Shqipëria vuajti nga një nivel tepër i ulët inflacioni gjatë vitit 2016, ndërkohë që çmimet e ushqimeve u rritën me shpejtësi, bëri të ditur INSTAT.
Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2016 qe vetëm 1.3 për qind, nga 1.9 për qind që qe ndryshimi në vitin 2015 dhe 1.6 për qind në vitin 2014, bëri të ditur Instituti i Statistikave në një njoftim për shtyp sot. Inflacioni i regjistruar në vitin 2016 është shumë më poshtë se sa objektivi i Bankës së Shqipërisë për inflacion në masën 3 për qind me bandë tolerance plus-minus 1 për qind.
Qeveria pati parashikuar inflacion në masën 2.3 për qind në vitin 2016, në përputhje me pritshmëritë për rigjallërim të ekonomisë pas disa vitesh të vështira. Por inflacion final total qe vetëm 1.3 për qind, kryesisht si pasojë e ecurisë së çmimeve në muajt shkurt, mars e prill, ku vendi mbërriti praktikisht në dyert e deflacionit.
Viti 2016 shënoi njëkohësisht edhe inflacionin më të ulët të regjistruar në Shqipëri që nga viti 2000, kur çmimet qëndruan të pandryshuara në krahasim me vitin 1999, për shkak se një sasi e konsiderueshme mallrash të importuara pa taksa në ndihmë të popullsisë së shpërngulur nga lufta të Kosovës, u shitën në treg në mënyrë ilegale dhe me çmime të ulëta duke ndikuar në treguesin e inflacionit.
Inflacioni i çmimeve të mallrave dhe shërbimeve shërben si barometër ekonomik pasi inflacioni i lartë zakonisht nënkupton rritje të kërkesës dhe konsumit ndërsa inflacioni i ulët është simptomë e vështirësive ekonomike dhe konsumit të dobët.
Shtrenjtohen ushqimet dhe sigurimet
Por ndërsa inflacioni i përgjithshëm qe vetëm 1.3 për qind, shqiptarët u përballën me një rritje të pazakontë të çmimeve të ushqimeve, të cilat qenë kontribueset kryesore të inflacionit total, ndërkohë që çmimet e mallrave të tjera qëndruan të pandryshuara. Në muajin dhjetor 2016, ushqimet që konsumuan shqiptarët kushtuan 4.6 për qind më shumë se sa në dhjetor 2015. Në veçanti, rritje të konsiderueshme shënuan çmimet e zarzavateve, (plus 19 për qind me bazë vjetore) apo çmimet e produkteve të bulmetit të cilat u rritën me 4.7 për qind.
Rritja më domethënëse e inflacionit gjatë vitit të kaluar duket se qëndron te grupi “Mallra dhe Shërbime të Ndryshme”, ku përfshihen policat e sigurimit për automjetet. Ky grup shënoi një rritje të pazakontë të çmimeve me 2.6 për qind në shtator, për shkak të rritjes së koordinuar në çmimeve të shitjes për policat e sigurimeve të automjeteve nga kompanitë e sigurimit.