Bisedimet që do të sjellin formimin ose jo të një qeverie të re në Maqedoni kanë ngecur te çështja e gjuhës shqipe, ku të dyja partitë e përfshira po e mbajnë dialogut sekret.
Më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të dhjetorit, kërkesa e gjuhës shqipe mbetet pengesa kryesore mes Social Demokratëve në opozitë, SDSM, dhe Bashkimit Demokratik për Integrim të shqiptarëve etnikë, BDI, në bisedimet e tyre për formimin e një qeverie të re.
SDSM të shtunën konfirmoi se i ishte përgjigjur propozimit të BDI për një ligj të ri që do të zgjeronte përdorimin e gjuhës shqipe në vend.
Ndërsa partia la të kuptohet se diferencat kryesore në mes saj dhe BDI mbi çështjen e gjuhës ishin kapërcyer, ajo nuk dha asnjë detaj në lidhje me përmbajtjen e saktë të propozimit.
Më parë, lideri i SDSM Zoran Zaev tha se ishte optimist për një marrëveshje me BDI dhe shtoi: “Çdo gjë që është në kuadër të kushtetutës, që përfaqëson nevojat reale të njerëzve … është e pranueshme”.
Por BDI, nga e cila SDSM varet nëse do të grumbullojë një shumicë parlamentare apo jo, sugjeroi se kërkonte plotësim të të gjitha kushteve në lidhje me gjuhën shqipe ose marrëveshja nuk bëhej.
Gjuha shqipe është aktualisht gjuhë zyrtare vetëm në ato zona ku shqiptarët përbëjnë të paktën 20 për qind të popullsisë. Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë në total.
“Nuk mund të ketë bisedime për ndryshime në tekst [mbi ligjin e propozuar nga BDI për gjuhën]. Mund të përmirësohet nga ana e cilësisë, por nuk mundet, në asnjë rrethanë, të ngushtohet në asnjë formë,” tha të dielën zëdhënësi i BDI, Bujar Osmani.
BDI gjatë fundjavës u konsultua parti të tjera etnike shqiptare mbi çështjen e gjuhës, dhe njoftoi formimin e menjëhershëm të një organi të përbashkët që do të koordinonte kalimin në ligj të propozimit të tyre përfundimtar.
SDSM, që fitoi 49 nga 120 vendet në parlament ka nevojë për mbështetjen e BDI, e cila fitoi 10 vende dhe të së paku edhe një partie tjetër shqiptare në mënyrë që të arrijë shumicën prej 61 deputetësh.
Që kur ish-partia në pushtet VMRO DPMNE nuk arriti të formojë një qeveri me ish-aleatin e saj prej kohësh, BDI, ajo ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, mbase në maj, që përkojnë me zgjedhjet e zakonshme lokale.
Por një sondazh i fundit i opinionit i kryer nga agjencia M Prospect ka sugjeruar se zgjedhjet e reja nuk do t’i japin fund krizës politike në Maqedoni.
Zgjedhjet e reja do të përfundonin sërish në një rezultat të ngushtë mes partive në pushtet dhe opozitës, ka treguar sondazhi, duke e lënë krizën politike të pazgjidhur.
Kishte shpresa që zgjedhjet e 11 dhjetorit do ta zgjidhnin krizën në Maqedoni, e cila rrotullohet te akuzat e opozitës se qeveria e partisë VMRO DPMNE me në krye me Nikolla Gruevskin ka ideuar një skemë të paligjshme të survejimit masiv. Gruevski i ka mohuar akuzat.