Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm si anëtar dhe drejtues i një prej fraksioneve të së ashtuquajturës Banda e Durrësit, pritet të lirohet nga burgu me vendim të Gjykatës së Krujës.
Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale pritet të lirohet nga burgu me kusht, pas një vendimi të dyshimtë të gjyqtares së Gjykatë së Shkallës së Parë në Krujë, Enkeleida Hoxha.
Prokurori i Rrethit Krujë, Petrit Çano konfirmoi për BIRN vendimin e lirimit të Dokles, ndërsa tha se prokuroria e kishte kundërshtuar atë, kryesisht për mënyrën se si ishte llogaritur koha e vuajtjes së dënimit dhe përfitimi prej amnistive. Ai shtoi se vendimi do të apelohej.
“Vendimi është marrë nga e njëjta gjyqtare që më herët kishte marrë edhe vendimet për ulje të dënimit dhe përfitimet nga amnistia. Ne kërkuam përjashtimin e saj, por kërkesa u rrëzua”, tha Çano.
Në një deklaratë për shtyp Prokurororia e Krujës theksoi se në procesin gjyqësor për lirimin e Dokles me kusht, ka mbajtur qëndrim për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma.
Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Enekeleida Hoxha, me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata.
“Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor,” tha Prokuroria.
Gjyqtarja Hoxha nuk ishte e arritshme para publikimit të këtij shkrimi.
Dokle që është i burgosur në burgun e Fushë Krujës, pritet të lirohet në ditët në vazhdim. Prokurori Çano i tha BIRN se të martën Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë po përgatiste urdhërin e ekzekutimit të vendimit për lirimin e tij.
Dokle ishte i vetmi prej 4 anëtarëve drejtues të së ashtu quajturës Banda e Durrësit të dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në vitin 2012 me burgim të përjetshëm që ishte ende në qeli. Pas një vendimi të debatueshëm Gjykatës së Lartë në vitin 2014, e cila prishi dënimet me burg e përjetë për Lulzim Berishën, Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullain, të tre këta të fundit u liruan njëri pas tjetrit me vendime gjyqësore të dyshimta, duke përfituar nga amnistitë e shumta dhe ulja e dënimint.
Dokle, i dënuar për vrasje dhe për një sërë atentatesh ndaj ish partnerit dhe më pas rivalit të tij në bandë Lulzim Berisha, ishte i vetmi që nuk përfitoi nga vendimi i Gjykatës së Lartë dhe vuajti 3 vjet më shumë burg se Berisha.