Prokurorët në Moldavi të hënën lajmëruan se një ish-deputet, Iurie Bolboceanu, është arrestuar gjatë një takimi me një diplomat rus dhe akuzohet për tradhti dhe spiunazh.
Një ish-anëtar i parlamentit të Moldavisë është arrestuar dhe akuzuar për tradhti dhe spiunazh për Rusinë, mes shqetësimeve në rritje mbi influencën e Moskës në vend.
Prokurorët të hënën thanë se Iurie Bolboceanu, një ish-deputet dhe ish-anëtar i Partisë Demokratike moldave, u kap në flagrancë të premten e kaluar ndërsa takohej me një “agjent të shërbimit të inteligjencës së jashtme.” Shërbimi i Inteligjencës Sigurimit të Moldavisë, SIS, konfirmoi të hënën se Bolboceanu kishte takuar një spiun rus.
Arrestimi vjen mes shqetësimeve rreth ndikimit rus në Moldavi.
Qeveria pro-europiane e vendit paralajmëroi zyrtarët në fillim të këtij muaji që të mos udhëtojnë në Rusi, duke cituar abuzim dhe ngacmime nga ana e zyrtarëve të sigurisë që besohet se po bëhet për t’u hakmarrë për një hetim që lidhet me dyshimin e një skeme pastrimi parash ruse përmes Moldavisë që kap vlerën 22 miliardë dollarë.
Vitalie Busuioc, zv/prokurori moldav i Prokurorisë për Krimin e Organizuar dhe Hetimet Speciale, PÇOCS, tha se politikani ishte filmuar duke marrë para nga agjenti rus në këmbim të informacionit, pasi prokurorët dhe oficerët e inteligjencës e kishin përgjuar atë për shtatë muaj.
Ai tha gjithashtu se prokurorët besojnë se qëllimi i takimit të Bolboceanu me agjentin ishte spiunazhi. Ish-deputeti dyshohet se ka mbledhur informacion mbi politikanët apo bizneset dhe ia ka raportuar agjentit i cili punonte si diplomat në ambasadën ruse në Kishinau.
Sipas prokurorëve, gjatë një kontrolli të banesës së politikanit, u gjetën 23.000 dollarë amerikanë dhe një telefon celular i përdorur nga ish-deputeti për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij.
“Dy burrat ndiqnin rregulla strikte… Ata ecnin përreth për një orë për t’u siguruar se nuk po ndiqeshin dhe kur siguroheshin që askush nuk po i dëgjonte, takoheshin. Informacioni u transferua përmes një laptopi special dhe në çdo takim shtetasi moldav paguhej, zakonisht në dollarë,” tha zv.drejtori i SIS Alexandru Balan në një deklaratë për shtyp.
Ai gjithashtu shtoi se për shkak të imunitetit diplomatik të agjentit, ai nuk mund të burgosej dhe besohej se ishte larguar nga vendi.
Kryetari i parlamentit moldav, Andrian Candu i tha gazetarëve se nuk befasohej nga arrestimi. “Që kur e kam marrë këtë pozicion, marr shumë informacion, përfshirë informacion të klasifikuar. Personalisht, nuk çuditem, nga ato që di” th ai.
Emri i Bolboceanut qarkulloi në 2016 në lidhje me gjyqin e një ish-polici dhe një modeli që u dënuan vitin e shkuar për përpjekje në dhënien ryshfet të disa deputetëve nga partitë politike pro-europiane, për të kaluar në pro-rusë. Bolboceanu dha dorëheqjen nga partia demokratike në mars 2014.
Një gjykatë e zgjati mandatarrestin e deputetit në 30 ditë. Avokati i tij nuk mund të kontaktohej për një koment.