Analize19 Dec 2016

Hetimet për Damir Fazlliç, përfitoi miliona nga taksat pa bërë asnjë punë

Biznesmeni serbo-boshnjak u kallëzua nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve se ka përfituar pagesa TVSH-je mbi dokumente të rreme në vitin 2011 për punë të pakryera në parkun industrial të Porto Romanos.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Biznesmeni Damir Fazlliç

Biznesmeni Damir Fazlliç

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim të ri ndaj biznesmenit Damir Fazliç, i cili dyshohet se ka përfituar 170 milionë lekë nga skema e rimbursimit të TVSH-së.  Burime zyrtare i thanë BIRN se  regjistrimi penal i dosjes është kryer pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Fazlliç dyshohet se  nëpërmjet kompanisë së tij, Crown Acquisitions- një shoqëri e themeluar në Shqipëri në vitin 2005, ka përfituar rimbursim financiar për punime të cilat nuk i ka kryer.  Një burim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i tha BIRN se rimbursimi i TVSH-së në vlerën e 170 milionë lekëve është kryer gjatë vitit 2011.

Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar sekuestrimin e praktikës së rimbursimit të TVSH-së, të ndjekur nga tatimorët, për të cilët ka dhe dyshime se janë përfshirë në  këtë skemë mashtrimi.

Kallëzimi i fundit i tatimeve kundër Fazlliç, nëse provohet i vërtet, bie ndesh me linjën që është mbajtur për shumë vite nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili është shprehur se edhe pse serbo-boshnjaku ishte miku i tij, ai nuk kishte përfituar fonde shtetërore.

Në një deklaratë për shtyp me 13 tetor 2008, Berisha ka kërkuar madje një hetim ndërkombëtar kundër prokurorisë, duke i quajtur akuzat kundër Fazlliç si trillime dhe sulm ndaj biznesit.

“E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazlliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar,” tha Berisha.

“Së dyti, kanë ndodhur veprime shumë të rënda gjatë 4 ditëve të fundit, motivet e të cilave duhet të qartësohen. Është goditur biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar, në mënyrën më të pabesueshme, janë ngrirë llogari, asete të kompanive dhe firmave të cilat nuk kanë, në këtë vend apo në ndonjë vend tjetër, asnjë penalitet të  vetëm,” shtoi ai.

Këneta kthehet në park energjetik

Në vitin 2004, qeveria shqiptare shpalli ndërtimin e një porti në zonën e quajtur Porto Romano për importimin e produkteve të hidrokarbureve, një projekt në partneritet publik dhe privat. Depozitat e karburanteve u ndërtuan bashkë me infrastrukturën shoqërurese, ndërkohë që projekti parashikonte që në këtë zonë të ndërtoheshin edhe termocentrale.

Me mendimin se zona do të kthehej në një park industrial energjetik, Damir Fazlliç bleu mbi 150 mijë metër katrorë tokë në Porto Romano. Me një vendim të veçantë, qeveria “Berisha” e shtoi këtë sipërfaqe në zonën e përcaktuar më herët si park industrial.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Damir Fazlliç nuk ishte i vetëm në këtë sipërmarrje. Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha u përfshi gjithashtu në transaksionet e shit-blerjes së tokës.

Mes viteve 2006 dhe 2007, Argita Malltezi, partnerja e saj në zyrën ligjore, Flutura Kola dhe bashkëshortët e tyre, Jamarbër Malltezi dhe Florenc Kola blenë një pjesë të konsiderueshme të tokës në Porto Romano  duke përdorur pagesa në kesh. Ata paguan rreth 10 euro për metër katrorë për tokat e blera, por arritën t’ia shesin menjëherë më pas kompanisë Alpha Shpk dhe Croën Acquisitions për 18 euro për metër katrorë.

Damir Fazllic [majtas] me ish ministrin e transportit dhe telekomunikacionit Lulzim Basha [djathtas], sot kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i Partisë Demokratike

Damir Fazllic [majtas] me ish ministrin e transportit dhe telekomunikacionit Lulzim Basha [djathtas], sot kreu i Partisë Demokratike

Për shkak se qeveria “Berisha” e transformoi tokën e pavlerë kënetore në “park industrial” ku do të ndërtoheshin impiante të mëdha elektroenergjetike, toka në fjalë supozohej se do të përjetonte rritje të mëdha të vlerës, duke i siguruar pronarit të saj ndoshta dhjetëramilionë euro përfitime.

Me një “leje qeveritare” në xhep,  Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij, Croën Acquisitions u shndërrua në një kreditor të besueshëm për bankat, të cilat financuan projektet e tij.

Në prill 2010, kompania  Croën Acquisitions mori një kredi prej 625 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro) me synimin për të zhvilluar tokat e ish-Kënetës, brenda zonës së dizenjuar si Park Industrial me një projekt të titulluar: “Terminal dhe depozita karburanti dhe gazi”.

Kredia, e cila duhej të shlyhej për pesë vjet synonte të përdorej për nivelimin e tokës, gërmimin dhe punime të tjera në infrastrukturë për projektin. Për marrjen e kësaj kredie, kompania la si kolateral dy parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej 80 mijë metrash katrorë. Po për të njëjtin projekt, Fazlliç siguroi dhe një kredi të dytë në maj 2013  nga Union Bank në vlerën e  841 mijë eurove.

Burimet i thanë BIRN se Fazlliç është rimbursuar në vlerën e 170 milionë lekëve në vitin 2011 për punimet që pretendon se ka kryer në realizimin e këtij projekti.

Kontrolli tatimor ka verifikuar se kompania nuk ka kryer asnjë punim në zonën e parkut industrial dhe ka paraqitur situacione të manipuluara.

“Ne kemi vërtetuar që këto punime nuk ekzistojnë, ndërkohë që nëpërmjet dokumentave të falsifikuar, kompania është rimbursuar me shuma të konsiderueshme në dy kohë të ndryshme,” i tha BIRN një punonjës i Tatimeve në kushtet e anonimatit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka dorëzuar kallëzimin kundër Fazlliç në korrik 2016, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet duke verifikuar praktikën tatimore që është ndjekur për rimbursimin e kompanisë së tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk iu përgjigj një kërkese për informacion të BIRN lidhur me arsyet e vonesës së kallëzimit-ai është depozituar në vitin 2016 kur rimbursimi i TVSH-së është bërë në vitin 2011.

Probleme dhe me bankat

Vojin Lazareviç dhe Damir Fazlliç

Vojin Lazareviç dhe Damir Fazlliç

Përveç dosjes së hapur në prokurori, biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç ka lënë pas në Shqipëri edhe një sërë problemesh me kreditë bankare. Në vitin 2015, dy banka dhe një kompani ndërtimi kërkuan konfiskimin e  pronave të  Damir Fazlliç për shkak të dy kredive të pashlyera si dhe një kontrate ndërtimore të palikujduar.

Bankat, të cilat kanë marrë efektivisht pronësinë e tokave në Porto Romano i kanë nxjerrë ato në shitje, me shpresën se do të rikuperojnë kreditë e pashlyera. Por vlera e tokës së llogaritur si kolateral është disa herë më e madhe se vlera reale e tyre.

Në  prill të vitit 2010 , kompania  Crown Acquisitions mori një kredi prej 625 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro) me synimin për të zhvilluar tokat e ish-Kënetës në Durrës. Punët nuk shkuan siç duhet dhe Crown Acquisitions nuk ia doli të shlyejë kredinë ndaj Tirana Bank. Në qershor 2013, Crown Acquisitions kërkoi dhe mori një ristrukturim të kredisë, ndërsa banka i dha si afat vitin 2016 për ta shlyer kredinë.

Por ndërsa kredia dhe plani i biznesit me Tirana Bank nuk ecte mirë, në maj 2013, Union Bank i dha kompanisë së Fazlliçit 841 mijë euro kredi, të kolateralizuar me tre parcela të tjera me sipërfaqe gati 70 mijë metra katrorë. Afati i shlyerjes së kredisë qe 30 muaj. Edhe kjo kredi e dytë nuk u shlye në kohë dhe të tre parcelat e tjera u konfiskuan.

Pak muaj pasi mori kredinë e parë, në korrik 2010, Crown Acquisitions punësoi kompaninë shqiptare Vega për të kryer punimet. Një vit më vonë, kompania i përfundoi punimet dhe priti të merrte pagesën prej 930 mijë eurosh, të cilat nuk u shlyen. Sipas dokumenteve gjyqësore të para nga BIRN, një përfaqësues i Crown Acquisitions pranoi para gjykatës në vitin 2014 se kompania nuk e kishte shlyer detyrimin për shkak se gjendej në vështirësi financiare.

Vega kërkoi bllokimin për llogari të saj të dy titujve të pronësisë, të cilat përbëjnë kolateralin e kredisë te Tirana Bank.