Analize30 Jul 2021

Globalizimi kundërpërgjigjet

Pandemia dhe fatkeqësitë e lidhura me ndryshimet klimatike në të gjithë botën tregojnë pamjaftueshmërinë e përpjekjeve për të adresuar aspektet problematike të globalizimit. I ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar ka treguar përsëri se është gjithçka tjetër përveçse një komunitet.

Autor: Richard N. Haass Project Syndicate Nju Jork
Printo

Foto ilstruese: Pixabay.

Vera e vitit 2021 do të mbahet mend kryesisht nga pandemia e vazhdueshme COVID-19 dhe përshpejtimi i ndryshimeve klimatike. Të dyja janë shfaqje të globalizimit dhe realitetit të një bote gjithnjë e më të përcaktuar nga rrjedhat e mëdha dhe të shpejta ndërkufitare të pothuajse çdo gjëje, duke filluar nga mallrat, shërbimet e deri te kapitali, të dhënat, terroristët dhe sëmundjet.

Në ditët e sotme pak gjëra qëndrojnë gjatë në një vend. Koronavirusi vdekjeprurës që u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës nuk mbeti atje dhe gazrat serrë të emetuara kudo ngrohin atmosferën dhe oqeanin ngado.

Këto dy kriza demonstrojnë pamjaftueshmërinë e përpjekjeve për të adresuar aspektet problematike të globalizimit. I ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar ka treguar përsëri se është gjithçka përveçse një komunitet. Furnizimi i vaksinave kundër COVID-19 është miliarda doza më pak sesa nevojitet. Fondet për të paguar për imunizimin global janë gjithashtu miliarda dollarë me pak sesa nevojitet. Qeveritë po i vënë vendet e tyre në vend të parë, edhe pse variantet me përhapje të shpejtë po shfaqen në popullata të nënvaksinuara gjetkë dhe janë indiferentë ndaj kufijve politikë.

Si rezultat, pandemia mbetet një kërcënim intensiv. Numri i të vdekurve deri më tani thuhet se është mbi katër milionë njerëz, por shifra reale është disa herë më e lartë, për shkak të sistemeve të gabuara të raportimit në disa raste dhe të keqllogaritjes së qëllimshme nga liderë populistë në Brazil, Indi, Hungari, Rusi dhe gjetkë. Pasojat ekonomike janë gjithashtu shumë të rëndësishme, me pandeminë që vlerësohet ta ketë ulur PBB -në globale me mbi 3%. Përafërsisht 100 milionë njerëz kanë rënë përsëri në varfëri ekstreme. Pabarazia midis dhe brenda vendeve është rritur.

Ajo që i bën këto zhvillime edhe më zhgënjyese është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për COVID-19 dhe posedojmë mjetet për ta bërë këtë. Ekzistojnë disa vaksina të sigurta dhe jashtëzakonisht efikase. Ajo që mbetet për t’u bërë është të rritet prodhimi për të përmbushur kërkesën globale.

Në disa vende, të tilla si Shtetet e Bashkuara, ajo që duhet bërë është e kundërta: të rritet kërkesa për të përmbushur rezervat në dispozicion. Hezitimi për t’u vaksinuar, i nxitur nga politika partizane ose dezinformime që qarkullojnë në diskutime në rrjetet sociale, televizione dhe radio është përhapur në mënyrë të rrezikshme. Nëse vaksinimi do të plotësohej me masat e shëndetit publik të njohura për ngadalësim të përhapjes së sëmundjes  – maskat, distancimi social, testimet e sakta, gjurmimi i kontakteve dhe karantina – do të kishte shumë më pak infektime të renda dhe pandemia siç e njohim ne do të venitej.

Efektet e krizës tjetër, ndryshimet klimatike, kanë mbërritur më shpejt nga sa parashikohej. Për vite me radhë, çdo përgjigje e përbashkët ndaj këtij kërcënimi është shtyrë, pavarësisht provave të qarta dhe në rritje që planeti po ngrohet. Por vera e vitit 2021 po tregon se ndryshimet klimatike janë shumë të rëndësishme dhe shumë urgjente.

Efektet e tyre janë të shumta. Në SHBA, zjarret në perëndim po dalin jashtë kontrollit ndërsa temperaturat rriten dhe tymi ka mbuluar pjesë të mëdha të vendit. Evropa dhe Kina po vuajnë nga përmbytje masive. Në Afrikë, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme, ka shenja thatësire të zgjatur. Humbjet e jetëve kanë qenë relativisht modeste, por mund të rriten. Efektet ekonomike gjithashtu do të rriten. Numri i njerëzve që janë të zhvendosur brenda vendit ose janë detyruar të migrojnë po rritet ndjeshëm, pasi zona të mëdha bëhen të pabanueshme për njerëzit.

Është folur shumë për mënyrën se si të ngadalësohen ose ndalohen ndryshimet klimatike, por kryesisht është vetëm kjo. Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP26) në Glasgou në nëntor do të vazhdojë të theksojë një qasje ku vendet individuale ofrojnë angazhime vullnetare për të zvogëluar emetimet e tyre.

Kjo është e rëndësishme, por është e qartë se shumë vende janë të fokusuara më shumë në rritjen ekonomike dhe nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të miratojnë mënyra të tjera që do të zvogëlonin në mënyrë të konsiderueshme kontributin e tyre në ndryshimet klimatike. Mbetet për t’u parë nëse ekziston vullneti për të miratuar tarifa që rrisin çmimet e mallrave të prodhuara në fabrikat që punojnë me qymyr apo për të vendosur sanksione kundër qeverive që refuzojnë të ndalojnë shkatërrimin e pyjeve tropikale që thithin dioksidin e karbonit. Mbetet për t’u përcaktuar gjithashtu nëse vendet më të pasura janë të përgatitura të vënë në dispozicion fondet dhe teknologjitë që u nevojiten vendeve të varfra për të kaluar në një energji më të gjelbër.

Në të njëjtën kohë, përqendrimi në ngadalësimin e shkallës së ndryshimeve klimatike, sado i nevojshëm, është i pamjaftueshëm. Një pjesë e mirë e ndryshimeve klimatike tashmë kanë ndodhur dhe akoma më shumë do të ndodhin, pavarësisht se çfarë vendoset në Glasgou. Do të nevojiten gjithashtu përpjekje për t’u përshtatur me efektet ekzistuese ose të pashmangshme të ndryshimeve klimatike, për t’i bërë qytetet dhe zonat rurale më të afta të përballojnë nxehtësinë dhe zjarret e përhapura, stuhitë dhe përmbytjet më të shpeshta dhe thatësirën më të rëndë.  Aftësia për ta rimarrë veten shpejt do të jetë po aq e rëndësishme sa parandalimi.

Së fundmi, ne duhet të përshpejtojmë si zhvillimin ashtu edhe rregullimin e teknologjive të reja që premtojnë të heqin dioksidin e karbonit nga atmosfera. Përgjigje të tilla të mundshme ndaj ndryshimeve klimatike janë të paprovuara dhe të diskutueshme. Por nëse dështimi kolektiv për t’u përballur me COVID-19 është një shenjë treguese, do të ishte mirë të ishim të përgatitur t’i shqyrtonim ato më mirë herët sesa vonë. Nuk ka shpëtim nga globalizimi; pyetja e vetme është nëse dhe si do të zgjedhim ta menaxhojmë atë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Globalization Strikes Back