Gjykata mbylli hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke rrëzuar pretendimin e LSI se ai kishte abuzuar me detyrën, kur u bëri thirrje punonjësve të policisë të përshiheshin në fushatë. Manjani: Drejtësia është kokëulur para kryeministrit.
Gjykata e Beratit vendosi të pranojë mbylljen e hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama dhe rrëzoi ankesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Gjykata vendosi të pranojë arsyetimin e prokurorisë se “nuk ka elemente objektiv dhe subjektiv për fillimin e çështjes penale”.
Ish-Ministri i Drejtësisë i cili u largua nga Rama në muajt e fundit të koalicionit mes LSI dhe PS, Ylli Manjani që përfaqësoi LSI si avokat në këtë çështje e cilësoi absurd vendimin dhe gjykatën të varur nga kryeministri. “Drejtësia kokëulur para kryeministrit”, tha Manjani pas vendimit. Ai akuzoi Ramën si “rrezik për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri”.
Rama akuzohej nga LSI se kishte shkelur Neni 328/a i Kodit Penal, duke përdorur funksionin publik në fushatë elektorale, por Prokuroria e Përgjithshme i pushoi hetimet. LSI bëri menjëherë pas kësaj një ankesë në Gjykatën e Beratit, duke pretenduar se vendimi i prokurorisë për mbyllje hetimesh nuk ishte i ligjshëm.
Akuza bazohej në një thirrje të kryeministrit gjatë një mitingu elektoral, kur ai kërkoi që punonjësit e policisë të përfshiheshin në fushatë. Rama më pas kërkoi falje duke u justifikuar se nuk kishte qenë ky qëllimi dhe duke pranuar se kishte gabuar. Megjithatë deklarata e tij u cilësua nga kundërshtarët si një shkelje e rëndë e ligjit. LSI e cila ishte sfiduesja e PS-së në Berat akuzoi kryeministrin edhe për disa incidente që ndodhën në zonë gjatë fushatës duke pretenduar edhe përfshirje të policisë. Manjani tha se kërkesa e faljes nga Rama ishte provë për fajësinë e tij në këtë rast.
Por hetimet për këtë thirrje nuk u filluan nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila tha se nuk gjeti vepër penale. LSI ankoi vendimin në Gjykatën e Beratit e cila po ashtu mesditën e së hënës rrëzoi kërkesën-ankimuese të LSI-së kundër vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme, për mosfillimit e proçedimit penal ndaj Ramës për thirrjet politike të bëra prej tij në fushatën elektorale.
Në seancën e dytë dhe të fundit për këtë ankimim gjyqtarja Lutfije Çelami, pasi ka dëgjuar argumetet e Prokurorisë së Beratit dhe pretendimet e avokatit ish-ministrit i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së LSI-së dhe mbylljen e procesit gjyqësor.