Lajm23 Mar 2020

Greqia shpall shtetrrethimin pas rritjes së rasteve me COVID-19

Qeveria greke shpalli të hënë ashpërsimin e masave të distancimit social në luftë kundër koronavirusit të ri COVID-19.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis

Të hënën kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis shpalli oraret e izolimit të plotë, duke shtrënguar masat e distancimit social si pjesë e luftës kundër COVID-19.

Asnjë qytetar nuk do të lejohet të dalë nga shtëpia pa plotësuar një formular në lidhje me arsyet e daljes, të cilat duhet të përbëjnë nevoja urgjente që nuk është e mundur për t’i kryer nga shtëpia.

Formulari përfshin 6 opsione/arsye ndër të cilat radhiten të shkuarit në punë, në supermarket, në farmaci, në bankë, shëtitja e kafshëve shtëpiake, të ndihmuarit e një familjari të afërt, apo prezenca e detyruar në dasma dhe pagëzime.

Shkelësit e këtyre rregullave do të gjobiten me një gjobë prej 150 Eurosh.

“Kam urdhëruar të gjithë ministrat përkatës për aplikimin e rregullave të kufizimeve të lëvizjeve që prej orës 6.00 të mëngjesit të 23 marsit,” është shprehur kryeministri Mitsotakis, duke theksuar se nuk do të lejojë disa njerëz të pabindur të rrezikojnë jetën e të gjithëve.

“Ky ndoshta është hapi i fundit i një demokracie të organizuar,” shtoi ai.

Greqia ka 624 raste të konfirmuara me COVID-19 në total dhe 17 viktima. Rritja e intensitetit të infektuarve gjatë orëve të fundit e ka detyruar qeverinë Greke të marre masa drastike brenda fundjavës, ndërkohë që një javë më pare shumë prej vendasve dilnin akoma pranë bregdetit për të shijuar rrezet e diellit.

Aktualisht Greqia ka vendosur të lejojë vetëm rezidentët grek apo ato me leje qëndrimi të përhershme për të lëvizur nëpër ishuj apo ndërmjet qyteteve brenda territorit grek, ndërkohë që ato që vijnë nga jashtë vijojnë vetëkarantinimin prej 14 ditësh.

Ndërkohë, edhe ne Greqi,  çdo gjë vijon të jetë e mbyllur, përveç marketeve, furrave të bukës, farmacive e bankave.