Lajm20 Nov 2020

Gjykata Administrative rrëzon kërkesën e turkut Simsek për të bllokuar dëbimin

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi një kërkesë të turkut Selami Simsek për sigurim padie apo bllokim të ndonjë përpjekje për dëbimin e tij në Turqi pa u shqyrtuar në themel kërkesa për azil. Avokati i Simsek tha se do të apelonte vendimin.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Selami Simsek në Gjykatën e Tiranës më 27 Janar 2020. Foto: Malton Dibra/LSA

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka rrëzuar një kërkesë të turkut Selami Simsek për sigurim padie dhe bllokim të përpjekje për dëbimin e tij në Turqi deri në shqyrtimin përfundimtar të kërkesës për azil, por vendimi i arsyetuar ende nuk është zbardhur.

Avokati i Simsek, Elton Hyseni, i tha BIRN se ai do ta apelonte vendimin, por shpjegoi se për çështjen “nuk kishin ardhur prova nga Turqia”. Hyseni tha se ndërsa vendimi e ekspozonte Simsek para dëbimit, ai ende ishte duke u gjykuar në një çështje penale në vend gjë që e pengonte largimin dhe po ashtu tha se priste që autoritetet të ishin të kujdesshme për shkak të presionit publik mbi rastin.

Avokati tha se ai ende nuk e kishte marrë vendimin e zbardhur dhe nuk mund të fliste mbi arsyetimin e gjykatës.

Rasti i Simsek po shqyrtohet në Gjykatën Administrative pasi më herët Komisioni Kombëtar për Azilin e Refugjatët, vendosi të rrëzonte kërkesën e tij për azil bazuar kryesisht mbi procedurën dhe afatet e ankimit.

Selami Simsek u arrestua korrikun e vitit të kaluar me një vizë kanadeze false në Rinas,  së bashku me mësuesin Harun Çelik. Ata pretenduan se po arratiseshin, pasi përndiqeshin nga Turqia si pjesë e lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen.

Më 1 janar, Shqipëria dëboi Harun Çelik pavarësisht thirrjeve të tij në kërkim të azilit. Çelik u burgos menjëherë sapo mbërriti në Turqi, ndërsa Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu raportoi se ai ishte kapur në një operacion ku ishte përfshirë dhe shërbimi sekret turk, MIT.

Në një proces të ndarë gjyqësor, Selami Simsek u dënua më 27 janar nga Gjykata e Tiranës me një vit e gjysmë burg, ndërsa përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak se pranoi fajin dhe shprehu pendesë.

Ai u lirua nga burgu pasditen e 9 marsit 2020 dhe u shoqërua nga policia tek Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Laprakë, ku bëri kërkesën për azil. Pas një sërë peripecish, Simsek u shoqërua në Qendrën e Mbyllur për të Huajt në Karreç në periferi të Tiranës, ku ndodhet edhe aktualisht.

Rasti i Simsek dhe bashkëudhëtarit të tij të dëbuar, Harun Çelik ka nxitur hetime për akuza të rrëmbimit të personit dhe zhdukjes nga një grup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndalimet Arbitrare, i cili i dërgoi Shqipërisë një listë pyetjesh në maj.