Opinion21 Oct 2019

Franca po dëmton Ballkanin dhe stabilitetin e BE-së

Refuzimi i pandershëm i Francës për të shprehur qëndrimin e saj të vërtetë, se nuk dëshiron zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, po dëmton kredibilitetin e BE-së, si edhe perspektivat demokratike të Ballkanit.

Autor: Jasmin Mujanovic BIRN
Printo

Presidenti francez Emmanuel Macron. Foto: Facebook/Emmanuel Macron.

E kemi parë edhe më parë këtë gjë. Në qershor 2018, kur qeveria reformiste e Maqedonisë së Veriut kishte bërë përpjekje të mëdha drejt kthimit të vendit në një rrugë të mirëfilltë Euro-Atlantike – duke iniciuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë – Franca, Holanda dhe Danimarka thanë: ” Jo, Shkupi nuk ka bërë sa duhet për të garantuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, po ashtu as Shqipëria.”

Teknikisht, ajo që Franca u tha maqedonasve dhe shqiptarëve ishte “ndoshta vitin që vjen”, por askush nuk duhet ta kishte interpretuar atë deklaratë, siç shkrova edhe unë më pas, si diçka tjetër përveçse një “jo” e ashpër.

Dhe ja ku jemi përsëri, ka kaluar një vit dhe qëndrimi i Francës nuk ka ndryshuar aspak, por mbetet injorant, arrogant dhe provincial. Franca ka bllokuar përsëri fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Presidenti Emmanuel Macron, pavarësisht nga kredencialet e tij liberale në Paris dhe Bruksel, është një kundërshtar i përkushtuar i zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Si rezultat, ai është i gatshëm të shkatërrojë jo vetëm angazhimet e BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por rreth dy dekada ndërthurje institucionale dhe politike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, çdo Komisioner i BE-së dhe pothuajse çdo kryetar shteti europian i ka thënë këtij rajoni: “E ardhmja juaj është në Bashkim, barrën për ta bërë këtë të mundur e keni ju.”

Epo, maqedonasit po e bëjnë këtë gjë, ashtu siç ka bërë edhe kushdo tjetër në këtë rajon, sidomos duke pasur parasysh shkallën e prapambetjes demokratike që ndodhi nën qeverinë e mëparshme në Shkup.

Dhe tani Franca, një vend që zor se ka ruajtur një prani diplomatike në rajon që nga vitet 1990 dhe që në thelb është bërë jo më shumë sesa një vëzhguese i pa interesuar e politikës së Ballkanit, po thotë përsëri “jo”.

Kjo “jo” është sidomos jo koherente, e marrë në lidhje me retorikën që vjen nga politikëbërësit holandezë. Në një moment, diplomatët francezë dhe holandezë thonë se janë kundër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sepse nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm në përmirësimin e sundimit të ligjit në vendet e tyre.

Pastaj, francezët thonë se kjo është sepse ata dëshirojnë të reformojnë fillimisht vetë BE-në para se të pranojnë anëtarë të rinj. Ndërkohë, holandezët ofrojnë një ndërhyrje akoma më të palogjikshme, duke thënë se ata po e pengojnë Shkupin dhe Tiranën vetëm sepse kështu po vepron Franca dhe nëse Franca është e gatshme të tërhiqet nga kjo çështje, po ashtu është edhe Haga.

Kjo është një kakofoni e çmendur besimi të keq, injorance dhe frike. As francezët, as holandezët nuk arrijnë të flasin dot hapur për qëndrimet e tyre. Ata nuk pranojnë të artikulojnë atë që është padyshim përmbajtja e politikave të tyre, që është se ata nuk e duan Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në BE. Kjo nuk ka të bëjë fare me reformën, nuk ka të bëjë me progresin. Ata nuk i duan këto dy vende në BE dhe pikë.

Sigurisht, pyetja që lind atëherë është përse? Serbia, e cila është është mbushur deri në grykë me armë ruse dhe kineze, është shumë më pak demokratike sesa Maqedonia e Veriut apo Shqipëria, dhe, ndryshe nga Shkupi, nuk ka qenë në gjendje të bëjë as paqe me Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën. Megjithatë, ky vend vazhdon të hap kapituj me BE-në. Në fakt, ajo e hapi kapitullin e saj më të fundit në qershor të këtij viti. Dhe Mali i Zi është akoma më tej sesa Serbia në negociatat e tij dhe kjo ka ndodhur pa pasur as edhe një ndryshim të vetëm demokratik në qeveri në gati tre dekada.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk munden as të fillojnë bisedimet me BE-në. Kosova, pavarësisht se i ka plotësuar të gjitha kërkesat, vazhdon të jetë ende pa liberalizim të vizave. Bosnja dhe Hercegovina ka ngecur duke plotësuar dokumentet për të marrë statusin e vendit kandidat. Pavarësisht nga situata boshnjake, këtu funksionon qartazi diçka tjetër përveçse një standard universal.

Kjo mungesë transparence dhe ndershmërie nga ana e Macron në veçanti do të ushqejë një cikël të mbrapshtë centrifugal në rajon. Tashmë ka zëra për rrëzimin e afërt të qeverisë së Zoran Zaev në Shkup, por kjo do të jetë më e pakta nga problemet që do të jetë BE-ja në vitet në vazhdim.

Populistët në shtetet me shumicë myslimane si Kosova, Shqipëria dhe Bosnja mund të vendosin të konsiderojnë hipokrizinë e BE-së si një sulm ndaj komuniteteve të tyre dhe t’i drejtohen një mirëbërësi të ri, siç është Turqia. Një qeveri e re nacionaliste në Maqedoninë e Veriut gjithashtu mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga Marrëveshja e Prespës.

Në atë pikë, çdo përpjekje e BE-së për të kërkuar civilizim dhe për negociata do të bjerë në vesh të shurdhër. Çfarëdo premtimesh që Brukseli, ose vendet anëtare kryesore si Gjermania, mund t’i bëjnë rajonit, ato do të pinë shumë pak ujë. Sepse të gjithë në Shkup, Prishtinë, Sarajevë apo Tiranë do të thonë thjesht: “Faleminderit, por ne e dimë që francezët do të na sabotojnë në fund. Do t’i bashkohemi partnerëve tanë të rinj në Moskë, Pekin dhe Ankara.”

Gjatë ditëve të fundit ka pasur pothuajse një dënim universal të qëndrimit francez, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk është aspak ngushëlluese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe as për demokratët e mirëfilltë dhe pro-europianët në të gjithë rajonin.

Por duke parë gjasat e skenareve të parashtruara – nga rrjetet ruse, kineze dhe turke të patronazhit në Europën Juglindore – kjo nuk është aspak një çështje shqetësuese rajonale. Ajo që po bën Macron dëmton BE-në në tërësi, besueshmërinë dhe sigurinë e saj. Dhe, duke pasur parasysh bllokimin e tij për anëtarësimet e mëtejshme, politikat e tij janë gjithashtu një kërcënim edhe për NATO-n.

Për mirë apo për keq, liderët dhe popujt e Ballkanit do të përshtaten me këtë tradhti të fundit nga ana e BE-së. Kështu ndodh gjithmonë. Në planin afatgjatë, kriza e vërtetë e shkaktuar nga ky qëndrim i Francës mund të jetë brenda vetë BE-së.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.