Opinion26 Jun 2019

Gazetarët e pavarur të Ballkanit duhet të bashkohen, ose të bien të bashkuar

Në një kohë kur presionet ndaj mediave janë më të forta se kurrë – shpesh më delikate dhe më pak fizike se më parë – është tepër e rëndësishme që ata nga ne që e shohin punën tonë si në shërbim të interesit publik të qëndrojnë të bashkuar.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë
Printo

Foto ilustruese Pixabay.

Trendet e përkeqësuara në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve të regjistruara në Raportet e Progresit të BE-së shpesh kalojnë pa u vënë re. Por këto rënie mund të maten jo vetëm në aspektin e qasjes në dokumente zyrtare apo të të ndjerit “i lirë” në vendin e punës, por edhe në ndjenjën e lirisë përtej mureve të redaksisë dhe në mundësinë për të raportuar pa u censuruar apo vetë-censuruar.

Treguesit për lirinë e shtypit janë më të këqija për gazetarët në mediat publike, ku presioni i madh i politikës është i drejtpërdrejtë dhe i dukshëm, ku punoj edhe unë vetë. Sot, nëse gazetarët nuk sulmohen fizikisht, ata sulmohen në mënyra të tjera, shpesh me metoda të tilla si censura, presioni në punë dhe kërcënime të sofistikuara për punën e tyre. Kjo prodhon jo vetëm vetë-censurë, por edhe frikë dhe pasiguri.

Ndërkohë që unë zakonisht jam përpjekur të qëndroj jashtë këtij ambienti, ende përballem me sulme, ndonjëherë të heshtura, që po bëhen gjithnjë e më të forta.

Një ndër këshillat e mia për gazetarët e tjerë është: përpiquni të shmangni mesazhet që vijnë nga profile anonime që monitorojnë publikimet tuaja gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë ato janë të buta dhe ndonjëherë janë të pasjellshme. Ka diçka groteske në përbërjen e këtyre mesazheve. Në këto fjali, ndonjëherë të formuluara në mënyrë të papërshtatshme, por në raste të tjera të formuluara shumë mirë, akuzohesh për gjëra të ndryshme.

Mesazhet më të shpeshta, sipas eksperiencës time, në Kosovë janë: “Je një marionetë ruse”, “E ke kokën në Serbi”, “Ti përbuz lirinë”, ose “Je armike e luftëtarëve të lirisë”. Në varësi të zgjedhjes së tyre, njëherë i përkas njërit grup dhe njëherë grupit tjetër.

Në fakt, akuzën se jam një “marionetë ruse” nuk e kam dëgjuar vetëm në mediat online. E dëgjova personalisht një mbrëmje vjeshtën e kaluar, me një paralajmërim se të gjithë së shpejti do të mësonin “të vërtetën” për mua, “që pretendoj se jam e pavarur”.

Ky person ishte i lidhur ngushtë me një nga partitë në pushtet në Kosovë dhe ka një portal në internet pranë strukturave në pushtet.

Në televizion, ku pushteti mbi median është më me ndikim, ai ishte një gazetar. Ky person më tha se kishte mbledhur “mjaftueshëm gjëra” rreth meje. Disa muaj më vonë, pasi makina ime e zezë ishte lyer dy herë me ngjyrë të kuqe, ishte e vështirë të vendosja në rajonin e policisë nëse duhej ta lidhja këtë person dhe paralajmërimin e tij me atë që po më ndodhte.

Ajo që pasoi më vonë, megjithatë, ishte një kujtesë për nevojën për t’u kushtuar vëmendje sinjaleve paralajmëruese – një kujtesë se, në situatën aktuale të shtypjes së mediave të lira në Ballkan, gazetarët nuk mund të mbështeten shumë te drejtësia. Kjo është për shkak se sistemi i drejtësisë kontrollohet nga politika dhe është shumë në shërbim të saj.

Ajo që “ndodhi më pas” është se nuk ndodhi asgjë me hetimin e sulmit ndaj makinës time, ndërkohë që ndjeva akoma më shumë presion dhe diskriminim në mënyrë direkte dhe indirekte në vendin tim të punës.

Serbeze Haxhiaj. Foto: BIRN.

Në të vërtetë, besimi im te policia dhe prokuroria ishte shkatërruar disa vite më parë, kur, në një rast kërcënimi që e kisha raportuar në polici, një nga hetuesit e policisë ndryshoi gjendjen faktike gjatë procesit të hetimit. M’u desh të kaloja dy dy procedura gjyqësore për ta fituar këtë rast.

Duke jetuar në një vend që Freedom House e rendit midis vendeve “pjesërisht të lira” të Europës, ku gazetarët e pavarur janë pothuajse të rrethuar nga të gjitha anët, mund të ngecësh në një paradoks të menduari se nëse puna jote nuk është shumë e njohur ose nuk lexohet gjerësisht, kjo nuk do të të shkaktojë shumë probleme.

Por kërcënimet ndaj gazetarisë shpesh nuk janë dhe aq të drejtpërdrejta. Sulmet fizike ndaj gazetarëve po bëhen gjithnjë e më të panevojshme, sepse mjetet e përdorura kundër gazetarëve që refuzojnë të jenë mercenarë funksionojnë mjaft mirë për të reduktuar shumicën e tyre në heshtje. Tani ka më pak nevojë për dramë, sepse ata e kanë shpërbërë virtualisht tashmë median e lirë.

Megjithatë, kanosja apo etiketimi i gazetarëve që e kuptojnë profesionin e tyre si në shërbim të publikut, jo të pushtetit, është ende një problem i madh në mentalitetin e tyre.

Në këtë mjedis të të bërit gazetari nën presion, është zhgënjyese që shumë gazetarë, qoftë nëpërmjet oportunizmit apo në shërbim të politikës, heshtin rreth sulmeve ndaj kolegëve të tyre. Frika dhe interesi mbizotërojnë mbi solidaritetin mes shumicës së gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

Disa nga sulmet më agresive ndaj meje kanë ardhur nga gazetarë që kanë kaluar në shërbim të politikës. Në një prej mesazheve armiqësore që kam marrë online thuhej: “Po bëhesh si një produkt i Sputnikut”, duke iu referuar agjencisë famëkeqe shtetërore ruse. Ai mesazh erdhi nga një prej ish-kolegëve të mi që tani është pjesë e qeverisë, pas raportimeve të mia një rast të keqpërdorimit të parave publike.

Në Kosovë, referencat ndaj Serbisë dhe Rusisë janë mbulime të mira për sulme ndaj të gjithë atyre që kritikojnë korrupsionin, krimin e organizuar apo abuzime të tjera. Njësoj si kudo tjetër në Ballkan, njerëzit në Kosovë janë shumë të ndjeshëm ndaj retorikës politike dhe propagandës. Për të dëmtuar solidaritetin midis gazetarëve, ndonjëherë ju duhet thjesht të përhapni fjalë për besueshmërinë e tyre.

Në një situatë presioni të madh, kërcënimesh dhe vështirësish të tjera, është e lehtë të ndiesh se nuk je i sigurt dhe je pa mbrojtje. Kjo është arsyeja përse gazetarët duhet të ngrihen së bashku, sepse të ndarë ne do të biem.

Ndërkohë, një numër gjithnjë e në rritje mediash në përgjithësi i janë bashkuar shtysës drejt tabloidizimit, duke reduktuar hulumtimet e duhura që sigurojnë informacione të vërtetë. Kështu, informacioni i bazuar dhe gazetaria bazuar në parimet etike janë bërë viktima.

Shkurtimisht, thirrja për të mbrojtur gazetarët dhe gazetarinë nuk është thjesht një thirrje për mbrojtjen nga lart-poshtë të lirisë së fjalës; thirrja vjen edhe nga brenda.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate. Jo për ripublikim.

Lexoni investigimin tonë në lidhje me abuzimet online me të cilat përballen çdo ditë gazetaret femra në Ballkan.