Lajm12 Oct 2020

Gratë sipërmarrëse përballen me hendekun gjinor për qasjen e ndihmës shtetërore

Një studimi i ri hedh dritë mbi vështirësitë me të cilat po përballen gratë sipërmarrëse pas tërmeteve shkatërrimtare të vitit 2019 dhe pandemisë së COVID-19.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Financave dhe Ekonomise, Anila Denaj, duke folur gjatë konferencës “Klima e pergjithshme e biznesit dhe ndikimi i termeteve te vjeshtes 2019 dhe COVID-19 tek gratë sipermarrese” që u organizua nga Shoqata “Together for Life”. | Foto : LSA.

Një studim nga organizata “Together for Life” mbi klimën e biznesit tek gratë sipërmarrëse, nxori në pah diferencën që ekziston akoma midis grave dhe burrave edhe në rrafshin e sipërmarrjeve private, kur gratë shprehen se përjetojnë vështirësi më të mëdha në qasjen e ndihmave dhe financimeve për bizneset e tyre, sidomos pas situatës së rënduar që shkaktuan tërmetet e vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19.

Sipas grave sipërmarrëse, politikat publike dhe mjedisi i biznesit në Shqipëri janë qartazi me shumë favorizuese përkundrejt burrave sipërmarrës.

“Një faktor pengues është dominanca mashkullore në mjediset e biznesit ndër vite, që e bëjnë sipërmarrjen private një mundësi më pak praktike e tërheqëse për gratë sesa për burrat,”  tha Alma Lahe nga “Together for Life”.

“Gratë mendojnë se të qenit mashkull në krye të një biznesi është më favorizues edhe për sa i përket përfitimit nga fondet publike, ku 60% e grave sipërmarrëse mendojnë se janë bizneset e drejtuara nga burrat ato që fitojnë tendera publikë”, shtoi ajo

Studim u realizua online nëpërmjet mbledhjes sasiore të të dhënave nga 200 gra sipërmarrëse gjatë periudhës 30 prill deri më 15 qershor 2020.

Me kalimin e dy tërmeteve dhe më pas përhapjen e pandemisë së COVID-19, balanca e aktivitetit të tyre u bë akoma më e vështirë për t’u menaxhuar dhe problemet u thelluan më tej duke bërë të nevojshme një ndërhyrje të shtetit edhe në sektorin privat.

Alketa Berzani, njëra prej autoreve të studimit “Klima e biznesit dhe ndikimi i tërmeteve të vjeshtës 2019 dhe pandemisë COVID-19 tek gratë sipërmarrëse”, i tha BIRN se tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, pati ndikim negativ në 83% të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë në tre qarqet e prekura (Durrës, Lezhë dhe Tiranë).

Ndërsa prej pandemisë, përpos pezullimit të pjesshëm ose total të aktivitetit gjatë muajve mars-maj 2020, 48% e grave sipërmarrëse në vendin tonë pësuan rënie të ndjeshme të xhiros dhe fitimit, duke hasur vështirësi të përmbushin detyrimet ligjore, pra të paguajnë taksat e tatimet.

Shqipëria në këto 12 muajt e fundit ka përjetuar dy fatkeqësi natyrore, tërmetet e 21 shtatorit dhe 26 nëntorit 2019, të cilat krijuan dëme e humbje në një vlerë mbi 980 milionë euro, dhe pandeminë COVID-19, dëmet dhe humbjet e të cilës nuk janë llogaritur ende. Kjo situata fatkeqësish natyrore të njëpasnjëshme ka ndikuar ndjeshëm në ekonominë e brishtë shqiptare, konsumatorin dhe sipërmarrjen private në vend.

Sipas kërkesave kyçe të grave sipërmarrëse për hapat lehtësuese që do t’i ndihmojnë në nevojën e tyre për t’u rikuperuar nga dy goditje të forta siç ishin tërmetet dhe pandemia e COVID-19, është ulja e taksave, grantet dhe subvencionet.

“Si prioritet nga shumica prej grave sipërmarrëse (72%) shfaqet kërkesa për të lehtësuar barrën fiskale ose reduktimin e TVSH-së dhe taksave qendrore e vendore, minimalisht për një periudhë 6-12 mujore”, thekson raporti.

Gati 4 nga 10 sipërmarrëse kërkojnë nga shteti politika lehtësuese ose reduktimin e kontributeve shëndetësore e shoqërore që duhet të paguajnë për personelin, si dhe ofrimin e granteve e subvencioneve, ndërsa rreth 3 nga 10 sipërmarrëse shprehin nevojën për politika lehtësuese mbi shlyerjen e qirave, shlyerjen e borderosë dhe ndihmë të drejtpërdrejtë financiare, si p.sh. me anë të kredive të zbutura. Disa të tjera kërkojnë thjesht lehtësim ose relaksim të masave për lëvizjen e lirë brenda e jashtë vendit apo për organizimin e aktiviteteve me shumë pjesëmarrës etj.

Berzani theksoi se bizneset e grave, ndryshe nga ato të burrave, fokusohen kryesisht në sektorë si moda, estetika, artizanati, zejtaria, bujqësia, shitja me pakicë, shërbime profesionale, sociale  e familjare, si edhe arsimi dhe kujdesi shëndetësor. Ajo se vështirësitë kryesore të grave sipërmarrëse në Shqipëri  janë të lidhura me marketingun dhe legjislacionin apo detyrimet shtetërore.

“Konkretisht, 85% e pjesëmarrëseve në studim kanë deklaruar problematika në këto dy aspekte, problematika me të cilat janë përballur gjatë normalitetit, pra edhe më herët se pandemia apo tërmetet e vjeshtës së vitit të kaluar,” tha Berzani.

“Kur flitet për vështirësi në fushën e marketingut dhe shitjeve, ato përmendin kryesisht luhatjen e kërkesës ose klientelën e paqëndrueshme (61%), informalitetin e lartë (59%), kostot e larta të marketingut (54%) dhe konkurrencën e ashpër (53%)”, shpjegoi ajo.

Po ashtu, sipas Alma Lahes,  gratë sipërmarrëse deklarojnë shpenzime të shtuara për shkak të nevojës për të riparuar dëmtimet e ambienteve apo pajisjeve nga tërmeti dhe si edhe rritje të shpenzimeve për përmbushjen e kushteve higjeno-sanitare gjatë krizës së pandemisë.

“Shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen gratë sipërmarrëse janë të shumta dhe komplekse prandaj edhe përpjekjet për të dalë nga kjo situatë duhet të jenë multisektoriale dhe të menjëhershme,” tha Lahe.

Sipas saj në këto vite është bërë shumë pak për lehtësimin e situatës me të cilën përballen gratë në tregun e punës dhe në biznes, duke rënduar situatën ekonomike ndër vite.

“Kjo reflektohet edhe nga të dhënat e INSTAT, ku diferenca e pjesëmarrjes së burrave dhe grave në forcat e punës në 5-6 vitet e fundit ka ndryshuar fare pak, me një përmirësim të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës me 61.6% në vitin 2019 nga 50.1% që ishte në vitin 2013,” tha ajo.

“Vetëm 18% e grave vazhdojnë të mbesin jashtë forcës së punës për shkak se janë duke përmbushur detyrat shtëpiake,  ndërkohë që vetëm 1% e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake,” shtoi Lahe.

Ngjashëm, edhe Alketa Berzani konfirmon se objektiva të planifikuara sipas planit strategjik për fuqizimin e grave të parashikuar për periudhën 2016-2020 nuk kanë shkuar siç duhet.

Duke konsideruar të dhënat e INSTAT  dhe treguesit gjinorë të përcaktuar edhe nga vetë strategjia e qeverisë, disa nga këto objektiva nuk janë arritur ende.

“Duke u fokusuar tek gratë sipërmarrëse strategjia parashikonte që në 2020-n, 34.5% e ndërmarrjeve aktive do të drejtoheshin nga gratë, ndërkohë që në fund të vitit 2019 janë në fakt 25.4% gra sipërmarrëse nga totali i ndërmarrjeve aktive, ç’ka në fakt është një rënie me 1.4 pikë përqindje krahasuar me vitin 2016”, përfundoi Berzani.