Analize21 Jun 2021

I dëmtuar nga tensionet, dialogu Kosovë–Serbi në pritje të një momentumi të ri

Ndërkohë që dialogu i tensionuar filloi të martën me një takim midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dy ish-koordinatorët nga të dyja palët ofrojnë një përmbledhje mbi gabimet e bëra deri më tani si dhe sfidat në të ardhmen.

Autor: Sasa Dragojlo, Përparim Isufi BIRN Prishtinë, Beograd
Printo

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takuan në Bruksel të martën, 15 qershor 2021. Foto: Twitter/Josep Borell.

Nuk ishte një prej takimeve më optimiste. Kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti më në fund u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën në Bruksel, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak, pranoi se takimi kishte qenë i vështirë.

“Nuk ishte një takim i lehtë, por ishte e rëndësishme që ky takim të ndodhte”, tha Lajcak pas takimit.

Toni i tij i përmbajtur reflektonte pikëpamjet shumë të ndryshme të Vuçiçit dhe Kurtit mbi takimin, të cilat qartësisht nuk shkuan mirë.

Kosova deklaroi në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia në shkurtin e vitit 2008. Serbia ka refuzuar kategorikisht të njohë humbjen e provincës së saj dhe marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës kanë mbetur të akullta. Vetëm tri vjet më vonë, të dyja palët u ulën përsëri në të njëjtën tavolinë bisedimesh.

E ashtuquajtura “Marrëveshja e Brukselit” – dokumenti i parë që përshkruan parimet e normalizimit të marrëdhënieve – u nënshkrua në vitin 2013.

Që atëherë, megjithatë, të dyja palët kanë vazhduar ta shikojnë njëra-tjetrën me mosbesim dhe shqetësim.

Udhëheqësit serbë dhe kosovarë nënshkruan një marrëveshje për çështje kryesisht ekonomike në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020 nën kujdesin e presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Sidoqoftë, së fundmi, rrjedha e incidenteve dhe provokimeve nga të dy palët tregojnë se ata nuk janë gati për ta arritur një kompromis përfundimtar mbi statusin përfundimtar të Kosovës.

BIRN pyeti Borko Stefanoviçin, udhëheqësin e ekipit kombëtar serb për dialog me Prishtinën në vitin 2011 dhe Skënder Hysenin, ish koordinator i qeverisë së Kosovës për dialogun, se cilat ishin gabimet kryesore në negociatat e kaluara dhe nëse gjërat më të mira mund të priteshin në të ardhmen.

Marrëveshje mbi statusin final, ose normalizim delikat

Skënder Hyseni, ish-koordinator i Kosovës në dialogun me Serbinë. Foto: Wikipedia.

Tensionet midis dy palëve gjatë viteve dhe luhatshmëria e shpeshtë e qeverisë në Kosovë e kanë ndërprerë shumë herë procesin e dialogut me muaj apo madje edhe me vite.

Kur dialogu rifilloi në korrikun e vitit të kaluar, megjithatë, të dyja palët trajtuan disa çështje që pretendohet se kanë dhënë rezultate.

Hyseni, ish-koordinator i qeverisë së Kosovës për dialogun gjatë pjesës së dytë të vitit 2020, i tha BIRN se gjatë shtatë takimeve që ai mbajti në Bruksel në vitin 2020, u dakordua për tri elemente të së ashtuquajturës marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Çështjet mbi personat e zhvendosur dhe personat e zhdukur nga lufta 1998-9 në Kosovë u dakorduan ndërkohë që ai po e kryente punën e koordinatorit së bashku me një “marrëveshje mbi parimet” për marrëdhëniet tregtare.

Por më pas një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në dhjetorin e vitit 2020 e ndërpreu mandatin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Gjykata dha vendimin se qeveria e tij ishte e paligjshme sepse ishte krijuar me ndihmën e një vote të pavlefshme të një deputeti i cili ishte dënuar me një dënim penal.

Sipas këndvështrimit të Hysenit, marrëveshja përfundimtare “do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme në njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Dialogu është strukturuar në një mënyrë që asgjë të mos merret vesh derisa të bihet dakord për gjithçka, kështu që ideja është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, dhe kjo marrëveshje … supozohet të jetë ligjërisht e detyrueshme, dhe e detyrueshme ndërkombëtarësht gjithashtu”, tha ai.

Mirëpo Stefanoviç, udhëheqësi i ekipit kombëtar serb për dialog në vitin 2011 gjatë ish-qeverisë së Partisë Demokratike, shpreh dyshime lidhur me këtë.

Stefanoviç deklaroi se kishte frikë se negociatorët aktual po bënin gabime që do të shpijnë në një rrugë pa krye. Ai tha se është i vetëdijshëm se negociatat duhet të jenë politike, por shtoi se kur politika është përpara, nuk arrihet më shumë progres.

“Serbia bëri një gabim duke e ngritur çështjen e “statusit final” të Kosovës, pasi që ky narracion nuk i përshtatet interesave të vendit [Serbisë]”, tha ai.

Në anën tjetër, Kurti e ka kushtëzuar Serbinë me shumë çështje edhe para se të fillojnë negociatat, dhe është e qartë se deklaratat e tij bëhen nën ndikimin e dinamikës së brendshme politike në Kosovë.

“Por pa një kompromis, ky problem nuk do të zgjidhet kurrë. Është më mirë t’i zgjidhim të gjitha çështjet praktike ose të ashtuquajturat ‘teknike’ që do të çojnë në jetë më të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë sesa ta shtyjmë historinë e ‘statusit’ përpara”, tha Stefanoviç për BIRN.

“Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si një shtet të pavarur, ndërsa Prishtina kurrë nuk do të pranojë të jetë nën kontrollin e Beogradit. Ne kemi nevojë për të gjetur një zgjidhje kreative”, shtoi ai.

Stefanoviç është aktualisht nënkryetar i partisë opozitare ‘Stranka Slobode i Pravde’ [Liri dhe Drejtësi] dhe i pranon gabimet e negociatave në vitin 2011, të cilat ai thotë se ishin përqendruar shumë në simbolikë dhe jo në zgjidhje konkrete që mund të ishin të dobishme për njerëzit e zakonshëm.

“Kishim frikë se gjithçka që bëjmë do të shihet si një sukses i palës tjetër në aspektin e sovranitetit, qoftë ai një flamur, një kreshtë, ose një vijë kufitare”, tha ai.

“Ndjeshmëria ndaj simbolikës dëmtoi dialogun dhe progresin e vërtetë në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi ai.

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe si pikë pengese

Borko Stefanoviç, ish-koordinator i Serbisë në dialogun me Kosovën. Foto: Wikipedia.

Një nga çështjet kryesore që bllokon progresin është formimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe, së bashku me një zgjidhje për pjesën veriore të Kosovës të udhëhequr nga serbët, e cila u dakordua si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit 2013 dhe u përmbyll nga të dyja qeveritë.

Sidoqoftë, deri më sot, Kosova nuk e ka implementuar këtë marrëveshje.

Politikanët e Kosovës kanë shprehur frikën se asociacioni gjysmë-autonom mund të shndërrohet në një lloj mini-shteti serb që më pas kërcënon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, zakonisht duke iu referuar në këtë kontekst entitetit gjysmë të pavarur serb në Bosnjë, Republika Srpska.

Mirëpo komuniteti ndërkombëtar ende po i kërkon Kosovës implementimin e asaj për të cilën është dakorduar më parë. Ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Kosnett, të enjten tha se Uashingtoni beson se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin dhe për t’i respektuar marrëveshjet e arritura më parë.

Në të njëjtën ditë, Kurti u përgjigj duke pretenduar se ishte antikushtetues, duke iu referuar një vendimi gjyqësor të vitit 2015. Kjo vërteton ligjshmërinë e marrëveshjes për krijimin e asociacionit por gjithashtu tha se disa nga pikat e marrëveshjes nuk përputheshin plotësisht me kushtetutën e Kosovës dhe se duhej të korrigjoheshin.

Hyseni thotë se Statuti i Asociacionit duhej të diskutohej në fazën e mëvonshme të dialogut, duke shtuar se kundërshtimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duhet të merren parasysh.

Sidoqoftë, ai gjithashtu kritikoi qëndrimin e ashpër të Kurtit për këtë çështje dhe pikëpamjen e tij se “nuk mund të ketë një asociacion mono-etnik”.

“Sidoqoftë nuk ka asnjë asociacion mono-etnik. Nëse do të ishte një asociacion mono-etnik, ne nuk do ta quanim atë Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.

“Kur thoni ‘shumica serbe’ do të thotë se ka asociacione tjera etnike në këto komuna. Deklarata e Kurtit është vetëm një lojë fjalësh dhe asgjë më shumë. Është një përpjekje për të mashtruar më tej mbështetësit e tij, duke thënë se ai nuk është duke u dakorduar për një Asociacion”, tha Hyseni për BIRN.

Stefanoviç përsëriti se Prishtina tashmë kishte rënë dakord për të formuar asociacionin dhe shtoi se ajo nuk mund të krahasohet me Republikën Srpska të Bosnjës. Ai shtoi se zyrtarët e Kosovës për shumë kohë kanë pasur përshtypjen se gjithçka do të jetë ashtu si dëshirojnë, pa pasur nevojë ta dëgjojnë palën tjetër.

Prishtina ka një problem sepse ata kanë pritshmëri të madhe dhe kjo nuk shkon në të favor tyre, pasi që në atë mënyrë, ju e shikoni çdo kompromis si një lloj humbjeje.

“Prishtina nuk ka bërë asgjë në lidhje me Asociacionin e komunave Serbe, megjithëse janë dakorduar që ta bëjnë një gjë të tillë. Ata kanë frikë se kjo është një Republikë e re Srpska, por nuk është kështu. Ata i dhanë një justifikim Beogradit për të thënë se ata nuk do t’i vazhdojnë negociatat derisa ju [Kosova] të zbatoni atë që keni nënshkruar vite më parë”, tha Stefanoviç për BIRN.