Lajm4 Dec 2018

HEC-et në Valbonë, Apeli ‘parashkruan’ falsifikimin e firmave

Apeli rrëzoi kërkesën e banorëve të Valbonës për të nisur çështjen penale për falsifikimin e firmave në dokumentet e konsultimit publik që u shërbyen kompanive për të marrë të drejtën për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Lugina e Valbonës gjatë stinës së vjeshtës. Fotografuar më 29 tetor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Gjykata e Apelit në Shkodër ka rrëzuar të martën kërkesën e shoqatës Toka dhe banorëve të Valbonës për të hapur çështjen penale mbi falsifikimin e firmave të banorëve të fshatit Dragobi në procesverbalin e konsultimeve me publikun, i cili i shërbeu kompanisë koncesionare për marrjen e të drejtës për ndërtimin e HEC-ve në luginë.

Liridon Mustafaj koordinator i shoqatës Toka i tha BIRN në një bisedë telefonike se Apeli la në fuqi një vendim të Gjykatës së Faktit në Tropojë, sipas të cilit çështja nuk mund të ndiqej penalisht pasi vepra penale e dyshuar ishte parashkruar.

Banorët kanë denoncuar prej tre vjetësh falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun, që ishin pjesë e dokumentacionit të kompanive që morën të drejta për HEC në Valbonë. Sipas procesverbalit banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve. Në një investigim të BIRN të qershorit 2016 banorët thanë se në listën e firmëtarëve kishte persona të vdekur tre vjet para përpilimit të këtij procesverbali, ndërsa të tjerë thanë që nuk kishin qenë të pranishëm dhe nuk kishin firmosur.

Çështja u denoncua nga banorët, të cilët hapën një seri procesesh kundër ndërtimit të HEC-ve në zonë, përfshi një gjykim në Gjykatën Administrative që kërkon anullimin e koncesionit dhënë kompanisë Dragobia Energy.

Kompanitë Dragobia Energy dhe Valbona Energy Project mohuan atëherë të kishin kryer falsifikim.

Vendimi i gjykatës së Apelit në Shkodër për të mos hetuar falsifikimin e firmave i ka revoltuar banorët. “Jam 24 vjeç dhe  m’i thanë burgut “hapu”. Nuk më duket e drejtë. I drejtohemi gjykatës, por fiton koncensionari, që e mbështet qeveria e drejtësia”, tha Bekim Demiraj në oborrin para gjykatës.

Adhurim Ismailaj thotë se në dokument del se ka fitrmosur gjyshi i tij i vdekur tre vjet para se të përpilohej procesverbali. “Shihet dukshëm se gjithçka është fallso, personat që kanë emrin e firmën aty janë gati të dëshmojnë se nuk kanë firmosur”, tha Ismailaj.

Banorët thanë se nuk do të dorëzoheshin. Ata thonë se ndërtimi i HEC-ve shkatërron Luginën e Valbonës dhe po ashtu dëmton potencialin turistik të zonës.

Kundërshtimi i banorëve për HEC-et në zonë vijon prej gati tre vjetësh, ndërsa po ashtu në vijim janë disa procese gjyqësore. Më herët gjatë këtij viti Gjykata Administrative e Apelit vendosi pezullimin e punimeve për HEC që po ndërtohet nga ‘Dragobia Energy,’ si masë sigurimi padie.

Në një vendim kontravers, për të cilin Ministria e Drejtësisë njoftoi inspektim,  Gjykata e Faktit në Tropojë vendosi ta rrëzonte vendimin e gjykatës sipërore dhe lejonte punimet, pavarësisht se ato ishin jashtë afatit të lejes së ndërtimit. Banorët kanë apeluar këtë vendim.

Në verë banorët e Dragobisë, zona ku po ndërtohen HEC, protestuan duke bllokuar rrugën pasi shpërthimet e kryera prej kompanisë që po ndërton HEC u shkaktuan dëme në shtëpi, ndërsa dëmtuan edhe rrjetin elektrik. Policia ndaloi dy inxhinierë të kompanisë, të cilët po ndiqen në gjendje të lirë.

Ndërkohë në fund të shtatorit 2018 një grup aktivistësh ndërkombëtarë dhe banorë të luginës së Valbonës bllokuan për disa orë hyrjen e kantierit të hidrocentralit Dragobia, ndërsa kërkuan zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative për pushimin e punimeve nga ana e kompanisë.

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve. Ai gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin, por qeveria shqiptare gjatë dekadës së fundit vendosi aty ndërtimin e 14 HEC-eve,  tre prej të cilëve janë aktualisht në ndërtim.