Lajm11 Sep 2017

Haradinaj: “Do ta rishqyrtojmë demarkacionin me Malin e Zi”

Menjëherë pasi u zgjodh kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qeveria e tij do të rishqyrtojë marrëveshjen polemike të demarkacionit me Malin e Zi - miratimi i të cilës është shtyrë vazhdimisht nga deputetët.

Autor: BIRN BIRN Prishtinë, Beograd
Printo

Haradinaj në parlament më 9 shtator ku u zgjodh kryeministër. Foto: BETA

Duke folur në Zërin e Amerikës të dielën, kryeministri i ri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do të rishqyrtojë marrëveshjen polemike kufitare me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015.

Ai tha se marrëveshja aktuale e vë kufirin midis Kosovës dhe Malit të Zi, gabimisht për disa milje brenda Kosovës poshtë majës së malit Cakor.

“Versioni i tanishëm i demarkacionit është i gabuar… ne do ta korrigjojmë”, tha Haradinaj për Zërin e Amerikës.

“Për fat të mirë Mali i Zi është një shtet fqinj dhe ne e mirëpresim progresin e tij, veçanërisht anëtarësimin në NATO, i cili është edhe qëllimi ynë, ndaj unë nuk shoh ndonjë vështirësi në këtë çështje”.

“Do të gjejmë një zgjidhje të shpejtë për gjendjen aktuale, nuk do ta përcaktoj saktësisht se cilët hapa do të ndërmarrim, por do të gjendet një zgjidhje e shpejtë në mënyrë që të mos vonojë liberalizimin e vizave”, shtoi Haradinaj.

BE e ka përcaktuar çështjen e kufirit me Malin e Zi si kusht për lëvizjen pa viza në BE.

Rajoni malor është subjekt i një mosmarrëveshjeje afatgjatë midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndërsa dy ish-republikat jugosllave nënshkruan marrëveshjen e demarkacionit në vitin 2015, parlamenti i Kosovës nuk e ka ratifikuar ende atë.

Marrëveshja pritej të votohej në parlament shtatorin e kaluar, por ratifikimi u shty pas përplasjeve të dhunshme mbi këtë çështje. Disa deputete të opozitës dhe të partisë në pushtet pretenduan se marrëveshja do t’i merrte Kosovës 8,000 hektarë tokë.

Ata pretendojnë se kufiri i vërtetë midis Kosovës dhe Malit të Zi shtrihet në Kullën Zljepska, në majën e Cakorit.

Për të zgjidhur mosmarrëveshjen, Kosova formoi një komision ekspertësh për të përcaktuar territorin e vet. Në shkurt të këtij viti, komisioni arriti në përfundimin se Kosova nuk kishte humbur asnjë territor me nënshkrimin e marrëveshjes.

Në një deklaratë të përbashkët të hënën, Zyra e BE-së në Kosovë, EULEX dhe shefat e misioneve të BE-së i kërkuan Kosovës të mos e vonojë çështjen.

“Është thelbësore që Kosova të arrijë kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave duke bërë progres në marrëveshjen e demarkacionit kufitar me Malin e Zi dhe duke ndërmarrë veprime kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” thanë ata.

Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës të shtunën me një shumicë të ngushtë (61 nga 120 vota), pas një bllokimi politik që vazhdoi nga zgjedhjet e përgjithshme më 11 qershor.

Takimi i tij i parë si kryeministër ishte me ambasadorin e SHBA-së Greg Delaëie. Në një deklaratë të botuar të hënën, ambasada e SHBA mirëpriti përfundimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, forcimit të sundimit të ligjit, përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe normalizimin e marrëdhënieve rajonale”, shkroi ambasada.

Partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK dhe një partner në koalicion, NISMA e Fatmir Limajt, më parë e kundërshtuan ashpër marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi.