Lajm14 May 2018

Gjyqtarja Manjola Xhaxho kalon vetingun, konfirmohet në detyrë

Gjyqtarja Manjola Xhaxho, anëtare e Gjykatës së Tiranës dhe kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor e kaloi me sukses testin e vetingut.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Manjola Xhaxho, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit | Foto nga : LSA

Trupa gjyqësore e përfaqësuar nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari deklaroi të hënën konfirmimin në detyrë për gjyqtaren Manjola Xhaxho.

Manjola Xhaxho e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2002 si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, pozicion të cilin e mban edhe sot. Ajo ka ushtruar për tre vjet edhe detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatë të Lartë.

Xhaxho ka mbaruar shkollën e Magjistraturës si dhe ka kryer studimet Master për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në universitetin e Lundit në Suedi. Ajo ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh profesionale si dhe është përfshirë në rolin e ekspertes në disa projekte mbi Kodin Penal dhe drejtësinë për të miturit.

Gjatë hetimit administrativ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit theksoi se gjyqtarja jetonte në një apartament 2+1 me prindërit dhe se nuk zotëronte pasuri të tjera. Komisioni vlerësoi gjithashtu vërtetësinë e deklaratave të saj të pasurisë si dhe arriti në përfundimin se dy ankesat e drejtuara ndaj gjyqtares nuk rezultonin me shkelje.

Manjola Xhaxho është subjekti i tretë i rivlerësimit që konfirmohet në detyrë pas gjyqtares së Kushtetueses, Vitore Tusha dhe prokurores Fatjona Memçaj. Pesë zyrtarë të drejtësisë janë shkarkuar nga detyra për mosjustifikim të pasurisë, përfshirë tre gjyqtarë të Kushtetueses, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, gjyqtarit të Apelit, Besim Trezhnjeva dhe prokurores Besa Nikëhasani.