla, rishikoi në ulje parashikimin për katër vitet e ardhshme dhe dukshëm nuk beson se premtimi i qevrrisë është i arritshëm.

Në raportin e vet kryesor, Parashikimi Ekonomik Botëror, të publikuar më 5 tetor [link], FMN parashikon rritje ekonomike në masën 3.7 për qind për vitin 2017 dhe 3.9 për qind për vitin 2022, shifra këto ndjeshëm më të ulëta se sa dëshira e qeverisë. Për më tepër, parashikimi i tetorit i FMN-së është lehtësisht më pesimist nga parashikimi që FMN pati bërë në prill të këtij viti. Ndërsa në prill ekonomia shqiptare vlerësohej se mund të rritej me 4.1 për qind për periudhën 2018-2022, në parashikimin e ri rritja vlerësohet në masën 3.7-3.9 për qind.

Qeveria shqiptare shkroi në programin e saj qeverisës të prezantuar në Kuvend në shtator një fjali që çuditi shumë njerëz. “Përmes zbatimit të plotë të këtij programi ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 për qind për të arritur në rreth 5.5 – 6 për qind të PBB-së në fund të mandatit”, thuhet në program, pa sqaruar se me çfarë metodologjie dhe mbi çfarë elementësh është vlerësuar se një objektiv i tillë është i arritshëm.

Institucione të ndryshme ndërkombëtare kryejnë vlerësime mbi rritjen ekonomike të vendeve të ndryshme bazuar mbi metodologji që janë zhvilluar përgjatë dekadave. Fondi Monetar Ndërkombëtar është institucioni që konsiderohet si më i afti për të kryer parashikime të tilla. FMN kryen dy vlerësime në vit të cilat i publikon në prill dhe në tetor. Megjithatë, këto janë sërish parashikime dhe mund të dalin të gabuara.

Dallimi në rritjen ekonomike mes 3.7 që parashikon FMN dhe 4.5 që pretendon qeveria është i konsiderueshëm. Aktualisht prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë është rreth 11 miliardë euro dhe 1 për qind ndyrshim në ritmin e rritjes do të thotë 110 milionë euro më shumë ose më pak.

Pavarësisht kësaj, pasja e rritjes ekonomike nuk do të thotë automatikisht se kemi të bëjmë me mirëqenie më të lartë për qytetarët, pasi PBB mat ‘vlerën e shtuar’ pa marrë parasysh se në xhepin e kujt shkojnë. Gjatë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë është rritur veçanërisht nga disa projekte të mëdha të infrastrukturës energjetike.

Gazsjellësi TransAdriatik, (TAP), i cili po ndërtohet aktualisht në Shqipëri, ka hapur rrugë, ka derdhur beton dhe ka shtruar tuba për qindra kilometra dhe me një kosto prej qindra milionë dollarësh, kosto e cila llogaritet si “vlerë e shtuar” në ekonominë shqiptare, pavarësisht se një pjesë shumë e vockël e tyre përfundojnë me të vërtetë ne xhepat e shqiptarëve.