Në gjyqin mes dy kompanive koncensionare të HEC-eve kundër Shoqatës Toka dhe aktivistes Catherine Bohne, palët i dhanë fund hetimit gjyqësor duke iu afruar dhënies së një vendimi.
Në seancën e radhës, në mosmarrëveshjen gjyqësore mes kompanive ndërtuese të HEC-eve në Valbonë, Dragobia Energy dhe Gener 2 kundër Shoqatës Toka dhe aktivistes mjedisore Catherine Bohne, palët ranë dakord t’i japin fund hetimit gjyqësor, duke afruar kështu fundin e procesit.
Avokatja e Gener 2, Mine Proganati kërkoi nga gjykata rezervimin e të drejtës për të marrë më shumë kohë për përgatitjen e diskutimeve përfundimtare me shkrim, kërkesë që u miratua me dakordësinë e të paditurve.
Gjatë tre seancave të shkuara, që nga hapja e çështjes më 15 janar 2018, palët kanë dhënë përpara Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës argumentet e tyre duke shpalosur dhe pretendimet përkatëse.
Paditësit Gener 2, fituese e koncensionit të dy HEC-eve që po ndërtohen në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe Dragobia Energy, një kompani në pronësi të Gener 2 por zbatuese e projektit, akuzojnë të paditurit se kanë tejkaluar lirinë e shprehjes duke hedhur baltë dhe shpifje ndaj dy kompanive duke sjellë kështu dëmtim të imazhit.
Paditësit kanë paraqitur si prova deklarata mediatike të aktivistëve kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë, ku ndër të tjera kompania Gener 2 cilësohet si një “kompani e pisët”, shkatërrimtare për mjedisin dhe me cilësi të dobëta punimesh. Ato kërkojnë një dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh nga të paditurit dhe kërcënuan më herët aktivistët me një padi penale.
Shoqata Toka dhe aktivistja Catherine Bohne që e drejton atë, në bankën e të paditurve, argumentuan përgjatë muajve të fundit përpara gjykatës se deklaratat e tyre përbëjnë opinione dhe se mbrohen nga Kushtetuta e Shqipërisë përmes lirisë së shprehjes. Ata gjithashtu janë shprehur se kjo është një përpjekje nga ana e kompanisë për t’u mbyllur aktivistëve gojën dhe se paditësit nuk e kanë provuar ekzistencën e dëmit dhe elementët e tij. Toka dhe Bohne kërkuan rrëzimin e padisë.
Në seancën e të mërkurës, 13 qershor, avokatja e kompanive Mine Progonati dorëzoi gjithashtu përpara Gjykatës së Tiranës një vendim të Shkallës së Parë tëGjykatës Administrative, në një gjyq të ndarë mes aktivistëve dhe autoriteteve shtetërore, ku gjykata i cilëson projektet e hidrocentraleve si të rregullta.
Megjithatë një ditë më parë, me një vendim surprizë, Gjykata Administrative e Apelit konfirmoi se më 6 qershor ka vendosur të sigurojë padinë duke marrë në konsideratë “rrezikun e dëmtimeve të pakthyeshme” në Valbonë, që sipas 27 banorëve paditës të fshatit Margegaj dhe Shoqatës Toka, nënkupton ndalimin e punimeve për HEC-et.
Avokatja e Gener 2 e quajti vendimin të marrë në shkelje me ligjin dhe tha se nuk mendonte se do të kishte efekt mbi punimet.
Përplasjet mes koncensionarëve të HEC-eve në Valbonë dhe aktivistëve që kërkojnë një Park Kombëtar pa hidrocentrale kanë qenë të vazhdueshme në dy vitet e fundit, kur u zbuluan koncensionet dhe lejet e dhëna nga qeveria shqiptare prej vitit 2009. Aktivistët pretendojnë se hidrocentralet nuk kanë vend në një park kombëtar që duhet të fokusohet te ruajtja e mjedisit dhe turizmi, ndërsa kompanitë fituese të koncensioneve thonë se projektet e tyre janë dhënë nga shteti dhe se nuk dëmtojnë natyrën.
Seanca e radhës në Gjykatën e Tiranës do të zhvillohet më 18 qershor, ku palët do të paraqesin përpara gjyqtares Eneida Civici pretendimet e tyre me shkrim, duke i hapur rrugë dhënies së vendimit.