Në një pyetje-përgjigje me shkrim për BIRN, kryetarja e Bordit të Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR, Genoveva Ruiz Calavera, shprehet se reforma në drejtësi kërkon përgjegjshmëri nga të gjithë aktorët.
Pyetje: Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke e kushtëzuar rekomandimin e tij me zbatimin e ligjit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Ndonëse negociatat e anëtarësimit mbeten një nxitje e fuqishme për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt reformave që lidhen me BE-në, ka ende rezistencë të madhe nga disa aktorë politikë dhe institucionalë kundër reformës së gjyqësorit. Çfarë do të bëjë BE-ja për ta kapërcyer këtë rezistencë që kërcënon ta pengojë zbatimin e reformës?
Përgjigje: Miratimi njëzëri nga Kuvendi i Shqipërisë në korrik 2016 i ndryshimeve kushtetuese që shtruan udhën për një reformë drejtësie të plotë e të gjerë ishte një hap i jashtëzakonshëm.
Debati në Parlament tregoi se, siç është normale për procese reformash komplekse dhe në sektorë të gjerë, mund të ketë shumë divergjenca thelbësore mes partive politike. Megjithatë, në atë rast institucionet politike mundën të pajtonin dallimet dhe të ecnin përpara, duke ndryshuar një të tretën e Kushtetutës me një votë unanime historike.
Tani që reforma ka nisur të zbatohet, kërkohet më shumë se kurrë një udhëheqje e përgjegjshme nga të gjithë aktorët. Pres që palët institucionale dhe politike ta ruajnë fokusin mbi objektivat e kësaj reforme. Kjo është kyçe për rrënjosjen e shtetit ligjor në vend, por edhe për rritjen dhe zhvillimin socio-ekonomik. Zbatimi i reformës së gjyqësorit është kyç që Shqipëria të ecë në udhën e saj evropiane, por ajo çka është më e rëndësishme, le të mos harrojmë se shumica më e madhe e qytetarëve anembanë Shqipërisë e kanë mbështetur këtë proces reforme dhe presin zbatimin rigoroz të saj.
Pyetje: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shprehur shqetësime publike se procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Gjyqësor nuk ishte në frymën e Kushtetutës. Ka BE-ja ndonjë mendim lidhur me këtë?
Përgjigje: Ristrukturimi i qeverisjes brenda strukturës gjyqësore është guri i themelit i reformës. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të ketë një rol me rëndësi në arkitekturën institucionale të riprojektuar të sektorit. Pritshmëria kryesore që ka BE-ja lidhur me këtë është që gjithë aktorët vendas që mbajnë përgjegjësi të përcaktuara nga Kushtetuta për krijimin e këtij organi, të kontribuojnë në mënyrë profesionale dhe me rigorozitet për këtë përpjekje.
Pyetje: BE-ja u ka bërë thirrje publike gjithë juristëve shqiptarë që të aplikojnë me qëllim që të shërbejnë në Komisionin e Vetingut. A është kjo thirrje shenjë e mungesës së interesit për të shërbyer në komision? A është BE-ja e shqetësuar se për shkak të klimës politike përçarëse në Shqipëri, ndoshta kandidatët më të kualifikuar do t’i qëndrojnë larg aplikimit?
Përgjigje: Delegacioni i BE-së në Tiranë ka nxjerrë një deklaratë që tërheq vëmendjen e qytetarëve të Shqipërisë për thirrjen për organet e vetingut. Procesi i rivlerësimit të gjyqësorit kombëtar do të jetë tërësor. Të gjithë anëtarët e gjyqësorit do t’i nënshtrohen vetingut. Vendim-marrja lidhur me procesin e vetingut do të mbështetet tërësisht brenda kompetencave të organeve kombëtare të vetingut që po ngrihen. Prandaj është me rëndësi të jashtëzakonshme që të rritet ndërgjegjësimi për këtë thirrje në nivelin maksimal, në mënyrë që qytetarët që kanë përvojën dhe profilin e parashikuar nga ligji, ta marrin në konsideratë këtë mundësi dhe të paraqesin aplikimin e tyre.
Jemi gjithashtu shumë të kënaqur që mësuam se Zyra e Avokatit të Popullit, që po menaxhon procesin e aplikimit dhe që ka bërë thirrjen, ka kërkuar menjëherë dhe ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’i dhënë vizibilitet kësaj thirrjeje edhe mes qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë.
Pyetje: Komisioni i Vetingut do të mbështetet dhe monitorohet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Si do të strukturohet ky Operacion Monitorimi, kush do të jenë anëtarët e tij (sa gjyqtarë dhe prokurorë), çfarë lloj roli do të luajnë ata?
Përgjigje: Unë besoj se deri në njëfarë mase titulli i operacionit tonë është tashmë mjaft i qartë dhe nuk duhet të ketë vend për dyshime. Roli ynë është që të monitorojmë punën që do të kryejnë autoritetet kombëtare përgjegjëse. Me fjalë të tjera, komuniteti ndërkombëtar nuk do të zëvendësojë në asnjë mënyrë institucionet shqiptare.
Kushtetuta shqiptare dhe legjislacioni përkatës parashikojnë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) do të mbikëqyrë rivlerësimin e të gjithë anëtarëve të gjyqësorit, por para se kjo të fillojë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit pritet gjithashtu të monitorojë procesin për krijimin e organeve të vetingut. Megjithatë, as gjatë fazës para vetingut, as gjatë procesit të rivlerësimit, komuniteti ndërkombëtar nuk do të ketë funksion ekzekutiv. Kjo duhet të jetë e qartë.
Si pjesë e ONM-së, ka ardhur një ekip afatshkurtër vëzhguesish me mandat për të mbikëqyrur fazën para vetingut. Këta vëzhgues janë të gjithë profesionistë të shquar nga gjyqësorët e Shteteve Anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Janë rekrutuar gjyqtarë dhe prokurorë të nivelit të lartë.
Kur të nisë procesi i rivlerësimit, detyrat thelbësore monitoruese do të kryhen nga një ekip afatgjatë vëzhguesish që aktualisht po mblidhet. Të gjitha këto aktivitete po ndërmerren në bashkëpunim të ngushtë mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Pyetje: Cili është roli i bordit mbikëqyrës të Operacionit Ndërkombëtar Monitorues?
Përgjigje: Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit po operon nën drejtimin e Komisionit Evropian dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai do të mbikëqyret nga një Bord Menaxhimi, që e mbajti takimin e tij themelues [dje] në Tiranë, nën kryesimin tim. Bordi i Menaxhimit përbëhet nga përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Bordi i Menaxhimit do të mblidhet periodikisht për të diskutuar progresin e Shqipërisë në zbatimin e procesit të vetingut.
Më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi për të njoftuar se Bordi i Menaxhimit i ONM-së ka nxjerrë gjithashtu një faqe informative me përgjigje të detajuara për pyetjet më të shpeshta që janë ngritur në vëmendjen tonë gjatë ditëve të fundit mbi rolin dhe përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në procesin e vetingut. Kjo gjendet gjithashtu në faqen e internetit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, kështu që media dhe publiku i gjerë mund të njihen më mirë me rolin tonë specifik me më shumë hollësi. Ne kemi aktivizuar gjithashtu një adresë të veçantë për pyetje:
Pyetje: Çfarë lloj asistence financiare po siguron BE-ja për reformën e drejtësisë në Shqipëri?
Përgjigje: BE-ja është donatori kryesor në sektorin e drejtësisë dhe ka siguruar mbështetje të madhe për autoritetet shqiptare në fushat e reformës së drejtësisë. Fondet e mëparshme të BE-së fokusoheshin në reforma kyçe institucionale dhe ndërtim kapaciteti (EURALIUS IV) të aktorëve të ndryshëm brenda gjyqësorit, kryesisht përmes asistencës për modernizimin e sistemit të drejtësisë. Veç kësaj, një numër projektesh infrastrukturore kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme kapacitetin e sistemit gjyqësor dhe ndëshkimor për të përmbushur standardet ndërkombëtare. Programi EURALIUS V që do të fillojë së shpejti do të fokusohet te mbështetja për institucionet e reja nga pikëvështrimi i ndërtimit të kapaciteteve.
Ne synojmë të vazhdojmë të sigurojmë mbështetje për aktivitetet në terren të Operacionit Ndërkombëtar Monitorues për mbikëqyrjen e procesit të vetingut. Më këtë mbështetje, BE-ja do të ndihmojë për konsolidimin e pavarësisë, transparencës, efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe besimit publik në sistemin gjyqësor shqiptar. Asistenca do ta afrojë gjyqësorin shqiptar me legjislacionin evropian (acquis) dhe praktikat më të mira të BE-së, si dhe do të forcojë kapacitetet e institucioneve të gjithë gjyqësorit.
Pyetje: Pritshmëritë e publikut për reformën e gjyqësorit dhe Operacionin Ndërkombëtar i Monitorimit që do të ndihmojë procesin e vetigut janë të mëdha. Çfarë lloj mekanizmi transparence do të përdorë ky Operacion?
Përgjigje: Kërkesat për transparencë për procesin e vetingut parashikohen nga legjislacioni përkatës. Transparenca, ndërgjegjësimi publik dhe angazhimi me shoqërinë civile janë po ashtu karakteristika të qëndrueshme të angazhimit të BE-së me vendet e Zgjerimit. Duke qenë të ndërgjegjshëm për ndjeshmërinë e procesit të vetingut dhe pritshmëritë e mëdha të publikut të gjerë në Shqipëri, ne do të garantojmë komunikimin dhe informacion e duhur përmes faqes së internetit: http://bit.ly/2kKËDNh
Pyetje: Një nga supozimet për punën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është që autoritetet shqiptare do t’i përkushtohen tërësisht punës për arritjen e objektivave të tij. A ka BE-ja plane alternative nëse angazhimi nga autoritetet vendore nuk do të jetë i kënaqshëm?
Përgjigje: Qëkur ligji i vetingut ka hyrë në fuqi, zbatimi ka përparuar me lehtësi. Të gjitha institucionet kompetente i kanë kryer rolet e tyre me saktësi dhe profesionalizëm. Ne presim që procesi të vazhdojë të kryhet gjatë gjithë stadeve të tjera me po atë kujdes, integritet të fuqishëm dhe angazhim. Roli ynë si vëzhgues të jashtëm është që ta mbikëqyrim dhe “shoqërojmë” procesin.