Lajm8 Jun 2021

Gjykata e Hagës konfirmon dënimin me burgim të përjetshëm për Mlladiçin

Gjykata e Kombeve të Bashkuara refuzoi apelin e ish-kreut ushtarak serb të Bosnjës dhe e dënoi atë me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Autor: Dzana Brkanic BIRN Sarajevë
Printo

Ratko Mlladiç, ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjes në Gjykatën e Hagës. Foto: GJPNJ.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë të martën konfirmoi se Ratko Mlladiç do të vuajë një dënim me burgim të përjetshëm për rolin e tij në mizoritë më të këqija në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhoma e apelit e gjykatës la në fuqi vendimin që e dënon ish-liderin serb të Bosnjës për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe sulmesh me snajpera gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Por Mlladiç u lirua nga akuza për gjenocid në pesë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992 – Prijedor, Sanski Most, Kotor Varos, Foca dhe Vlasenica.

Në një seancë të zhvilluar nën masa kufizuese për shkak të pandemisë dhe të shoqëruar me probleme teknike, me kryetaren e trupit gjykues Prisca Matimba Nyambe që mori pjesë në seancë nëpërmjet lidhjes me video, gjykata hodhi poshtë pretendimet nga Mlladiç se ai nuk pati një gjykim të drejtë, ose se problemet e tij shëndetësore ishin anashkaluar.

Mlladiç, 78 vjeç, mori pjesë në seancën gjyqësore personalisht, i veshur me një kostum të errët dhe kravatë blu, i shoqëruar nga një këshilltar ligjor, por pa ekipin e tij të zakonshëm ligjor.

Gjykata hodhi poshtë argumentin e Mlladiç se ai nuk ishte i pranishëm fizikisht gjatë vrasjeve të më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica në korrik 1995 dhe ra dakord me gjetjen e vendimit fillestar se ai ishte pjesë e “një plani të përbashkët kriminal për të kryer gjenocid, shfarosje dhe vrasje”.

Ajo gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e tij se veprimet e tij në Srebrenica ishin në të vërtetë “humanitare”.

“Dhoma e apelit, me gjyqtaren Nyambe që kundërshton, i konsideron jo bindëse  pretendimet e Mlladiçit se ai veproi me qëllimin për të kryer një evakuim humanitar të civilëve”, tha gjykatësja Nyambe.

Gjykata më tej hodhi poshtë pretendimet e tij se “ai thjesht kërkonte sukses ushtarak të ligjshëm dhe jo largim të përhershëm të civilëve myslimanë boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës” nga komunat në të gjithë vendin gjatë luftës 1992-1995.

Ajo gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e tij se Sarajeva ishte një “qytet i mbrojtur” gjatë rrethimit të saj nga forcat serbe të Bosnjës dhe mbështeti gjetjet e vendimit fillestar që thanë se ai kishte “si objektiv përhapjen e terrorit midis popullatës civile të Sarajevës përmes një fushate sulmesh me snajper dhe granatimi, përfshirë përmes kryerjes së vrasjeve, terrorit dhe sulmeve të paligjshme kundër civilëve”.

Megjithatë, gjykatësit hodhën poshtë apelin e prokurorisë në lidhje me gjenocidin e pretenduar në pesë komuna boshnjake në vitin 1992, duke thënë se ajo nuk kishte demonstruar ekzistencën e një kërcënimi për mbijetesën e boshnjakëve në këto komunitete.

Vendimi i fajësisë u mirëprit nga të mbijetuarit e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Refija Hadzibuliç, një nga nënat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, tha se kjo ishte një njohje e vuajtjeve të tyre.

“Për ne do të thotë shumë të dimë se ka pasur një gjenocid, se ata kanë kryer gjenocid. Sepse ata gjithmonë e mohojnë këtë. Dhe tani ata nuk mund ta mohojnë këtë. E gjithë bota e shikon se çfarë ndodhi dhe se çfarë bënë ata”, tha Hadzibuliç.

Vendimi u mirëprit gjithashtu nga udhëheqësit politikë perëndimorë duke përfshirë presidentin amerikan Joe Biden.

“Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe stabilitetit për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj që liderët në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”, tha Biden.

“Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mlladiçit. Ne nuk mund ta fshijmë kurrë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të ofrojë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar”, shtoi ai.

Anëtarët boshnjakë dhe kroatë të presidencës trepalëshe boshnjake gjithashtu e mirëpritën vendimin, por disa serbë vazhduan ta akuzojnë gjykatën për njëanshmëri.

Kreu i presidencës trepalëshe, Milorad Dodik, i cili ka qenë prej kohësh politikani më i fuqishëm serb i Bosnjës në vend, tha se vendimi për Mlladiçin “nuk ka asnjë lidhje me ligjin dhe drejtësinë”.

Dodik tha në një konferencë për shtyp se gjyqi u mbajt me qëllim që të “satanizojë” serbët dhe pretendoi se “po bëhet një përpjekje për të krijuar një mit rreth gjenocidit në Srebrenicë, i cili nuk ndodhi”.

Vendimi i së martës është i formës së prerë dhe nuk mund të apelohet.