Lajm11 May 2019

Gjykata liron biznesmenin në qendër të skandalit të pronave

Gjykata e Vlorës ka liruar nga paraburgimi në shkëmbim të garancisë pasurore biznesmenin Pëllumb Petritaj, i cili dyshohet për tjetërsimin e 100 hektarëve tokë në Zvërnec.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Tiranë
Printo

Manastiri i Zvërnecit | Foto nga : Wikipedia

Gjykata e Vlorës ka liruar pas 7 muajsh paraburgimi biznesmenin kontrovers Pëllumb Petritaj,  i akuzuar për tjetërsimin e 100 hektarëve tokë në fshatin Akërni të Vlorës.

Petritaj ka arritur të bind gjyqtarin Ervin Trashi për konvertimin e arrestit me burg në garanci pasurore në vlerën e 2.5 milionë lekëve. Ekzekutimi i vendimit është bërë të enjten e 9 majit. Në dosjen penale Petritaj akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Megjithatë, tjetërsimi i pronës në fshatin Akërni nuk është akuza e vetme që rëndon mbi Petritaj.

Në prill të këtij viti Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e shpalli atë fajtor për falsifikim të dokumenteve për tjetërsimin e 150 hektarëve të tjerë tokë në Zvërnec. Ai u dënua bashkë me tre punonjës të agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë , për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Çështja është apeluar, por ende nuk ka një vendim nga Gjykata e Apelit të Vlorës.

Ndërkohë emri i Petritaj del edhe në disa procese të ngjashme. Ai u mor fillimisht në hetim në vitin 2016, por më pas nuk u procedua si i akuzuar për tjetërsimin e një sipërfaqe prej 220 hektarë në Karaburun, 89 hektarëve tokë në Zvërnec dhe 33 hektarë tokë në Palasë.

Petritaj i ka mohuar akuzat, ndërsa ka akuzuar prokurorinë dhe gjykatën për njëanshmëri në çështjet ndaj tij.

Për të njëjtën çështje është dënuar në mungesë  me katër vite heqje lirie, aktualisht e shpallur në kërkim Blerina Dhrami (Brahimaj) – ish-juriste e Hipotekës së Vlorës.