Në një seancë të shkurtër dëgjimore, gjyqtari Binaj shpjegoi rrethanat mbi një apartament të falur nga e motra, ndërkohë që kaloi pa probleme testin e figurës dhe atë të aftësive profesionale.
Gjyqtari i Apelit për Krime të Rënda, Sokol Binaj u ballafaqua mëngjesin e së premtes me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tre kriteret e rivlerësimit; për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Gjyqtari Binaj, i cili shërben prej 15 vitesh në të njëjtën gjykatë u paraqit i vetëm përballë trupës gjyqësore të drejtuar nga Firdes Shuli, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Etleda Çiftja. I pranishëm në sallë ishte edhe përfaqësuesi i ONM-së, John Leonardo.
Relatorja Qirko relatoi në seancën dëgjimore se Komisioni nuk kishte gjetur probleme me pasuritë e deklaruara; një apartament prej 62.9 m2 të blerë në vitin 1993 së bashku me të vëllanë dhe një automjet “Citroen C3”, blerë në vitin 2009 përmes një kontrate leasing. Sipas relatores, gjyqtari Binaj zotëron 100% të apartamentit pasi vëllai i ka falur pjesën e tij, ndërkohë që kredia për makinën rezulton të jetë shlyer.
Komisioni ka arritur në përfundimin se deklarimet e subjektit përputhen me gjetjet për të dyja pasuritë. Analiza financiare e kryer ka rezultuar gjithashtu me bilanc pozitiv. Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ngritur pikëpyetje mbi një apartament të falur nga motra në vitin 2017 dhe i ka kaluar Binajt barrën e provës mbi të ardhurat e së motrës.
Gjyqtari Sokol Binaj ka punuar si gjyqtar deri në fillim të viteve ’90 dhe më pas ka dhënë dorëheqjen, për të punuar si konsulent për kompani të huaja. Ai është larguar drejt Italisë në vitin 1992 dhe sipas shpjegimeve të tij para Komisionit, ai ka punuar si konsulent dhe më pas ka hapur një biznes makinash me qira në vendin fqinj.
Binaj është kthyer në vitin 2001 nga Italia dhe është përfshirë sërish në sistemin gjyqësor. Ai punon në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda prej vitit 2004.
Gjyqtari Binaj shpjegoi më pas se apartamenti i tij dhe ai i falur prej motrës gjenden në të njëjtin pallat dhe janë privatizuar në vitin 1992, në këmbim të apartamentit të prindërve. Ai shtoi më tej se motra kishte shkuar në vitin 1996 në Itali dhe kishte punuar si shtëpiake deri në vitin 2001, kur i është formalizuar puna.
Apartamenti ka qenë fillimisht në bashkëpronësinë e saj dhe të bashkëshortit, por pas divorcit mes tyre, ajo ka blerë edhe pjesën e ish-bashkëshortit për 2.7 milionë lekë. Komisioni i ka kërkuar gjyqtarit Binaj që të sjellë prova për këto të ardhura të së motrës, ndërkohë që ai deklaroi në fjalën e tij se i kishte depozituar ato pranë KPK-së.
Gjatë hetimit mbi pasurinë, KPK ka verifikuar edhe automjetet me të cilat gjyqtari ka udhëtuar janë shtetit. “Subjekti ka dhënë shpjegime, të cilat do të merren parasysh në dhënien e vendimit,” tha relatorja Qirko.
Sa i përket verifikimit të figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka sjellë një raport pozitiv për gjyqtarin Binaj, duke e konsideruar atë të përshtatshëm. Edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka konstatuar se subjekti ka treguar cilësi të pranueshme në punë.
“Nuk konstatohen indicie apo elementë të mangësive profesionale. Ka eficencë në punë dhe ka kryer gjykime të drejta,” thuhet në raportin e KLGJ-së. Ndaj Binajt ishin depozituar dy denoncime nga publiku, të cilat nuk kanë rezultuar gjithashtu problematike.
Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Sokol Binaj tha se ishte dakord me ligjin për rivlerësimin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Kryesuesja e trupit gjykues tha se vendimi për të do të shpallet më 20 maj, në orën 9:30.