Analize11 Feb 2020

‘Gropa e zezë’ e financimit politik zbret në tryezën e reformës zgjedhore

Partia Demokratike propozon financimin 100% të fushatave elektorale nga buxheti si një mënyrë për të ndalur paratë e pista dhe klientelizmin politik, por Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste nuk bien dakord.

Autor: Sebi Alla BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama gjatë një mitingtu në sheshin Skënderbej | Foto nga : LSA

Në tryezën e reformës zgjedhore, skema e financimit të partive politike pritet të jetë një ndër çështjet kryesore të debatit mes opozitës dhe mazhorancës. Në këtë drejtim, Partia Demokratike në opozitë ka propozuar tashmë financimin 100% nga buxheti i shtetit, si një mundësi për bllokimin e parave të krimit apo të bizneseve- fituese të tenderëve publikë në ndikimin e skenës politike në Shqipëri.

Ivi Kaso, ekspert i çështjeve ligjore në Partinë Demokratike tha për BIRN se ata i qëndrojnë financimit 100% nga buxheti i shtetit -variant që sipas tij do t’a kursente buxhetin e shtetit nga milionat e tenderave që shkojnë në favor të sponsorizuesve të partisë në pushtet.

“…Sado e lartë të jetë kjo vlerë, është më e ulët se sa vlera indirekte, barra mbi buxhetin e shtetit nga tenderat, koncesionet, favoret e natyrave të ndryshme që kërkohen në këmbim nga personat e tretë që kanë financuar një subjekt politik,” tha Kaso për BIRN.

Megjithatë, propozimi i Partisë Demokratike nuk ka arritur të gjejë konsensusin e aleatit kryesor në opozitë, Lëvizja Socialiste për Integrim apo të Partisë Socialiste, të cilët mbështesin skemën aktuale të financimit miks të partive politike.

Përfaqësues të LSI dhe PS mbrojtën për BIRN sistemin aktual miks të financimit të partive politike, ndërsa shtuan se me ndryshimet ligjore në proces synojnë të rrisin transparencën e donancioneve dhe të shpenzimeve gjatë fushatave elektorale.

Partitë kryesore në tryezën e reformës zgjedhore po shikojnë gjithashtu mundësinë e uljes së shpenzimeve në fushatë–premtime këto që nuk ngjallin besim tek përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike mendon se cilido qoftë modeli i zgjedhur, transparenca e financimit të partive politike ka dështuar deri më tani në Shqipëri.

“Klasa politike ka dështuar me “dëshirë” për të pasur trasparencë mbi finacimin, veçanërisht në kohë fushatash dhe gjithashtu ata (partitë politike), indirekt e pranojnë se deri më tani janë finacuar nga para me prejadhje të dyshimtë,” tha Krasniqi për BIRN.

Debati për skemën e financimit    

Në Shqipëri, kontrolli dhe monitorimi i fushatave zgjedhore bëhet nëpërmjet vetëdeklarimit të partive politike. Sipas Kodit Zgjedhor, në fund të fushatës, partitë janë të detyruara të deklarojnë shpenzimet dhe KQZ-ja cakton audiues të licensuar, që në bazë të vetëdeklarimeve të partive politike bëjnë kontrollin financiar.

Auditimi i kryer deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lë për të dëshiruar, ndërsa akuzat për futjen e parave të pista në kohësh fushatash kanë dominuar skenën politike në vend.

Partia Demokratike beson se financimi 100% nga buxheti i shtetit e minimizon problemin si dhe e bën më të thjeshtë transparencën e parave të shpenzuara. Sipas Kasos, institucioni rregullator apo agjenci të specializuara duhet të vlerësojë shumën e financuar për vlerë vote apo zgjedhës në zona të caktuara dhe më pas, shteti e kalon këtë fond si ndihmë financiare.

Ekspertët demokratë argumentojnë se kjo nismë shkon paralelisht me ndalimin absolut të donacioneve nga të tretët, të shërbimeve në natyrë si dhurata apo të çdo lloji forme financimi tjetër. E mira publike sipas PD-së është shmangia e klientelizmit politik.

“Kur subjekti i financuar nga të tretët rezulton fitues në zgjedhje [ku kemi rastin e mazhorancës aktuale në pushtet], kontribuesit financiarë kanë marrë tendera qindra milionëshe nga paratë publike,” argumenton Kaso.

Propozimi i Partisë Demokratike ka megjithatë pak shanse për sukses edhe brenda kampit opozitar. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e saj, duke u shprehur në favor të një sistemi miks financimi- nga fonde publike dhe private.

Muharrem Caka, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në grupin e punës së reformës zgjedhore i tha BIRN se financimi 100% nga buxheti rrezikon t’i kthejë partitë politike në ndërmarrje shtetërore.

“Financimi 100 % publik mund të rrezikojë një parti politike në një ndërmarrje shtetërore, përveç faktit se humb besimin e publikut dhe nuk ia arrijnë qëllimit kryesor për të shmangur financimet e paligjshme,” tha Caka.

“Është një nga liritë themelore në Kushtetutën e Shqipërisë si e drejta për të shprehur lirisht vullnetin dhe bindjen tënde politike, qoftë kjo edhe nëpërmjet të drejtës për të bërë dhurime të ndryshme për partinë që përfaqëson bindjet e tua politike,” argumentoi ai në kundërshtim të variantit të hedhur nga PD.

Edhe Partia Socialiste i qëndron sistemit aktual miks dhe e orienton debatin te rritja e transparencës së financimeve si dhe kufizimi i shpenzimeve në kohë fushatash elektrorale.

“Në mënyrë të posaçme synojmë nëpërmjet amendimeve përkatëse të rrisim trasparencën si në pjesën e të ardhurave [buxheti plus donacione], po ashtu të shpenzimeve. Kjo e fundit nëpërmjet rritjes së trasparencës dhe të raportimeve periodike pranë institucioneve pergjegjese,” tha Blerina Gjylameti, anëtare e komisionit të reformës zgjedhore.

Gjylameti shtoi se Partia Socialiste synon gjithashtu uljen e shpenzimeve për fushatat elektorale si dhe rritjen e rolit monitorues të të tretëve, si një mjet që përmirëson transparencën financiare.

Bursa “informale” politike

Ndonëse Kodi Zgjedhor përcakton edhe sot rregulla të detajuara për financimin e fushatave elektorale, përfaqësues të shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet kanë kritikuar vazhdimisht shpenzimet marramendëse gjatë fushatave, të cilat nuk përputhen me vetëdeklarimet e partive politike.

Roli monitorues dhe hetues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur gjithashtu nën kritika të shpeshta. Sipas Krasniqit, kontrolli i fondeve që përdoren nga subjektet politike është inekzistent në Shqipëri.

“KQZ nuk monitoron, ajo vetëm sa pranon raportet dhe bën verifikim formal të deklarimeve. Loja me audituesit privatë është fyerje për transparencën, asnjë prej tyre në asnjë fushatë dhe në asnjë rast nuk kanë gjetur shkelje, kur çdo raport i ODIHR dhe organizateve monitoruese të shoqërisë civile ka provuar shkelje të shumta,” tha Krasniqi për BIRN.

Kransiqi pohon se financimi elektoral vijon të jetë ‘gropa e zezë’ e lidhjeve midis oligarkisë, burime kriminale dhe përfaqesimit politik.

“Vetingu i financimit do të ishte i mjaftueshëm për të spastruar politikën nga korrupsioni dhe lidhjet kriminale, por e kundërta, konsensusi prej 1998 për të pamundësuar parimin kushtetues “kurdoherë publike dhe transparente” financimet dhe shpenzimet e partive, është faktori kyç që sistemi ka marrë natyrë korruptive dhe funksionon si një burse informale,” shtoi Krasniqi.

Eksperti i çështjeve ligjore pranë PD-së, Ivi Kaso thotë se deklarimet fiktive të shpenzimeve dominuan edhe fushatën e fundit të zgjedhjeve lokale, ndonëse në mungesë të garës.

“Në fushatën e fundit zgjedhore, disa kryebashkiakë, pavarësisht se garuan të vetëm kanë deklaruar zero shpenzime elektorale. Ndërsa rasti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që pavarësisht se çdo ditë ishte në media me orë të tëra, si shpenzime mediatike të transmetimit live deklaroi se ka shpenzuar vetëm 2 milionë lekë të vjetra,” thotë Kaso, duke pranuar se shpenzimeve e fushatave janë shumëfish më të larta se deklarimet.

Në draftin që kanë hartuar, ekspertët e Partisë Demokratike propozojnë edhe sanksioneve për mospërdorimin e burimeve shtetërore në fushatë.

“Kemi masa që jemi duke i propozuar për ta bërë efektive dhe propozime drastike për ndalimin fare të reklamimit në media apo të çdo lloj eventi që nuk ka një karakter zyrtar në aspekte elektorale,” shtoi Kaso.

Ndërsa palët politike sot po pranojnë se e kanë “shkelur” me shpenzimet e tepërta dhe po tentojnë të bien dakord për kufizimin e parave që hidhen në fushatë, politologu Krasniqi i konsideron absurde fushatat multimilionëshe në një sistem të tillë zgjedhor.

“Fushata mund të përballohet me shumë më tepër kursime sesa shpenzimet që ndodhin. Me sistemin aktual zgjedhor, kur mbi 80-85% e parlamentit është i caktuar përpara ditës së votimit, nuk ka sens të harxhohen miliona euro për një fushate pa garë dhe për vetëm 15-20% mandate,” tha Krasniqi.

“Edhe në zgjedhjet lokale të fundit u pa sesa absurde është të harxhohen miliona euro për një fushatë pa rivalë në garë,” përfundoi ai.